Anafilaksia si efekt anësor, e gjithë bota me sytë nga Britania për vaksinën

Postuar në 11 Dhjetor, 2020 14:02

Britania e Madhe u bë vendi i parë që nisi vaksinimin kundër Covid-19 me vaksinën e Pfizer-BioNTech. Megjithë përparësitë që mund t’u japë britanikëve në luftën me virusin, aplikimi i vaksinës mbetet një zhvillim që vendet e tjera po ndjekin me vëmendje, sidomos për të parë efektet anësore. Kanë qenë dy rastet e anafilaksisë në Britani, për të cilat autoritete shëndetësore të vendeve të tjera janë shumë të interesuara. 

Anafilaksia është një reagim i tepruar i sistemit imunitar të trupit, të cilin specialistët e shëndetit e përshkruajnë si të rëndë dhe ndonjëherë kërcënues për jetën. Reagime të tilla alergjike janë të rralla, por në një vaksinim në shkallë të gjerë, nuk janë të pazakonta. Agjencia Rregullatore e Medikamenteve dhe Produkteve Shëndetësore të Britanisë (MHRA), në udhëzimet e shpërndara së fundmit paralajmëron në mënyrë specifike, se kushdo që ka histori të anafilaksisë nuk duhet ta bëjë vaksinën. Në Shtetet e Bashkuara, rregullatorët dhe zyrtarët e shëndetit publik po shqyrtojnë nëse do ta miratojnë vaksinën nga Pfizer dhe BioNTech dhe si rrjedhojë do të hartojnë edhe udhëzimet përkatëse.

Stephen Hahn, komisioner në Administratën e Ilaçeve dhe Ushqimit (FDA) thotë se agjencia po mëson nga përvoja britanike.

"Ne po punojmë shumë ngushtë me partnerët tanë në Britaninë e Madhe për të kuptuar se çfarë ndodhi në lidhje me ato reaksione alergjike", ka thënë ai.

Edhe Kanadaja po ndjek të njëjtën strategji. Ministria kanadeze e Shëndetësisë, e cila e miratoi vaksinën të mërkurën, tha se do të shikonte reagimet e raportuara në Britani, por shtoi se episode të padëshirueshme priten, megjithatë, ato nuk do të ndryshojnë raportet rrezik/përfitim nga vaksina.

Javën e kaluar, Agjencia Rregullatore e Medikamenteve dhe Produkteve Shëndetësore të Britanisë,  MHRA, u bë rregullatori i parë në botë që miratoi vaksinën, duke shtuar se po i shikon me përparësi raportimet mbi anafilaksinë. Një bazë e të dhënave që orienton mjekët francezë për vaksinimin vlerëson se rastet e anafilaksisë mund të jenë më pak se 1 në 100 000 doza. Megjithatë, mjekët thonë se kjo mund të ndodhë tek "çdo pacient me çdo lloj vaksine". 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.