Një debat kushtetues mbi kufijtë e integrimit europian

Postuar në 19 Gusht, 2021 16:38
Markus Becker/Sophie Garbe/Ralf Neukirch/Christian Reiermann

 

Si ta eliminosh një problem që nuk e zgjidh dot? Qeveria gjermane ka zgjedhur një qasje pragmatike: mohon vetë ekzistencën e problemit. Javën e fundit, qeveria njoftoi se kishte dërguar një “komunikim nga Republika Federale e Gjermanisë Komisionit Europian” në Bruksel. Është përgjigja e një procedure shkeljeje që KE nisi kundër Gjermanisë për shkak se nuk i pëlqeu një vendim i marrë nga gjykata më e lartë e vendit, Gjykata Kushtetuese Federale. 

Në dukje, procedurat janë për atë se kush ka fjalën e fundit kur vjen puna te ligji europian – por përtej konfliktit legal qëndron një pyetje shumë më e madhe: sa thellë duhet të shkojë integrimi europian dhe kush e merr atë vendim? BE-ja nisi procedurën pas një vendimi të marrë nga gjykata e lartë Gjermane në muajin maj. Drejtësia gjeti se Banka Qendrore Europiane nuk kishte ekzaminuar në mënyrë të mjaftueshme proporcionalitetin e blerjes së bondeve në kuadër të programit të blerjeve në sektorin publik.

Më keq akoma, gjykata gjermane shpalli se Gjykata Europian e Drejtësisë, që adoptoi një pikëpamje të ndryshme, nuk po bënte një punë të mjaftueshme në rishikimin e aktiviteteve të Bankës Qendrore. Më tej akoma, thuhet se Gjykata Europiane në Luksemburg kishte vepruar “ultra vires” që do të thotë se kishte shkuar përtej juridiksionit të vet. Gjykata gjermane vendosi se vendimi i GjED ishte “thjesht i pakuptueshëm” dhe si i tillë, kishte qenë “objektivisht arbitrar”.

Vendimi shënonte përshkallëzimin e fundit në një konflikt që vazhdon prej kohësh. Për herë të parë Gjykata Kushtetuese Federale e Gjermanisë deklaronte si jo detyrues një vendim të Gjykatës Europiane të Drejtësisë. Disa komentatorë në atë kohë, jo vetëm që e panë si të kërcënuar primatin e ligjit të BE-së ndaj ligjit kombëtar, por edhe vetë BE-në.

Gjykata Kushteteuese Federale është një “rrezik për shtetin”

shfrynte në një editorial “Süddeutsche Zeitung”.

Nga optika e Brukselit, kjo nuk mund të shprehej më mirë se kaq. Komisioni Europian deklaroi në atë kohë se vendimi i gjykatës “përbën një precedent serioz”.

Fjala e fundit mbi ligjin e BE-së thuhet gjithnjë në Luksemburg

u shpreh presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen menjëherë pas vendimit.

Më pas Komisioni nisi procedurën e shkeljes kundër Gjermanisë. Ishte një hap delikat. Çfarë supozohet se duhet të bëjë qeveria gjermane? Të vendosë Gjykatën Kushtetuese Federale në vend të saj dhe të shënojë një pikëpyetje mbi pavarësinë e vet juridik? Në Berlin u mor një vendim për ta zgjidhur konfliktin duke e deklaruar atë të dyshimtë. Letra e dërguar Brukselit nga qeveria gjermane javën e fundit, nuk përmend konfliktin themelor mes kuptimit gjerman dhe europian të ligjit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese Federale shpjegohet në hollësi, po shumëçka lihet jashtë. Të jep përshtypjen se gjykata në Karlsruhe është në linjë me idetë e Brukselit dhe ato të GjED.

Gjykata njeh autonominë e ligjit europian dhe e konsideron veten të detyruar nga “parimi i përputhshmërisë me ligjin europian”, thuhet në dokument. Ai vazhdon duket deklaruar se gjykata po ashtu njeh se gjykimi i GjED-së duhet, në parim, të vëzhgohet si një interpretim detyrues i ligjit të BE-së. Por letra injoron faktin se nga perspektiva e Gjykatës Kushtetuese në Karlsruhe, primati i ligjit europian nuk është aspak i pakufizuar.

Në vend të kësaj, qeveria gjermane pohon se do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të “siguruar respektimin e plotë të parimeve të autonomisë, zbatimin primar dhe efektivitetin e e zbatimit uniform të ligjit të Unionit”. Letra pasqyron sjelljen e qeverisë gjermane, që ka qenë shpesh e zemëruar nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese mbi ligjin europian. Gjyqtarët në Karlsruhe megjithatë nuk janë të kënaqur me përmbajtjen e letrës, të cilën e shohin si snobim të Gjykatës Kushtetuese. Por letra ka për synim si fillim një ofertë paqëtimi ndaj Komisionit Europian, që duhet të marrë tani një vendim sesi të procedojë. “Precedenti serioz” nuk është hequr nga deklarata. Si mund të jetë kështu? Qeveria gjermane nuk mund të ndikojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese Federale dhe nuk ka fuqi t’i rrëzojë ato.

