Gaboi tani, gaboi edhe më 1918-ën me Gripin Spanjoll

Postuar në 05 Qershor, 2020 15:05

Revista e njohur mjekësore, “The Lancet” është detyruar të tërheqë një studim të publikuar prej sipas të cilit përdorimi i hidroksilklorokinës për të prekurit nga koronavirusi shton rrezikun e vdekjeve. Në studim përcilleshin disa statistika dhe nënvizohej efekti anësor i medikamentit antimalarik që lidhet me aritminë. Studimi ka analizuar 96 mijë të dhëna pacientësh dhe kjo çoi që edhe OBSH-ja të rekomandonte tërheqjen e medikamentit, por ai u kundërshtua nga komuniteti i mjekëve në mbarë botën.

Autorët e studimit, Menadeep Mehra i Harvardit dhe Frank Ruschitzka i universiteti i Zyrihut dhe Amit Patel nga Utah, kanë deklaruar se ishin përpjekur që studimi i tyre të redaktohej nga palë të treta, por Surgisphere, një kompani e panjohur e analizës së të dhënave shëndetësore në Çikago, që ofroi të dhënat, ka refuzuar të bashkëpunojë me redaktorët. Për rrjedhojë autorët kanë tërhequr studimin.

Ky është një zhvillim që dëmton rëndë imazhin e një reviste si “The Lancet” dhe vetë komunitetin e kërkuesve që po duket se janë në garë për të kapur fonde, përpara sesa të gjejnë një kurë për sëmundjen. Është ironike që revista në fjalë është përfshirë në një incident të ngjashëm edhe gjatë pandemisë së Gripit Spanjoll të vitit 1918. Ngjashmëria është dramatike. Sipas raportimeve të kohës dhe rindërtimit të skenarit epidemik, gripi spanjoll nisi lehtë, me një “valë pranverore”. Shenjat ishin aq të lehta saqë disa shkencëtarë menduan se as nuk kishin të bënin me një grip.

Mjekët britanikë rikonfirmuan në “The Lancet” një konkluzion të kolegëve italianë se “sëmundja febrile nuk është grip” për shkak se simptomat ishin shumë të shkurtra, pa relaps dhe komplikacione.

Mirëpo nga ky konkluzion që fiton autoritet në një revistë si “The Lancet”, nuk kaluan veçse pak javë kur vala e dytë do të godiste mbarë globin për t’u shndërruar në një nga pandemitë më vdekjeprurëse në historinë e njeriut. Gabimi i vitit 1918 lidhet me një virus të ri, gabimi në artikullin e tanishëm(qoftë edhe metodik) lidhet me përdorimin e një medikamenti të vjetër kundër një virusi që është edhe ky i ri. Problemi shtohet kësaj radhe sepse në kurthin e një artikulli të një reviste bie një institucion me autoritet global si OBSh, e cila nuk mund t’i lejojë vetes të kërkojë zyrtarisht tërheqjen e hidroksilklorokinës pa u bindur mirë dhe me prova, kur ajo u është rekomanduar mijëra e mijëra pacientëve në mbarë botën.

Aq më tepër ku ky medikament është i rekomandueshëm si profilaktik për ata që udhëtojnë në zona malarike. E keqja në këtë rast shtohet kur sheh se urgjenca e tërheqjes lidhej me kombinimin e medikamentit me një antibiotik, ndërkohë që pneumonia nuk mund të trajtohet ndryshe veçse me këtë protokoll(antibiotik).

Ky incident është domethënës sepse i shtohet serisë së incidenteve që vijnë nga një lloja gare për fonde dhe burokracie në komunitetin shkencor dhe institucionet përgjegjëse. Në Itali p.sh u njoftua se rekomandimi masiv për përdorimin e azitromicinës dhe hidroksilklorokinës për pacientë që nuk ishin nënshtruar një terapie intensive u bë nga mjekë të familjes. Sepse një mjek nuk mund ta lëjë një njeri pa trajtim për shkak të një urdhërese. Ndërkohë që zbulimi se CoVid-19 provokonte vdekje nga tromboza embolike u bë nga mjekët italianë pas autopsive të viktimave që besoheshin se kishin vdekur nga pneumonia dhe në kundërshtim me një urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë që ndalonte autopsitë.

Është edhe një herë shembulli i qartë se heronjtë e vërtetë të situatave si këto janë pa fytyrë, janë ata që guxojnë në emër të vullnetit të mirë për të ndihmuar duke na provuar se autoritetet kanë diçka të rreme në shfaqjen e tyre.

ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.