Si e mbrojti nga ligji shërbimi sekret austriak një të dyshuar për krime lufte në Siri

Postuar në 14 Shtator, 2021 19:53

Kur përkrahësit e diktatorit sirian Bashar Assad u larguan nga qyteti i Raqqa në pranverën e vitit 2013, ata lanë në ndërtesën e sigurisë shtetërore një instrument mjaft të çuditshëm: Një dërrasë druri me një menteshë në mes dhe një traversë në njërin skaj.

Bisat al-Rih është emri që vendasit i kanë vënë pajisjes, "qilimi fluturues". Pavarësisht nga emri mjaft i çuditshëm, ai është mjet për një metodë torture veçanërisht të kobshme, madje edhe sipas standardeve të regjimit sirian. Viktimat lidhen me dërrasën para se ajo të përkulet sa më shumë që të jetë e mundur përgjatë menteshës. Ata që e kanë përjetuar thonë se shumë shpejt bëhet e vështirë të marrësh frymë dhe dhimbja në gjymtyrë dhe shpinë bëhet e padurueshme.

Tetë vjet më vonë, dëshmia nga të mbijetuarit dhe nga ish-anëtarët e aparatit të sigurisë të Asadit përshkruajnë me saktësi tmerret e kryera nga sigurimi shtetëror në Raqqa para se qyteti të binte në duart e opozitës siriane dhe, më vonë, organizatës terroriste Shteti Islamik. Të burgosurit u rrahën me kabllo dhe tuba plastikë, u goditën me elektroshok dhe u torturuan në "qilimin fluturues". Ka edhe raportime për përdhunim.

Emrat e disa prej autorëve janë të njohur, por do të jetë e vështirë që shumica e tyre të sillen para drejtësisë. Megjithatë, kjo nuk ndodh me njeriun i cili thuhet se është përgjegjës për mizoritë e kryera nga ekspertët e marrjes në pyetje nën komandën e tij: gjeneral brigade Khalid Muhsen al-Halabi.

Halabi, 58 vjeç, ishte kreu i Degës 335 të Drejtorisë së Inteligjencës së Përgjithshme Siriane në Raqqa para se të ikte në Evropë nëpërmjet Turqisë dhe Jordanisë pas rënies së qytetit. Zyrtarët e sigurisë në disa vende të BE-së kanë treguar interes për të dhe disa madje kanë kërkuar të gjejnë vendndodhjen e tij. Deri më tani, ai është përfaqësuesi më i lartë i qeverisë siriane që dyshohet për tortura dhe që është strehuar në Evropë.

Por Halabi ka jetuar në liri të plotë gjatë viteve të fundit - në Austri.

Së bashku me të përditshmen austriake Der Standard, DER SPIEGEL ka ekzaminuar mijëra faqe dosjesh dhe ka folur me viktimat, hetuesit dhe njerëz që kanë dijeni. Raportimi ka zbuluar se si Halabi ia doli të fshihej dhe të jetonte një jetë normale në Evropë - edhe pse prokurorët në Gjermani, Suedi dhe Francë po punonin shumë për t’i çuar kriminelët e luftës siriane para drejtësisë. Është historia e një skandali të paparë të autoritetit publik.

Në të njëjtën kohë, historia tregon sa në diskordancë mund të jenë interesat e agjencive të ndryshme të inteligjencës dhe prokurorëve penalë. Disa duan informacion dhe premtojnë mëshirë në këmbim. Të tjerë janë më të interesuar t’i çojnë kriminelët në gjyq. Rasti Halabi është shembull i zgjidhjeve më të këqija nga të gjitha.

Zyra Federale e Austrisë për Mbrojtjen e Kushtetutës dhe Kundër Terrorizmit (BVT) e kontrabandoi gjeneralin në vend gjashtë vjet më parë me kërkesë të agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad. Prokurorët publikë në Vjenë tani kanë filluar të hetojnë Halabin - si dhe agjentët austriakë që e sollën atë në vend dhe që ndoshta e mbrojtën atë nga ndjekja penale.

Gjithçka nisi në mars 2015. Katër vjet pas fillimit të luftës civile siriane, Mossadi priti një delegacion të BVT në Tel Aviv, me një takim shtesë pas disa javësh në Vjenë. Agjentët arritën marrëveshje për një bashkëpunim rreptësisht konfidencial midis dy agjencive: Operacioni Qumësht i Bardhë.