Politikanët në Bruksel e dinin këtë që para se të nisnin procedurën. Mbi të gjitha, lëvizja u bë për t’i dërguar një mesazh vendeve të tjera. Komisioni është i shqetësuar se vendimi nga Gjykata Kushtetuese Federale do të shërbejë si një pretekst për vende si Polonia për injorimin e vendimeve të GjED dhe që do ta shpërbëjë më tej sundimin e ligjit. Kryeministri polak Mateusz Morawiecki e quajti vendimin e Gjykatës Kushtetuese si “një ndër vendimet më të rëndësishme në historinë e BE-së”.

Qasja e Brukselit nuk ka qenë shumë bindëse. 

Procedura kundër Gjermanisë “nuk është pa ironi”

thotë Alexander Thiele, një profesor dhe ekspert i ligjit europian në universitetin e Göttingen. Komisioni po merr veprime kundër qeverisë polake për mbrojtjen e pavarësisë së gjyësorit të Polonisë dhe tani po ndërmerr procedurë kundër qeverisë gjermane me synimin e ndikimit të gjyqësorit. Sesi do të reagojë Brukseli kjo mbetet një çështje e hapur. Një zëdhënës tha se Komisioni nuk jep informacion për procedimet që janë në zhvillim. Por ka disa tregues që thonë se mund të braktiset e gjitha. Komisioni mund të thotë se Gjermania ia la primatin ligjit të BE-së. Nuk duket se qeveria polake do të ketë vullnetin të japë sigurime të tilla. Do të ishte e vështirë për Varshavën që të citonte Karlsruhen si justifikim për politikën e vet gjyqësore.

Mbyllja e procedurës do të ishte një shteg për të larë fytyrën për Komisionin nga një situatë ku u fut vetë. Në fund të fundit, nëse Brukseli e gjen shpjegimin gjerman të pamjaftueshëm, do të duhet të kërkojë formalisht që Gjermania të respektojë ligjin e BE-së.

Nëse situata nuk ndryshon – dhe si mund të ndryshojë? – Komisioni mund të referojë çështjen në GjED. Gjykata e Luksemburgut mundet atëherë të detyrohet të vendosë mbi një çështje në të cilën është palë. Kjo do të shkelte parimet themelore juridike dhe do të ishte shkatërrimtare për sundimin e ligjit

shkruan në një artikull të fundit në Verfassungsblog, një faqe e dedikuar jurisprudencës, Christian Tomuschat, një ekspert i ligjit ndërkombëtar që jeton në Berlin. Askush në Bruksel nuk ka interes që kjo të ndodhë. Nëse Komisioni nuk dëshiron të deklarojë çështjen të mbyllur, ai ka edhe opsionin e shtyrjes së procedurës.

Komisioni mund të marrë sa kohë të dojë,- thotë Thiele. Pavarësisht sesi vendos Komisioni, nuk ka për t’iu afruar zgjidhjes së problemit. Kjo qëndron në natyrën e vetë konfliktit. Nuk mund të zgjidhet me mjete ligjore. GjED argumenton se vetëm ajo mund të gjykojë sesi interpretohen dhe zbatohen traktatet dhe këmbëngul që ligji i Unionit duhet të ketë primatin mbi ligjin kombëtar kështu që i njëjti ligj të zbatohet në të gjitha vendet anëtare. Gjykata argumenton se kjo mund të sigurohet vetëm përmes këtij primati. 

Në parim, Gjykata Kushtetuese Federale njeh primatin e ligjit europian. Por ajo ekzaminon po ashtu se çfarë pushteti ka transferuar Gjermania në BE dhe nëse kjo ka ndikim mbi identitetin kushtetues të Gjermanisë. Vetëm Gjykata Kushtetuese Gjermane mund të përcaktojë një shkelje të kushtetutës së vendit, Ligjit Themeltar. Të dyja qëndrimet kanë sens, por ato janë po ashtu tërësisht të papajtueshme. Ajo që duket si ndarje me bazë ligjore në fakt ka një sfond të lartë politik. Bërthama e kësaj çështjeje është pyetja se kush do të vendosë për të ardhmen e integrimit europian.

