Një taksë e unifikuar për korporatat, arrihet marrëveshja mes 130 vendeve

Postuar në 06 Tetor, 2021 13:40

Marrëveshja për të rishikuar sistemin global të taksave është pothuajse në përfundim. Tani vjen pjesa e vështirë: të bëhet funksionale.

Negociatorë nga më shumë se 130 vende do të takohen të premten për të diskutuar detajet finale të një përpjekjeje shumëvjeçare për të detyruar kompanitë më të mëdha në botë të paguajnë më shumë në arkat kombëtare. Irlanda - një nga më të vështirat për t’u bindur - është në prag të mbështetjes së propozimeve që do të ndryshonin rrënjësisht mënyrën se si kompanitë si Apple dhe Johnson & Johnson paguajnë taksa në të gjithë botën, raporton Politico.

Tashmë vëmendja është zhvendosur te zbatimi i marrëveshjes. Vende si Franca dhe Shtetet e Bashkuara duhet të përcaktojnë se cilat qeveri mund të taksojnë gjigantët e korporatave, ndërsa politikëbërësit e të gjitha vendeve janë në kërkim të të ardhurave shtesë që do t’i ndihmonin ekonomitë e tyre të rimëkëmben nga pandemia.

Negociatat me ndërmjetësimin e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) kanë çuar në një projekt konkret që pritet të hyjë në fuqi nga viti 2023.

Marrëveshja u jep qeverive të drejtën për të marrë një pjesë të fitimit të kompanive të mëdha, bazuar në një formulë komplekse që i ndan paratë në varësi të vendit ku operojnë kompanitë. Marrëveshja parashikon gjithashtu një normë minimale të taksës së korporatave për të ndaluar firmat shumëkombëshe të përdorin parajsat fiskale për të reduktuar detyrimet.

Debati për këtë taksë vijon prej vitesh dhe politika ka dalë shpesh pengesë. Gjatë administratës Trump, SHBA u përpoq ta linte në dorë të kompanive të mëdha këtë taksë.

Ndërsa me ardhjen e Biden në krye të Shtëpisë së Bardhë, u ndoq një strategji më e gjerë e rritjes së taksave për të financuar përparësitë e brendshme të SHBA-ve. Marrëveshja përfundimtare që do të shpallet të premten përfshin dy ndryshime të mëdha në regjimin global të taksave.

Së pari, 100 kompanitë më të mëdha në botë do të duhet të paguajnë taksë në të gjitha juridiksionet ku ata kanë veprimtari. Këto pagesa do të bazohen në një formulë komplekse që zyrtarët po e finalizojnë. Por ka të ngjarë të synojë fitime mbi pragun prej 10 përqind për kompanitë me të ardhura vjetore prej 20 miliardë dollarë ose më shumë. Nga fitimi i tatueshëm, ato firma do të duhej të shpërndanin 25 përqind të atyre fondeve në nivel global për vendet që të taksoheshin sipas formulës së re.

Së dyti, më shumë se 130 vende gjithashtu pritet të bien dakord me një normë minimale taksimi mbi korporatat prej 15 për qind. Pas negocimit të Uashingtonit me Irlandën, e cila ka një normë të brendshme 12.5 për qind, Dublini pritet ta nënshkruajë marrëveshjen ndërkombëtare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.