Sipas dosjeve austriake, izraelitët kishin rekrutuar si informator një "oficer të lartë të inteligjencës siriane", Khalid al-Halabi. Ish-gjenerali u tha se "posedonte informacione thelbësore në lidhje me aparatin e inteligjencës siriane". Dhe, pas rënies së regjimit të Asadit, gjë që shihej si mundësi në atë kohë, ai "potencialisht mund të marrë një rol të rëndësishëm në shtetin sirian".

Halabi, siç u vu re nga një agjent i BVT, ishte vendosur fillimisht në Francë. Por kishte "probleme komunikimi" me agjencinë e brendshme të inteligjencës në Francë dhe kjo ishte arsyeja pse Mossadi donte të dërgonte në Austri. Në fakt, ka gjasa që një problem tjetër të jetë bërë shkak: Agjencia franceze e azilit kishte shprehur dyshime se Halabi ishte përgjegjës për shkelje serioze të të drejtave të njeriut në Siri. Dukej sikur kërkesa e tij për azil do të refuzohej në Francë.

Duhej një plan B.

Prioriteti i Izraelit ishte ai i mbrojtjes së një dezertori të rangut të lartë nga Siria. Një burrë që kishte njohuri të gjera mbi aparatin e sigurisë siriane dhe që posedonte "sekrete jashtëzakonisht të ndjeshme shtetërore", siç thuhet në memo. Një student i jurisprudencës dhe i diplomuar në akademinë ushtarake, Halabi kishte qenë përgjegjës për kundër-spiunazhin në Damask para se të merrte komandën e Degës 335 në Raqqa. Austria po ndiqte një axhendë tjetër. BVT ka një reputacion famëkeq të keq në botën e inteligjencës dhe agjencia pa një mundësi për të qëndruar krah për krah me një nga agjencitë më të mira të shërbimit sekret. Nëse një partner i fuqishëm si Mossad kërkonte një favor, BVT nuk do të thoshte jo.

BVT fillimisht e vendosi atë në një hotel në lagjen Schëechat të Vjenës dhe e shoqëroi dy ditë më vonë në seancën e tij të azilit. Gjatë asaj seance, Halabi pretendoi se ai ishte larguar nga Siria sepse nuk donte t'i bashkohej regjimit apo rebelëve. "Në secilin rast, do të më duhej të vrisja," tha ai. "Nuk doja gjak në duart e mia." Nuk ka të dhëna që pretendimi i tij të kundërshtohet.

Halabi u regjistrua si refugjat në Austri me numrin 151965848. Në një kohë kur qindra mijëra refugjatë të ligjshëm nga Siria po kërkonin mbrojtje në Evropë dhe kancelari austriak Sebastian Kurz po kërkonte t’u jepej fund “politikave të ftesës”, anëtari i rangut të lartë të regjimit të Asadit mori azil politik në Austri falë ndërhyrjes së shërbimit inteligjent.

Mund të ketë qenë fillimi i një miqësie të mrekullueshme mes spiunëve austriakë dhe Mossadit. Por në janar 2016, Komisioni për Drejtësinë dhe Llogaridhënien Ndërkombëtare (CIJA), një nismë kërkimore, kontaktoi zyrtarët në Vjenë. Ata thanë se kishin informacione sipas të cilave një kriminel i dyshuar lufte ishte në Austri dhe kërkuan një takim.

CIJA u themelua nga kanadezi Bill Ëiley, një ish-prokuror i krimeve të luftës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë, i cili e bëri misionin e tij të dokumentonte krimet e luftës të kryera në luftën civile siriane. Komisioni i Ëiley mori financime nga vende si Gjermania, Britania dhe Shtetet e Bashkuara.

Organizata posedon qindra mijëra faqe provash që inkriminojnë si regjimin sirian, ashtu edhe Shtetin Islamik. Provat ofrojnë dëshmi të torturave dhe ekzekutimeve sistematike, përveç masakrave dhe përdorimit të armëve kimike.

