Mbi ndarjen administrative të Shqipërisë

Postuar në 21 Tetor, 2021 22:02

Një prej propozimeve për ndryshimet kushtetuese është dhe rishikimi i Reformës Territoriale. Lidhur me këtë temë, nga studio e lajmeve të MCN TV, pedagogu i Gjeografisë Ekonomike në Fakultetin e Historisë-Filologjisë, Dhimitër Doka tha se në 30 vitet e fundit reformat në Shqipëri kanë qenë në shërbim të politikës dhe ky, sipas tij është problemi. 

Z.Doka, ka nevojë Shqipëria për një ndarje të re administrative?

Doka: Ndarja ka qenë temë e gjithëkohëshme. Ne kemi pasur shumë ndarje dhe pak prej tyre kanë konsistuar në zhvillimet sociale. Kjo ka qenë domosdoshmëri për të krijuar një ndarje që ti qëndrojë kohës. Nëse kjo ndryshohet shumë herë, krijohet konfuzion. Duhet bërë një herë e mirë që ti qëndrojë kohës.

Kur bëhet një Reformë e tillë, çfarë duhet pasur parasysh, tipologjia e zonave nga pikëpamja demografike dhe kulturore apo dhe efiçenca ekonomike?

Doka: Janë kritere shumë të rëndësishme kur bëjmë një ndarje, kritere kulturore, demografike, treguesit e zhvillimit ekonomik që duhet të merren parasysh për të konkluduar reformën administrative. Në 30 vitet e fundit, reformat kanë qenë në shërbim të politikës dhe unë këtu e shoh problemin.

Vite më parë u hodh një propozim për ndarjen e Shqipërisë në 4 rajone e konkretizuar dhe me ligj. Si e shihni ju rajonalizimin e vendit bazuar në këtë këndvështrim?

Doka: Një ndarje siç duhet ti paraprijë një rajonizim që para se të kalohet në një ndarje, duhet të kemi rajonizim të vendit. Kjo është një nga kërkesat për t'u bërë pjesë e BE. Të gjitha rajonet duhet të plotësojnë kriteret e mundshme. Vjet ka pasur një vendim të tillë për të ndarë në katër rajone Shqipërinë. Kjo erdhi e papritur sepse nuk u fol për studime paraprake. Unë e lexova këtë por nuk e kuptova kurrë ku konsistojnë rajone të tilla. Duhet studiuar më mirë dhe duhej bërë publike dhe në bazë të studimit të shkohet në ndarje administrative. Këtu shoh një ngërç.

Propozimi konkret i ardhur nga opozita është që të shtohet numri i njësive administrative, madje të rikthehen komunat. Si e shihni ju këtë propozim?

Doka: Kjo punë nuk është të shtojmë apo të heqim disa komuna. Kjo nuk duhet të bëhet vetëm për arsye politike, politika duhet të flasë e fundit pasi të jenë bërë të gjitha studimet. Kemi një problem shumë të madh këto vite ku ne po përqendrojmë çdo gjë në pjesën e kryeqytetit dhe po humbasim shumë gjëra.

Gjithmonë është politika që vendos dhe merr nisma të tilla, por pyetja që dua të bëj është se sa merret mendimi i specialistëve dhe ekspertëve qoftë nga katedrat e universiteteve apo dhe nga organizmat lokale kur vizatohet një hartë e tillë?

Doka: Fatkeqësisht mendimi i ekspertëve nuk është marrë sepse duhet të jetë kompleks ekspertësh. Për fat të keq nuk di të jetë bërë studim dhe të jetë marrë mendimi. Të huajt nuk e njohin Shqipërinë si shqiptarët, brumi dhe baza duhet të jetë nga shqiptarët.

Kostot e një procesi pa ekspertë?

Doka: Nuk funksionojnë siç duhet. Qëllimi final është si ta menaxhojë dhe zhvillojë në një perspektivë afatgjatë dhe këtë ne nuk e kemi arritur. Nëse nuk kemi nën kontroll territorin dhe linjat se si do ecë atëherë bëjmë organizime momentale dhe votat shkojnë majtas dhe djathtas.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.