Megavullkani i Alaskës që i dha goditjen përfundimtare Republikës Romake 

Postuar në 24 Qershor, 2020 13:01
Paul Voosen

 

Për shekuj me radhë, hija e një vullkani ka qëndruar mbi rënien e Republikës Romake. Historianët e lashtë flasin për zhdukjen e mistershme të Diellit pas vrasjes së Jul Çezarit në vitin 44 para Krishtit, që u pasua nga një peridhë moti të ftohtë dhe pa prodhim bujqësor. Tani, një ekip shkencëtarësh dhe historianësh ka zbuluar se një nga shpërthimet më të mëdha të njohura në histori ishte ai i vitit 43 para Krishtit — çka potencialisht çoi në dy vjet mot të pazakontë dhe uri, ndërsa republika u shpërbë dhe mori formë perandoria.

Qielli i errët pas vrasjes së Cezarit në Ides të Marsit ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga një shpërthim i i vogël në malin Etna. Por në fillim të vitit pasues, në janar ose shkurt, vullkani Okmok i Alaskës në Ishujt Aleutianë shpërtheu, duke formuar një krater gjigant 10 kilometër. Pozicioni në veri i vullkanit nënkupton që grimcat e ngritura në qiell që bllokojnë rrezet e diellit, mund të jenw ngritur në pjesën e poshtme të stratosferës arktike, ku ato do të përhapeshin me lehtësi në të gjithë hemisferën veriore, raportojnë studiuesit në një studim të ri, të botuar në “Proceedings of the National Academy of Science”. "Mund të themi pa diskutim se ky shpërthim vullkanik gjeneroi motin ekstrem", thotë Joseph McConnell, një glaciolog në Institutin e Kërkimeve mbi Shkretëtirën dhe autori kryesor i studimit.

Nëse shpërthimi pati ndikim direkt në mungesën e ushqimit dhe kufizime të tjera, mund ta ketë ndihmuar Perandorinë Romake të konsolidonte kontrollin e saj, thotë McConnell. "Republika mori fund përgjatë dy viteve të klimës ekstreme", thotë ai. "Është një rastësi e mundshme, edhe pse duket paksa e pagjasë”.

Disa studiues janë skeptikë dhe tregojnë se republika ishte në rrugën drejt fundit shumë përpara shpërthimit vullkanik. Cezari kaloi Rubikonin në vitin 49 para Krishtit, duke përshpejtuar luftën civile romake. 5 vjet më vonë, ai u emërua perandor i përjetshëm. "Problemet që lidheshin me republikën ishin politike, të thella, kishte një luftë midis anëtarëve të elitës, jo një revolucion popullor ose një krizë ekzistenciale", thotë Guy Middleton, arkeolog në Universitetin Charles. Dhe, megjithëse data dhe identifikimi i shpërthimit duken të padiskutueshme, provat që mbështesin ndikimin klimatik të vullkanit janë më të mjegullta, veçanërisht për Mesdheun, thotë Kevin Anchukaitis, paleoklimatolog në Universitetin e Arizonës . "Nga të dhënat e pakta që kemi, historia lokale për klimën mund të jetë pak më e komplikuar".

Grimcat e sulfatit që bllokojnë dritën janë gjetur në shtresat e thella të akullit në Groenlandë. Ato flasin për një shpërthim të madh të ndodhur rreth kësaj kohe, por vendndodhja dhe koha e saktë e tij ishte një mister. Ekzaminimet e kryera nga ekipi i McConnell gjetën gjurmë të një shpërthimi të njohur indonezian në vitin 1257 të erës tonë. Ekipi gjeti gjurmë të qarta të squfurit që i përket vitit 43 para Krishtit. Matjet e izotopeve të squfurit sqaruan gjithashtu se grimcat ishin ekspozuar ndaj rrezatimit ultravjollcë në stratosferë, ku ato mund të jenë përhapur dhe kanë qëndruar për shumë muaj ose vite para se të ktheheshin sërish në Tokë.

Sërish në shtresat e akullit, studiuesit gjetën 35 copa të asaj që njihet si qelqi vullkanik. Ata e krahasuan përbërjen e tyre me gjurmët gjeokimike të vullkaneve që dihej se ishin aktive në atë kohë. Shpesh, ato nuk përputheshin në mënyrë të tillë që të çonte në një konkluzion të qartë. Por këtë herë, vetëm Okmok, një vullkan që mbetet aktiv edhe sot, mund të ishte shpjegimi. "Grimcat e vogla të këtij qelqi në akull janë një provë e fortë", thotë Siwan Davies, gjeograf në Universitetin Swansea, që nuk ishte i përfshirë në studim.

Shkencëtarët më pas simuluan shpërthimin në një model klimatik – disa prej tyre mendojnë se ekzagjeron efektin e ftohjes nga shpërthimet - dhe zbuluan se aerosolet mund ta kenë ftohur Evropën Jugore dhe Afrikën Veriore deri në 7°C. Ekipi kërkoi prova të tjera për këtë dhe zbuloi se Skandinavia dhe Amerika e Veriut tregojnë ftohje të qartë në vitin 43 dhe 42 para Krishtit. Por në Alpe vihet re një prirje për ulje temperaturash që ka nisur 10 vjet para shpërthimit, me vitin 45 para Krishtit si më i ftohti, thotë Anchukaitis. "Nëse ne tentojmë ta lidhim historinë e Republikës Romake me klimën dhe vullkanet, na duhen më shumë nga këto regjistrime", thotë ai.

Ajo që ekziston janë dokumente historike. Letra nga Cicero, burrështetas romak, vdekja e të cilit në vitin 42 para Krishtit konsiderohet si fundi simbolik i republikës, përmend motin e ftohtë rreth kohës së shpërthimit. Burime të tjera dokumentojnë krizën e urisë në veri të Italisë në prill të atij viti, dhe në Greqinë veriore vitin tjetër. Plutarku, biografi i famshëm romak, shkroi që burrat në ushtrinë e Mark Antonit u përballën me mungesën e tmerrshme të ushqimit në prill të vitit 43 para Krishtit dhe u duhej të hanin fruta të egra, rrënjë dhe lëvore pemësh. Historiani Appian shkruan se Roma ishte shkatërruar nga uria në vitin 42 para Krishtit.

Kriza të mungesës së ushqimit u panë në Egjipt, dhe madje, mund të spekulohet se pikërisht ato e dobësuan Egjiptin, çka i krijuar kushtet Oktavianit, pasardhësit të Cezarit, ta pushtonte dhe të solidarizohej me perandorinë e porsalindur, thotë Joseph Manning, historian në Universitetin Yale. "Sfida nuk është të jesh dramatik më shumë seç duhet", thotë ai.

Sepse edhe me këtë event me potencial të madh të ftohjes së motit, shoqëria mesdhetare nuk ra, thotë Manning. Ky nuk është përcaktues mjedisor. "Është më komplekse sesa kolapsi ose rezistenca", thotë ai. Disa njerëz e menaxhuan mirë, të tjerë ishin të dobët. Përgjigja është rajonale dhe e mprehtë - dhe potencialisht, shton ai, një studim i përsosur për mënyrën sesi njerëzimi sot do t'i përgjigjet klimës në ndryshim e sipër.

https://www.sciencemag.org/news/2020/06/alaskan-mega-eruption-may-have-helped-end-roman-republic?fbclid=IwAR2FLNNVoM_bNHBV53P5iSPdymdnEDK-_VFzqCnPs9GK1uteQILQ3T-88ok

Përktheu: Gazmira Sokoli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.