Fundi i Pax Americana dhe NATO-s

Postuar në 22 Gusht, 2021 16:11
Simon Tisdall

 

Atlantiku i Veriut u zgjerua ndjeshëm javën e kaluar. Sa më shumë që Joe Biden u përpoq të fajësonte të tjerë për kaosin afgan, aq më shumë rritej hendeku mes Mbretërisë së Bashkuar të Amerikës dhe aleatëve europianë. Ky president i SHBA që predikon virtytet e multilateralizimit e megjithatë veproi në mënyrë të njëanshme, ka bërë më shumë për të minuar aleancën perëndimore në pak javë, sesa bëri Donald Trump me gjithë mburrjet dhe krekosjet e tij.

Por ky mund të mos jetë një rezultat i keq nëse konsiderojmë gjithçka. Një larje hesapesh duhej bërë prej kohësh. Pushtimi i Irakut nga Bush-Blair ishte një gabim historik. Heqja e bythës mënjanë nga Obama në Siri ishte e turpshme për arsye të kundërta. Tani lufta jashtëzakonisht e kushtueshme 20 vjeçare e Afganistanit po përfundon në fatkeqësi, më shumë kaos refugjatësh dhe me kërcënimin e rigjallërimit të terrorizmit i cili sërish, do të prekë së pari Europën.

Nëse ky është destinacioni i udhëheqjes amerikane, kush ka nevojë për të? Kur Amerika bën policin e botës, siç edhe thonë se duhet “liberalët-neokonë” të vetëshpallur, shumë njerëz në shumë vende përfundojnë duke këlthitur “nuk marr dot frymë”.

Amerika ose mungon trishtueshëm, ose angazhimi i saj dominues përfundon në lotë. Cikli përsëritet. Frika po rritet se aleatët e SHBA janë tërhequr në një tjetër “luftë të pafund”, kësaj radhe me Kinën.

Sjellja fodulle amerikane gjatë pandemisë nuk ishte jotipike. Trump provokoi dëm të pallogaritshëm përmes mohimit dhe mosveprimit. Administrata e Biden ka rrezikuar miliona me stokun e vaksinave. Afganistani sot është një shprehje gjeopolitike e kësaj dukurie të njohur. Nuk e shpiku Trump devizën Amerika e Para. Biden është thjesht eksponenti i saj i fundit.

Fjalimi i të hënës së shkuar i presidentit ishte me të vërtetë shokues për joamerikanët. Përbuzja e tij e pamerituar ndaj forcave afgane dhe verbëria ndaj sakrificave të aleatëve të NATO-s goditi me arrogancë dhe tradhëti. Deklarimi prej tij se shtet-ndërtimi nuk ishte kurrë synimi i SHBA ishte në mënyrë groteske i pavërtetë.

Afganistani ishte misioni i fundit shtet-ndërtues

shkruajti në kujtimet e tij të vitit 2010, Pika Vendimes George W Bush.

Ne kishim një detyrim moral të linim pas diçka më të mirë

E dëgjove Joe?

E megjithatë ishte mohimi në dukje nga Biden i lidershipit tradicional të SHBA që shkundi establishmentin britanik dhe europian. “Dislokimi i pafund ushtarak i forcave amerikane” në konfliket jashtë vendit nuk ishte në interesin kombëtar, deklaroi ai. Afganistani ishte vetëm për mbrojtjen e “atdheut”. Për ata që janë rritur në një botë të përkufizuar nga fuqia amerikane dhe të rrethuar nga bazat e saj të përhershme, kjo ishte befasuese.

Armin Laschet, i përzgjedhuri i Angela Merkel për ta pasuar atë si kancelar i Gjermanisë, e quajti tërheqjen “dështimin më të madh të NATO-s që nga themelimi i saj”. Deputeti konservator Tom Tugendhat, një veteran i luftës në Afganistan, e quajti atë publikisht si “disfatën më të madhe të politikës së jashtme britanike që nga Suezi” – një tjetër fiasko, në të cilën meqë ra fjala, kontribuoi edhe SHBA.

I pafati Boris Johnson hungërrin si një derr i zënë ngushtë. Kryeministri i Britanisë është zhytur në  në Washington që nga mbytja e anijes së tij europiane. Tani, ministra dhe gjeneralë të tërbuar nga inati, u duhet të kafshojnë gjuhën – për shkak të frikës së prishjes së marrëdhënies më të gjerë, “speciale” dhe tashmë të pasigurtë. Etiketa e çmimit të Brexit vazhdon të rritet.  

