Heshtja me kaq vlerë për të gjithë

Postuar në 14 Janar, 2020 17:35

Pas një kohe relativisht të gjatë për standardet e veta të komunikimit, ka reaguar sot ambasada amerikane në Tiranë. Përmes një njoftimi në Facebook ajo përshëndet tryezën e dialogut mes palëve. Thuhet në deklaratë:

Ne përshëndesim palët që ranë dakord të punojnë së bashku për reformën zgjedhore, një hap i rëndësishëm për të trajtuar plotësisht rekomandimet e ODIHR-it. Reforma do të mbështesë procese zgjedhore të efektshme dhe të besueshme dhe do të forcojë demokracinë shqiptare. Ne shpresojmë që palët të vijojnë të ecin përpara me këtë frymë aktuale bashkëpunimi, për t’u siguruar që zgjedhet në Shqipëri të jenë të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni

Një zyrtar më i lartë sesa këta të ambasadës që autorizojnë deklarata të tilla na tha para votimeve të 30 qershorit 2019, se të hyhet në zgjedhje njëherë, pastaj pretendimet i zgjidh Gjykata Kushtetuese.

Muajt ikën dhe nga ato votime me certifikatë ambasade ka mbetur vetëm lajmi se nga Shkodra, në Vaun e Dejës, në Vorë e Mallakastër kanë dalë probleme ligjore.

Muajt kanë ikur dhe kushdo nuk mund të mos vërë re se nuk ka një këshillë, një sugjerim, një urdhër apo kërkesë e ardhur nga kjo ambasadë që t’I ketë shërbyer këtij vendi. Që të ketë ndihmuar sadopak ecurinë normale të tij. Kemi parë ambasadorë që kërcënojnë deputetë me sms – problem i yni ky patjetër – kemi parë një ambasador që feston një reformë personale, kemi parë një ambasador që shpreh dashurinë e SHBA për popullin shqiptar që po ecën në retro prej disa kohësh.

Ndoshta kjo është një sjellje tipike e një selie diplomatike të akredituar në një vend tjetër, të ruajë marrëdhënie të mira me pushtetin. Dhe SHBA këtë ka bërë kudo dhe kurdoherë. Axhendat e saj pro-opozitare kur janë vënë në lëvizje nuk kanë marrë parasysh asnjëherë zgjedhjet dhe vlerën e tyre. SHBA e pagëzoi prezencën e saj në Shqipëri me mbështetjen hapur të opozitës së vitit 1991, duke thyer çdo kod diplomatik. Sigurisht që në Shqipëri nuk arrestohen diplomatët që mbështesin protestat, as edhe dëbohen. Ata dekorohen dhe shpallen qytetarë nderi.

Sot ambasada ka dalë me një shqetësim dhe urim për dialogun që do të mundësojë zgjedhjet e ndershme. Të cilat i kanë legjitimuar po vetë. Mirëpo sot ai që komandon këta diplomatë të një ambasadë në një vend të humbur të botës, që ka vlerë për strehimin e disa opozitarëve iranianë, as nuk i ka shumë merak zgjedhjet. Në krye të këtij vendi qëndron dikush që është më praktik sesa e kërkon dogma e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, frazë e shndërruar në eufemizëm për zgjedhjen e atyre që “duam ne”.

Ndaj nëse sot ka një shenjë të mirë është heshtja e gjatë e kësaj ambasade që ndoshta ka kuptuar se mund të diktojë shumëçka në këtë vend, por nuk e kompenson dot legjitimitetin e klasës politike shqiptare që mban vetë prej vitesh si marionetë. Dhe për këtë duhet ta falenderojmë duke i kërkuar që ta zgjasë edhe më shumë heshtjen e vet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.