Strasburgu i hap dritën jeshile kthimit të emigrantëve

Postuar në 16 Shkurt, 2020 13:24

Gjykata e Strasburgut i ka dhënë të drejtë Spanjës për kthimin e emigrantëve mbrapsht. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka shqyrtuar rastin e emigrantëve N.D. dhe V.T., të cilët janë dëbuar nga Spanja në Marok. Rasti i dy emigrantëve në fjalë i përket shkurtit 2015 dhe është mbështetur nga Qendra Evropiane për të Drejtat Kushtetuese dhe të Njeriut. Kjo është hera e parë që GJEDNJ merr në shqyrtim një rast të kthimit të emigrantëve.

"Në vend që të dënojë Spanjën për dështimin e detyrimeve të saj për të drejtat e njeriut, gjykata po injoron prova nga të gjitha institucionet e të drejtave të njeriut. GJEDNJ po mohon të gjitha të drejtat për refugjatët dhe migrantët. Vendimi injoron plotësisht realitetin në kufijtë evropianë dhe veçanërisht situatën e atyre që vijnë nga Afrika Subsahariane në kufirin Spanjë-Marok. Për më tepër, ky vendim do të merret si referencë për kthime të dhunshme kudo në Evropë”, tha Wolfgang Kaleck, sekretari i përgjithshëm i Qendra Evropiane për të Drejtat Kushtetuese dhe të Njeriut.

Avokatët mbrojtës të dy emigrantëve Carsten Gericke (Hamburg) dhe Gonzalo Boye (Madrid), thonë se "GJEDNJ jo vetëm që pranon konceptin e Spanjës për një zonë kufitare pa ligje, por krijoi një doktrinë të re që mund të zbatohet për çdo rast: kushdo që vendoset në një situatë të paligjshme nuk mbrohet nga të drejtat e njohura në konventë", thonë ata.

Qendra Evropiane për të Drejtat Kushtetuese dhe të Njeriut pretendon se emigrantëve nga Mali dhe Bregu i Fildishtë nuk iu dha e drejta e një procesi të rregullt dhe as mundësia për të kundërshtuar dëbimin e tyre. Ndërsa, GJEDNJ, sqaron se rasti ka të bëjë me kthimin e menjëhershëm në Marok të dy shtetasve, njëri nga Mali dhe tjetri nga Bregu i Fildishtë, të cilët më 13 gusht 2014 u përpoqën të hynin në territorin spanjoll në një mënyrë të paautorizuar duke kaluar gardhin përreth enklavës spanjolle të Melilla-s në bregdetin e Afrikës së Veriut.

Gjykata konkludon se pala paditëse, pra emigrantët, “në fakt janë futur me vullnetin e tyre në një situatë të paligjshme, kur kanë provuar me dashje të hyjnë në Spanjë më 13 gusht 2014 strukturat mbrojtëse të kufirit në Melilla, si pjesë e një grupi të madh dhe në një vend të paautorizuar, duke përfituar edhe nga numri i madh i emigrantëve dhe përdorimi i forcës. Ata kanë zgjedhur kështu që të mos përdorin procedurat ligjore që janë në fuqi për të hyrë në territorin spanjoll në mënyrë të ligjshme.

Për rrjedhojë, gjykata konsideron se, mungesa e vendimeve individuale të ndalimit mund t'i atribuohet faktit se aplikantët - duke supozuar se ata kanë dashur të mbronin të drejtat sipas Konventës - nuk i kanë përdorur procedurat zyrtare të hyrjes në vend, dhe në të tilla kushte, kthimi mbrapsht është pasojë e sjelljes së tyre.

Për aq sa konstatohet, mungesa e një procedure individuale për kthimin e tyre ka ardhur si pasojë e sjelljes së vetë aplikantëve dhe gjykata nuk mund ta bëjë shtetin e Spanjës përgjegjës për mungesën e një zgjidhjeje juridike në Melilla, që i lejon dy emigrantët të kundërshtojnë vendimin për t’u kthyer në vendin e tyre.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.