Çdo gjë mund të restaurohet dhe rikonstruktohet, vetëm Teatri JO!

Postuar në 16 Maj, 2020 15:02

Sot ka shktruajtur për Teatrin Kombëtar, Blendi Gonxhja, ish-nënkryetar I Bashkisë së Tiranës në kohën e fasadave në kryeqytet. Ndër të tjera z. Gonxhja – që thekson se opinioni I tij është krejt personal dhe jo në emër të ndonjë detyre – shkruan:

Mjafton një filmim/foto të ngrehinave aktuale, një demo e projektit të ri dhe një prezantim të plotë të projektit për t’a kuptuar se sa shumë përfiton institucioni i Teatrit Kombëtar dhe se sa dëm po i shpenzojmë energjitë tona. Teatri i ri s’do jetë disfata e askujt, por tempulli më i ri i artit skenik për Tiranën! Bashkia duhet të jetë faktor përafrimi me komunitetin, ky rol e bën aksionerin publik më me rëndësi! Le t’i thërrasim arsyes, edukatës, argumentave, të mos “vrasim” NUSEN se nuk qenka e virgjër! Të emancipohemi!

Të na ndjejë zotëria, por as shënimi i tij nuk argumenton se përse ndërtimi i një teatri të ri duhet me patjetër të kushtëzohet me prishjen e godinës së teatrit aktual. Ëstë e vërtetë që teatri i tanishëm është degraduar, por kjo është përgjegjësi edhe e z. Gonxhe dhe z. Rama që kur drejtonin Ministrinë e Kulturës(Rama) apo Bashkinë, pikërisht sepse donin prishjen nuk hodhën ndonjë investim për rikonstruktim. Por ai nuk është në gjendje të paktyeshme. Në asnjë mënyrë. 

Në këtë rast mund të sjellim dy analogji. Së pari analogjia e rikonstruksionit të godinave të ministrive në bulevardin qendror të Tiranës. “Kthim në identitet” e quajti z. Rama projektin e tij asokohe. Dhe cili ishte ky identitet? Identiteti I dhuruar nga Italia e kohës së Musolinit. Ta lëmë mënjanë këtë lajthitje për të cilën edhe mund të debatohet, e të pyesim z. Gonxhe dhe z. Rama se përse u ndërhy në godinat e Ministrive? Apo edhe në godinën e Kryeministrisë të cilën siç na tha z. Rama e rikonstruktuan disa miq. 

Zoti Gonxhe mund të ketë opinionin e tij të respektueshëm, po përlavdërimi i projektit të ri nuk shpjegon pse duhet prishur godina ekzistuese, e cila patjetër që mund të rikonstruktohet. Rasti i dytë është shtëpia e Myslym Pezës në Pezë, ose shtëpia e Konferencës. Shumëkush mund të kujtojë kur gjatë gjoja grevës së urisë në bulevard, ish-kryeministri Berisha tentoi të bllokonte shtëpinë në Pezë që është në pronësi të Dashamir Pezës. Argumenti që u dha atëherë ishte se në kohën e z. Rama ministër i Kulturës ishte bërë klasifikimi si monument i shtëpisë, e në këtë kuadër ishte restauruar e gjitha, për ta nxjerrë mandej nga klasifikimi në fjalë e për t’ia dhënë Dashamir Pezës. Pra kemi restaurime e restaurime. Vetëm godina e Teatrit nuk mund të restaurohet. 

Njerëz si z. Gonxhe kanë nisur të flasin për pajtim, për ulje tensionesh, ndërkohë që nga ana tjetër kemi shpërfilljen se aty në protestë janë 3-4 veta. Inkoherenca e promotorëve të prishjes është e dukshme dhe qartë. Ne mund të rrimë gjithë jetën të sjellim argument pas argumenti, provë pas prove dhe nuk kemi për të mbushur mendjen e njëri-tjetrit për ndonjë gjë sepse i gjithë diskutimi nga pushteti ngrihet mbi premise të rreme. Dhe një nga këto është se Teatri nuk vlen, se ai nuk mund të restaurohet bashkë me firmat e ekspertëve dhe aty që për çudi po dalin në plate me një dedikim të pashoq për rolin që ua kanë dhënë ose e kanë pranuar nën efektin e turbullimit nervor, apo diçkaje tjetër.

Mund ta prishni sepse keni pushtetin, por mos na bëni leksione për vlerën. Është një lajm shumë i mirë që Tirana është ndarë më dysh për një objekt si Teatri, sepse është një katharsis shumë i dobishëm në raport me konsensusin naiv dhe budalla për fasadat e z. Rama dhe z. Gonxhe që për fatkeqësinë e të gjithëve dhe injorancën e një qyteti, krijuan karriera politike kaq të dëmshme.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.