Mësimi i dukshëm për liderët europianë dhe edhe për Johnson, është se Washington nuk mund të besohet më, nëse ka qenë për t’u besuar ndonjëherë. Afganistani është prova e fundit se SHBA, si çdo shtet komb tjetër, në finale vepron mbi interesat e veta  - siç i percepton ato në një moment të caktuar – pavarësisht se çfarë betimesh solemne ka bërë.

Shkurt, veçanësia amerikane ishte iluzore përherë. Një vetëbesim dhe vetëveprim më i madh europian është e vetmja përgjigje logjike.

Post -1945 iu përshtat SHBA për të fortifikuar fuqinë e vet të re ekonomike dhe fizike mbi Europë dhe për rrjedhojë të frenonte superfuqinë rivale sovjetike. Doktrina Truman që pasoi, teksa mbronte liritë themelore, në thelb udhëhiqej nga interesi i vet. Altruizmi ka pak të bëjë këtu. Tani, me fuqinë amerikane në rënie në raport me Kinën dhe me sfida e reja që po evidentohen, interesi vetjak dikton rivlerësim, ripërcaktim prioritetesh dhe shkurtime.

Ky është konteksti më i gjerë në të cilin duhet kuptuar tërheqja afgane - qëkurse pasardhësit e Biden ka shumë pak gjasë të veprojnë ndryshe. Shtetet e BE-së, me apo Britaninë, duhet në fund të nxjerrin përfitime nga vite bisedimesh rreth krijimit të kapaciteteve të besueshme dhe të pavaruara europiane të mbrojtjes dhe sigurisë.

Sërish, është një gabim të vazhdosh të sulmosh Biden. Sigurisht që tërheqja është tmerrësisht e keqmenaxhuar. SHBA mund dhe duhet të mbante një prani minimale në bazën ajrore të Bagram për synime frenuese. Armiqtë e demokracisë me siguri që janë fuqizuar. Nuk ka dyshim se afganët po paguajnë një çmim të tmerrshëm.

Por fundi i luftërave të pafundme të post – 11 shtatorit, si pjesë e këtij reformimi të domosdoshëm të politikës së jashtme të SHBA, ishte i pashmangshëm dhe paevitueshëm.

Nëse Biden ia del me synimet e shpallura, e ardhmja e lidershipit global amerikan do të prioritizojë diplomacinë, mjetet e fuqisë së butë, levat ekonomike dhe financiare, avantazhin teknologjik, mbledhjen e informacionit dhe kapacitetet e specializuara mbrojtëse përkundrejt forcës ushtarake, pushtimet në shkallë të gjerë dhe pushtimet e pambarimta me armë. Zyrtarët e Biden e quajnë “fuqia e zgjuar” për një epokë të re. Patjetër që ky është një lloj progresi.

Zhvendosja simbolizohet nga fundi që Biden i dha “luftës së Bushit kundër terrorit”. Një rishikim i politikës pritet të rekomandojë reduktimin e veprimtarive kundërterroriste globale amerikane që është rritur në mënyrë eksponenciale që nga viti 2001. Politika e re do të shohë siç thuhet përtej terrorit islamik, drejt kërcënimeve të brendshme nga e djathta ekstreme.

Në janar ka hyrë në fuqi një moratorium për përdorimin e dronëve. Udhëzime të reja të Pentagonit do të rrisin kufirin për nisjen e veprimeve ushtarake dhe do t’u kërkojnë komandantëve në terren të bëjnë më shumë për të shmangu viktimat civile. Është shumë vonë për Afganistanin, ky mijëra civilë vdiqën. Por mund të reduktojë gjakderdhjen në të ardhmen.

Projekti afgan dështoi. Epoka e mjegullt e Pax Americana dhe “dislokimeve të pafundme ushtarake” të kundërshtuara nga Biden, fatmirësisht po merr fund. NATO – e dikredituar, udhëhequr keq dhe e marrë si e mirëqenë – i ka mbyllur ditët e veta po ashtu. Tani kërkohet një marrëdhënie sigurie SHBA-BE më e balancuar dhe më e respektueshme. Pa të, mund të mos ketë më një aleancë perëndimore që të udhëheqë.

Burimi: The Guardian

Përkthimi: ResPublica 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.