Gjykata Kushtetuese Gjermane druhet se përherë e më shumë pushtet po zhvendoset nga shtetet anëtare drejt BE-së, pa u shoqëruar kjo me legjitimitet të mjaftueshëm demokratik. Andreas Vosskuhle, ish-president i Gjykatës Kushtetuese, e ka shprehur këtë në terma veçanërisht drastikë, duke u ankuar në një shfaqje publike se Komisioni do të krijojë “me ftohtësi një shtet federal europian”. Mund të tingëllojë pak si një teori konspirative, por ka një të vërtetë në akuzat e tij. Komisioni është i gatshëm të rregullojë sa më shumë gjëra të jetë e mundur në nivel europian.

BE-ja shpesh e çon transferimin e pushteteve shumë larg, aq sa zona e kompetencës së shteteve anëtare dhe për pasojë fusha e aplikimit të kushtetutës kombëtare dhe demokracisë kombëtare, minohet

thotë ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Dieter Grimm. Gjyqtarët gjermanë e akuzojnë GjED se i hap rrugë kësaj sjelljeje në vend se të mbajë institucionet e BE-së në linjë.

Shumë konstitucionalistë dhe ekspertë europianë të ligjit janë thellësisht kritikë ndaj vendimit të Gjykatës gjermane për këtë çështje. Dhe ai kriticizëm mund të jetë ligjërisht i justifikuar. Por vendimet e Gjykatës Kushtetuese mbi politikat e BE-së, rrallë motivohen vetëm nga konsideratat legale. Gjyqtarët në Karlsruhe e bëjnë një sy qorr mbi pasojat e vendimeve të tyre. Dhe politikisht, vendimet për programin e blerjeve në sektorin publik kanë kuptim.

Në qershor të vitit 2016 gjykata aprovoi programin e blerjes nga Banka Qendrore Europiane të bondeve në tregje sovrane në sasi të pakufizuara gjatë krizës së euros. Kreu i BQE-së, Mario Draghi kishte njoftuar në atë kohë se banka do të “bënte çfarë duhej” për të shpëtuar euron. Vetëm këto fjalë dhe vendimi i BQE-së mjaftuan për të qetësuar tregjet financiare dhe në finale programi nuk duhej të zbatohej.

Ka shumë të dhëna që të japin të kuptosh se gjykata në Karlsruhe ishte tashmë e mendimit se Draghi kishte tejkaluar pushtetin e BQE-së. Por nëse gjykata do të kishte vendosur kundër programit të bjerjes së bondeve, pasojat do të kishin qenë të pamatshme dhe jo thjesht për zonën e monedhës së përbashkët. E gjithë BE-ja do të kishte qenë në rrezik.  Kështu që ata vendosën se programi ishte ligjor pavarësisht “shqetësimeve të konsiderueshme”.

Sipas gjykatësve, BE-ja po i afrohet përherë e më shumë pikës ku tolerime të tilla nuk mund të jenë më të mundshme. P.sh, nëse paketa e shpëtimit të bllokut ndaj pasojave të pandemisë, që përfshin lëshimin e bondeve të përbashkëta nga BE, do të shndërroheshin në një mjet të përhershëm rishpërndarjeje pa një ndryshim në traktatet e BE-së. Vendimi është një paralajmërim ndaj politikanëve për të mos i lënë gjërat të shkojnë kaq larg.

Nuk është rastësi që konflikti mes Gjykatës Federale Kushtetuese të Gjermanisë dhe BE-së rreth euros, po përshkallëzohet. Defektet në konceptim të Unionit Monetar Europian kanë vite që kanë dalë në pah. Ishte e qartë që nga fillimi, se transferimi i politikës monetare në nivel europian do të ishte problematik, ndërkohë që politika financiare dhe ekonomike do t’i lihej shteteve anëtare. Dobësia e strukturës u bë e qartë gjatë krizës së euros.

Ka shumë propozime sesi të mbrohet euro në të ardhmen. Por një parakusht për zbatimin e masave  do të ishte që shtetet anëtare të amendojnë traktatet europiane dhe të transferojnë përgjegjësinë për pjesë të rëndësishme të politikës së vet fiskale dhe ekonomike drejt BE-së.

Ajo çfarë gjyqtarët gjermanë po u thonë liderëve europianë…është se vendimet për të cilat ata duhet të marrin përgjegjësi, nuk duhet t’i delegohen një trupe të pazgjedhur

shkruajti ekonomisti francez Jean Pisani-Ferry në një editorial në të përditshmen spanjolle El Pais në muajin maj.

Por qeverive u mungon vullneti dhe kurajoja për të ndërmarrë reforma reale. Për sa kohë që kjo do të jetë gjendja e punëve, çdo propozim për zgjidhjen e problemit mbetet i kotë. Është vetëm çështje kohe që konflikti të tensionohet sërish.

Burimi: Spiegel

Përkthimi: ResPublica 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.