Koha për monumente të Gazetarit të Panjohur

Postuar në 14 Qershor, 2020 16:55
Shaptilografisti

 

Racist dhe përdhunues.

Këto fjalë janë shkruar mbi bustin e gazetarit të njohur italian, Indro Montanelli, bust i cili gjendet në Milano. Mbi të janë hedhur edhe disa shishe bojë e kuqe.

Incidenti evokon një episod me ngjyra koloniale nga jeta e Montanellit kur ai gjatë ekspeditës italiane në Abissini bleu një 13 vjeçare si gruan e vet dhe përkon me valën e protestave pas vrasjes së George Floyd. Një protestë e pazakonshme përkundrejt një përkujtimoreje të një gazetari. Një gazetar që bëri emër dhe njofton me qenien e tij aty një kohë kur ky profesion kishte vlerë për mbarë shoqërinë.

Një vlerë të vërtetë informuese, kritike, por edhe një vlerë për kujtesën e shoqërisë. Ndaj monumenti i Montanellit është unik dhe celebron ndër të tjera edhe një raport të dikurshëm të shoqërisë me informacionin dhe analizën publike të tij, me kërkesën për transparencë dhe kontroll ndaj pushtetit. Celebron një kohë kur mbzotëronte dëshira morale për të mësuar, e cila sot është shndërruar në ngacmim kurioziteti dhe dispozitë për gjullurdi verbale në internet. Incidenti I bën jehonë një momenti emotive të kohës që jetojmë, por tradhëton impotencën e protestave të ditëve tona që udhëhiqen nga aspekti performativ të një huliganizmi të butë, (anti)simbolik, e që pasqyron të njëjtin vallëzim pervers të cilit i kundërvihet: atij të politikës së konsumit të lajmeve, të statuseve në rrjete sociale, të instagramit dhe aparencës.

Është një pervertim eksponencial që e çon  një zeje kaq të rëndësishme si politika drejt cekjes sa më sipërfaqësore të problemeve, sa më tangenciale e ku suksesi matet me pëlqime virtuale. Edhe suksesi i protestave po matet me aftësinë infektive që ato krijojnë fillimisht në rrjetet sociale. E quajnë një lloj gazetarie edhe këtë, por e cila riprodhon, nuk kundërshton apo analizon. Një gazetari që nuk ka më krizën e lajmit, por që synon të tubojë dixhi-tirazhe me kundërpozimin e vet ndaj politikës.

Gazetaria e sotme, kjo e rrjeteve sociale, apo ajo që rend pas saj, është një lloj partie e tipit të ri që mëton të zgjerojë pushtetin mbi vendimmarrjen, duke arritur një farë xhornalizimi të politikës.Në fund të fundit, na është thënë shpesh se Politika është Kurvë. Mirëpo siç thotë një kolege shqiptare, Gazetaria është Shkërdhatacion dhe tanimë këto të dyja shkojnë kaq mirë bashkë dhe e plotësojnë kuadrin e kohës që e përjetojmë dixhitalisht. Këtu qëndron një tjetër vlerë e bustit të Montanellit: kujton një kohë heroike të profesionit. Ne sot kemi nevojë ta përjetojmë të vërtetën e kohës që jetojmë, ndaj na duhen buste të Gazetarit të Panjohur, siç edhe na e kërkon nevoja e anonimizimit të atij që shkruan në lumin e pandalshëm të informacionit që gjenerohet për çdo çast.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.