Votuesit duhet të kishin zgjidhur një dilemë që as Gjykata Kushtetuese nuk e zgjidh dot

Postuar në 06 Korrik, 2021 14:17
Jak Simoni

 

Është një dilemë mjaft e famshme që i atribuohet filozofit të shquar mesjetar francez të sh. XIV Giovanni Buridano, sipas të cilës një gomarë në mes të dy barrëve me kashtë të njëllojta ngordh urie, sepse nuk di të zgjidhë se cila është me e madhe. Sipas kësaj dileme, vullneti për t’u venë në akt ka nevojë për gjykim, përndryshe mungon akti. Me sa duket në një dilemë të tillë është organi më i lartë i drejtësisë në Shqipëri; Gjykata Kushtetuese. Ndonëse pritem për shumë kohë me shpresë që të reformohej, kjo gjykatë, sapo filloi funksionimin e saj, papritmas gjendet në pozicionin e gomarit të Buridanit. Ajo nuk merr vendime vetë, por kërkon opinione diku gjetke; konkretisht, për zgjedhjet e fundit vendore iu drejtua Komisionit të Venecias.

Në Gjykatën Kushtetuese presupozohet se janë më të zgjedhurit e drejtësisë sonë; me karrierë të gjatë; me grada e me tituj të lartë, por ajo që ju mungon është kryesorja; d.m.th. aftësia për të marrë vendime si  në rastin e lartpërmendur. Me sa duket karriera, studimet e thelluara, vetingu nuk kanë dhënë rezultatet e duhura. Jo vetëm këtë rast, por vazhdimisht i jemi drejtuar Komisionit të Venecias. Ky komision ka rënë në hall me ne dhe po e bëjmë sa për të qeshur, sa për të qarë. Dhe kësaj here u treguam atyre se në çfarë gjendje është drejtësia shqiptare, kur dhe Gjykata Kushtetuese nuk e di se është aty për të marrë vendime.

Faktikisht drejtësia s’ka të bëjë vetëm me përgatitjen dhe me arsyen e atyre që e ushtrojnë, por dhe me ndjesinë, e cila, me sa duket mungon. Si ka mundësi që asnjërit prej këtyre anëtarëve nuk i shkoi në mendje të vendosë veten në pozicionin e një qytetari të thjeshtë apo dhe të një fshatari ndoshta dhe të pashkollë? Madje nuk do të kishte qenë turp fare, n.q.s. ndonjëri nga këto anëtar të kishte pyetur ndonjë  nga të lartpërmendurit se a kanë qenë në dilemë, kur kanë pasur dy data zgjedhjesh vendore; që të dyja nga institucione të larta të shtetit. Pikërisht kjo dilemë e qytetarëve apo fshatarëve të thjeshtë do të kishte bërë  që gjykata kushtetuese të merrte një vendim.

Jemi vërtetë në vendin e paradokseve dhe kjo që ndodhi e demonstron akoma më shumë këtë. Shqiptarët e thjeshtë pa parti politike duhet të kishin zgjidhur një dilemë; d.m.th do të kishin bërë një interpretim kushtetues (interpretim që as Gjykata Kushtetuese nuk po e bën dot, por po i drejtohet Komisionit të Venecias)  para se te drejtoheshin tek kutitë e votimit për  zgjedhjet vendore. Në vend që  kjo dilemë të përbënte një agrumet për vendimin e saj, kjo gjykatë bie vetë në dilemë. Kur as Gjykata Kushtetuese nuk di të marrë vendime, lere pastaj çfarë vendimesh marrin gjykatat e shkallëve më të ulëta.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.