Virusi në mutacion të vazhdueshëm, një variant i ri zbulohet në Afrikën e Jugut

Postuar në 29 Gusht, 2021 14:46

Një variant i ri i koronavirusit është zbuluar në Afrikën e Jugut dhe në disa vende të tjera. Studiuesit thonë se C.1.2 mund të jetë më infektiv dhe t’i shpëtojë mbrojtjes që japin vaksinat. Studimi është kryer në Institutin Kombëtar të Afrikës së Jugut për Sëmundjet Ngjitëse në bashkëpunim me Platformën e Inovacionit dhe Sekuencimit të Kërkimeve KwaZulu-Natal.

Shkencëtarët e zbuluan variantin e ri për herë të parë në maj 2021. Ai është një version i C.1., që ka pësuar mutacion duke iu larguar më shumë se çdo varianti tjetër virusit origjinal të zbuluar në Vuhan në fund të dhjetorit 2019.

Që prej kohës kur u zbulua në Afrikën e Jugut, C.1.2 ka udhëtuar drejt Anglisë, Kinës, Republikës Demokratike të Kongos, Mauritius, Zelandës së Re, Portugalisë dhe Zvicrës, ku janë gjetur raste të tij.

Shkencëtarët besojnë se numri i sekuencave të disponueshme të C.1.2 mund të jetë një nën-përfaqësim i përhapjes dhe shpeshtësisë së variantit në Afrikën e Jugut dhe në të gjithë botën. Studimi gjeti rritje të vazhdueshme të numrit të gjenomeve C.1.2 në Afrikën e Jugut në baza mujore, një rritje që lëviz nga 0.2% e gjenomeve të renditura në maj, në 1.6% në qershor dhe më pas në 2% në korrik. Kjo është e njëjta rritje që është vënë re edhe te variantet Beta dhe Delta.

Shkencëtarët thonë se duhet punë e mëtejshme për të kuptuar ndikimin e saktë të këtyre mutacioneve dhe për të parë nëse ato kthehen në konkurrentë të variantit Delta sa i takon përhapjes.

Studimi vjen vetëm pak javë pasi një mjek në Turqi raportoi se kishte gjetur indikacione për një variant të ri të koronavirusit në vend. Mjeku turk, Lütfi Çamlı, deklaroi se teste e kryera zbuluan mutacione që nuk gjendeshin në variantet aktuale të emërtuara nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH).

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.