Presidenti duhet të bëjë atë që thotë. Përndryshe është komandant i llafeve

Postuar në 06 Mars, 2020 14:13

Presidentit të Republikës duket se i kanë ngritur një kurth. I kanë publikuar një letër që ky i ka dërguar Komisionerit për Zgjerimin Oliver Varhelyi, përmes së cilës vlerëson situatën e krijuar në vend me Gjykatën Kushtetuese. Mediat që e nxorën letrën shkruajnë se Meta aty kërkon që Komisioni Europian të rishikojë raportin pozitiv sepse vendi nuk plotëson kushtet.

Kaq ka mjaftuar që kopeja e gazetarëve pro qeverisë të thjeshtojë në një fjali të vetme letrën: Meta është kundër Integrimit. Sot z. Meta ka dalë që të sqarojë si është puna, por duke bërë kështu ka zgjeruar rrethin e kurthit me një të dytë, kur duke besuar se për shqiptarët hapja e negociatave ka ndonjë vlerë, kërkon të thotë se letra ka tjetër synim nga sa paraqitet.

A i druhem unë të vërtetës që kam 3 vjet që po ua them ju qytetarëve të Shqipërisë, gjithë përfaqësuesve ndërkombëtarë që vinë këtu, mazhorancës, qeverisë, opozitës, që kam bërë çdo gjë që Shqipëria 1 minutë të mos rrinte pa Gjykatë Kushtetuese, i dinë përpjekjet e mia dhe kush e minoi, dhe të mos ndjejnë përgjegjësi për këtë situatë ata që  e kanë shkaktuar? E ka shkaktuar vetë mazhoranca që tani do të kapë Gjykatën Kushtetuese, pa të cilën nuk ka bashkëjetesë paqësore në këtë vend, sepse nuk ka më arbitër. Pse të mos i druhen ata të tjerët nga ana e ndërkombëtarëve që nuk i janë përgjigjur paralajmërimeve të presidentit? Kush është përgjegjësia e presidentit këtu? Ka vetëm një interes, pushtet absolut dhe për të minuar interesat kombëtare

tha ndër të tjera Meta.

Nga gjithë kjo përrallë patriotike mbetet vetëm një e vërtetë: Pa Gjykatë Kushtetuese nuk ka bashkëjetesë paqësore. Kjo vlen për të gjithë dhe I intereson thuajse të gjithëve.

Ndaj përtej këtyre sforcove të kota me flamur dhe shqiponjë, presidenti që thotë gjëra të tilla nuk ka nevojë të sqarojë letrat që dërgon nëpër botë, por të bëjë atë që thotë: Të imponojë rivendosjen e balancës së pushteteve. Me çdo mjet. Kështu do të bënte një shërbim për vendin, por do qetësonte edhe veten. Përndryshe do katandiset përherë e më shumë në një llafazan që kërkon pazarin e radhës, që lyp e mandej nuk e dëgjon kush.

Akuzat se ai punon kundër vendit janë boshe. Ka arsye të shëndosha që bëjnë të besosh se Edi Rama, Ilir Meta, Lulzim Basha e duan më shumë se ne Shqipërinë. Dhe një nga këto arsye është se ata u bënë miliarderë në këtë vend. Pse të mos e duan atë. Ndaj pak sakrificë në bulevard, me mjete të ftohta dhe të nxehta nuk ia prish kujt rutinën.Përndryshe të ikë para se ta shndërrojnë edhe atë institucion në treg të rrobave të përdorura. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.