Prokurorët gjermanë janë mbështetur në ndihmën e CIJA në disa prej procedurave të saj në të kaluarën. Një urdhër arresti i lëshuar nga Gjermania për ish-kreun e agjencisë së inteligjencës të forcave ajrore siriane u informua pjesërisht nga informacioni i siguruar nga organizata, dhe hetuesit e CIJA dëshmuan në gjyqin e parë penal në mbarë botën kundër torturave të sponsorizuara nga shteti në Siri, i cili ishte mbajtur në qytetin gjerman Koblenz. Një bashkëpunëtor në tortura tashmë është dënuar.

Në fund të vitit 2015, hetuesit e CIJA e lokalizuan Halabin në Vjenë përmes profilit të tij në Skype. Por kur dy përfaqësues të CIJA-s udhëtuan për në Austri në janar 2016, ndodhi një gjë e çuditshme. Gjatë takimit të tyre me dy delegatë të Ministrisë së Drejtësisë, ishin të pranishëm edhe dy agjentë të BVT. Ata me sa duket ishin të shqetësuar se mbulesa e bashkëpunimit të tyre rreptësisht konfidencial me Mossad, operacioni “Qumësht i Bardhë”, mund të hidhej në erë.

"Ishte shumë e pazakontë," thotë Chris Engels, drejtor i CIJA dhe pjesëmarrës në takim. "Pata ndjesinë se ata nuk kishin interes për rastin." Vetëm më vonë, ai e kuptoi lojën e ndyrë që po luante Vjena. Për tre vjet, BVT nuk u tha prokurorëve austriakë se ata kishin sjellë Halabin në vend dhe po i jepnin atij ndihmë.

Ne u takuam me Engelsin në një dhomë të CIJA në një qytet të madh në Evropë. Ai kërkoi që qyteti të mos përmendet me emër, pasi ai dhe bashkëpunëtorët e tij kanë frikë se regjimi i Asadit mund të kërkojë hakmarrje. Edhe rusët janë një “gjemb” në anën e tyre. Një derë çeliku mbron hetuesit nga vizitorët e padëshiruar dhe nuk ka asnjë shenjë.

Engels u dha gjithçka që dinte për Halabin zyrtarëve të Ministrisë vjeneze të Drejtësisë. "Në vendet e tjera, ata do të ishin të ngazëllyer", thotë ai. Por zyrtarët austriakë, vazhdon ai, ishin të rezervuar, duke thënë se nuk kishin mjaftueshëm material për ta dënuar.

Ndërkohë, OJQ-të nga Gjermania, Austria dhe SHBA-të kanë mbledhur dëshmi më inkriminuese dhe kanë gjetur dëshmitarë shtesë. Iniciativa e Drejtësisë për Shoqërinë e Hapur (OSJI), me seli në Nju-Jork, bashkëpërfaqëson së bashku me organizatën vjeneze CEHRI-19 viktima të cilët janë të përgatitur të dëshmojnë kundër Halabit në gjykatë. Të mbijetuarit presin ditën kur "mund të përballen me një prej torturuesve të tyre në gjykatë", thotë Steve Kostas nga OSJI.

Një i mbijetuar është Obada Alhmada, mjek që tani jeton në Gjermani. Ai ende e mban mend si të ishte dje torturën të cilës iu nënshtrua në Raqqa. Mjeku kishte marrë pjesë në protesta dhe u dërgoi fshehurazi video nga ato demonstrata transmetuesve televizivë të huaj. Në telefon, ai thotë se u kap nga pesë apo gjashtë përkrahës të regjimit dhe u rrah me grushte dhe me tytën e pushkës. Në ndërtesën e sigurimit të shtetit, ata u përpoqën ta detyrojnë të zbulojë emrat e demonstruesve. Pastaj, kujton Alhmada, ai u transferua në burg dhe ishte me fat që më vonë u lirua. "E vërteta duhet të dalë," thotë ai.

Prokurorët vjenezë, megjithatë, ende nuk kanë ngritur akuza - pas më shumë se pesë vitesh hetime. "Për shkak të aspekteve të saj të huaja" dhe vështirësive në arritjen e dëshmitarëve përkatës, është "jashtëzakonisht komplekse", tha zyra e prokurorëve kur u kontaktua për koment.

Sidoqoftë, Austria ia ka hequr statusin e azilantit Halabit. Por avokati i tij ka apeluar. Deri më sot, gjenerali i Asadit mbetet një njeri i lirë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.