Epikriza e zgjedhjeve/Në rast humbjeje, PD-në e shpëton nga shpërbërja bashkëqeverisja

Postuar në 06 Mars, 2021 14:06

Kjo pranverë po evidenton disa “paradokse” politike që në të vërtetë provojnë një dyshim të vazhdueshëm për farsën që dëshmojmë përditë. Zgjedhjet e 25 prillit po cilësohen si vendimtare, e megjithatë ne nuk po shohim fushatë elektorale që ta përligjë këtë karakterizim. Opozita zyrtare operon me dy regjistra, ndonëse ka një marrëveshje bashkëpunimi politik. Ajo bërtet, pret dhe mallkon, por nuk denoncon. Propozon dhe premton programe, por nuk bën asgjë që të justifikojë përmbysjen që pretendojnë dokumente të tillë. E ndërkohë që skandalet nuk kanë të sosur, në media kanë nisur të dalin përherë e më shumë zëdhënësit e bashkëqeverisjes pas zgjedhjeve.

Është padyshim teza dhe formula e vetme që i qëndron logjikës dhe arsyetimit politik në kontekstin e një sistemi që po jep shpirt dhe që e ka dënuar me vdekje edhe teatrin e rotacionit apo të dy palëve kundërshtare. Është një sistem që tashmë po konsumon edhe aktin e fundit të ruajtjes së aspektit formal teksa sipas të gjitha parashikimeve, Partinë Demokratike e shpëton nga shpërbërja në rast humbjeje në zgjedhje, vetëm bashkëqeverisja. Pra vetëm shpërblimi i bazës së saj dhe interesave që përfaqëson me paranë publike.

Ky është një destinacion që po i afrohet përherë e më shumë çdo parashikimi përderisa kryetari i PD-së, sot nuk po ngjan se kërkon pushtetin, por të jetë në pushtet. Operacioni që po shohim sot, me siguri i dirigjuar edhe nën mbikëqyrje të huaj, është i vetmi që ka ndonjë element strategjik në politikën shqiptare, pasi shënon një marrëveshje për të shpëtuar skemën aktuale. Ajo është një marrëveshje që shkon kundër Shqipërisë, kundër shqiptarëve, sepse është e vetmja që mund të ruajë status quonë në një vend ku ajo është problemi kryesor. Është një operacion që të kujton disi bllokimin që i është bërë në vazhdimësi idesë së fraksioneve në partitë kryesore në vend, ide e cila është trajtuar si subversive dhe jo si dëshmi e pjekurisë demokratike.

Shumëkush ka të drejtë sot të pyesë se çfarë vlere ka atëherë vota në këtë vend ku programet janë thjesht copa letre që përgënjeshtrohen që të nesërmen e zgjedhjeve? Dhe cili është vendi i një qytetari të zakonshëm në lëmin e të drejtave që mbeten teorike? Një opozitë si kjo që kemi ne për fat të keq, ka edhe një shans të fundit për të provuar se ku qëndron me interesin publik: nëse në zgjedhjet e tanishme, shumica do të kërkojë qoftë edhe një votë të vetme prej saj për të krijuar qeverinë, atëherë kushti i panegociueshëm që duhet të vihet në tryezë është që Edi Rama të mos jetë më kryeministër. Sepse siç thotë vetë, shqiptarët nuk do ta kenë votuar për ta mbajtur atë detyrë.

Ikja e këtij kryeministri heq garancitë politike për projekte ekonomike të dyshimta në këtë vend dhe është një rast i mirë për të provuar sesa e vërtetë është PD-ja me paketën e asaj anti-korrupsion dhe antimafie në kushtet kur topi mund të ngelet në fushën e saj.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.