Sekreti, më i rëndësishëm se mbrojtja në Gjykatën e Krimeve në Hagë*

Postuar në 05 Janar, 2020 00:41
Dr. Yaacov Lozowick - Arkivi i Izraelit(2011 - 2018)

 

Në korrik 2002, Forcat Izraelite të Mbrojtjes vranë një zyrtar të lartë të Hamasit, Salah Shehadeh, duke hedhur një bombë 1 tonëshe në godinën ku ai po flinte. Bashkë me të u vranë gruaja me vajzën, një tjetër luftëtar i Hamasit dhe 13 njerëz të pafajshëm që po flinin në godinat ngjitur. 
Në shtator të vitit 2003, një avion i forcave ajrore lëshoi një bombë 250 kg një një shtëpi ku ishin mbledhur shumë liderë të Hamasit. Bomba shkatërroi dy katet e sipërme, por të gjithë anëtarët e Hamasit shpëtuan pasi ishin në katin përdhe.

Disa prej atyre që mbijetuan u vranë më pas – mes tyre Ahmed Yassin dhe Abdel Aziz Rantisi – por me ta ishin edhe njerëzit që sot drejtojnë Hamasin: Mahmoud a-Zahar dhe Ismail Haniyeh, si dhe Mohammed Deif, komandant i krahut ushtarak të organizatës. Dikush mesa duket vendosi që të mos përdorte një bombë një tonëshe. 
Tani së afërmi, në mars 2018, përgjatë kufirit me klon mes Izraelit dhe Rripit të Gazës plasën protestat. Me kalimin e kohës, numri i të vrarëve mes palestinezëve që protestojnë ende sot ra, pasi sipas mediave, Forcat Izraelite zëvendësuan snajperat me armë që kanë potencial të redukuar neutralizimi fizik.

Nuk ka nevojë të jesh një ish – arkivist për të kuptuar se në Forcat e Mbrojtjes(FIM), Ministrinë e Drejtësisë, Zyrën e Kryeministrit dhe gjetkë, gjenden shumë dokumente rreth mënyrës sesi Izraeli menaxhon luftërat e veta. Ato përfshijnë diskutime të parimeve, plane operacionale, raportime, regjistrime operacionale, hetime, përfundime që nxirren, formul procedurash dhe direktiva të përditësuara. Ka po ashtu edhe opinione ligjore dhe vlerësime diplomatike. 

Në rastin e vrasjes së Shehadeh, ngjarjet u ekzaminuan nga një komitet i drejtuar nga një ish-anëtar i Gjykatës Supreme, Tova Strasberg –Cohen dhe gjetjet kryesore të saj u publikuan. Ato mund të shqyrtohen në faqen online të Zyrës së Kryeministrit. Raporti citon nga një dyzinë dokumentesh të vëna në dispozicion të komitetit me kërkesë të tij. 

Për pasojë pati një ndryshim në politikën e paralajmërimit para sulmit mbi ndonjë godinë – një ndryshim që përfshinte krijimin e teknologjive të reja dhe një modus operandi të re, mënyra të ndryshme për trajnimin e oficerëve dhe  ushtarëve, hetime të thelluara post-operacionale dhe kështu me radhë. Si FIM ashtu edhe organizatat asociuar me të, janë mjedise ku njerëzit mendojnë dhe flasin rreth asaj që bëjnë dhe prodhojnë kështu një gjurmë të gjatë dokumentacioni. 
Njësoj si këto dokumente i interesonin komitetit Strasberg-Cohen, ashtu do t’i interesojnë edhe Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve në Hagë, nëse ajo më në fund do të vendosë të hapë një hetim rreth krimeve potenciale të luftës të kryera nga Izraeli. 

Duke supozuar se kjo është një gjykatë profesionale dhe jo një klub që synon të godasë Izraelin, sikurse Komitetit për të Drejtat e Njeriut i OKB-së, mund të prezumohet se ajo do të operojë me mjete juridike, udhëhiqet nga ligjet e provave dhe të marri në shqyrtim edhe qëllimet, çka juristët e quajnë mens rea. Në një seancë dëgjimore të udhëhequr nga parime të tilla, një shtet “që qëllon në çdo drejtim” pa marrë në konsideratë rezultatet nuk supozohet që të trajtohet po njësoj si një shtet që në mënyrë të vazhdueshme ekzaminon sjelljen e vet, që bën më të mirën për të shmangur ganimet dhe siguron mekanizma të përshtashëm me synim përmirësimin dhe adaptimin e vazhdueshëm ndaj një realiteti në ndryshim. 

Ka nga ata që do të thonë se çdo instancë e përdorimit të forces ushtarake nga Izraeli është e papranueshme. Të tjerë do të thonë se nëse Izraeli do të përpiqej të arrinte me kokëfortësi paqen, përdorimi i dhunës ushtarake do të bëhej i panevojshëm dhe se kjo e fundi është krejtësisht imorale në mungesën e përpjekjes së Izraelit në arritjen e paqes. Këto janë pohime morale radikale që e bëjnë diskutimin mbi drejtësinë e sjelljes ushtarake të Izraelit të pavlerë dhe ato nuk mund të kundërshtohen në kuptim të dokumenteve. 

Këto nuk mund të vlejnë si qasje e gjykatës në Hagë, pikënisja e së cilës, së paku në pamje të parë, është pohimi se shtetet kanë të drejtën të përdorin forcën për mbrojtjen e disa interesave me kushtin që të veprojnë në bazë të ligjeve. Duhet pranuar se Izraeli, me refuzimin e vendosur për të mos zbardhur dokumentet e veta para ndonjë trupe ndërkombëtare, është duke ndihmuar vetë organizatat që ta kritikojnë atë. E lë fushën hapur për organizatat që janë të lumtura të merren vetëm me përshkrimin e rezultateve të betejave të Izraelit: nëse Izraeli qëlloi dhe civilët palestinezë u lënduan, kjo është provë se Izraeli donte të lëndonte dhe vriste – post hoc, ergo propter hoc. 

Për ata të cilët emri i mirë i shtetit të vet është i rëndësishëm, munden vetëm të ndihen të frustruar që Izraeli mban të kyçura dhjetëra - mijëra dokumente arkivore që mund të paraqisnin një fotografi të qartë dhe të pastër të sjelljes së tij. Është e vërtetë, një deklasifikim liberal i dokumenteve nuk do ta portretizonte Izraelin si një model të virtytit. Piktura që vjen nga arkivat është komplekse, mbushur me nuanca gri. Por një shumicë nuancash gri janë të preferueshme ndaj të zezës. 

Sa të paarritshme janë këto dokumente? Ekstremisht të paarritshme. Ligji për Arkivat i vitit 1955 përcakton se të gjithë regjistrat zyrtarë do të happen me të mbaruar një periudhë e parashikuar, përveçse në raste të veçanta, por rregulloret e miratuara nga burokratët e kanë kthyer këtë kokëposhtë: gjithçka është bërë rast i veçantë, me paracaktim çdo gjë duhet të mbetet e klasifikuar. 

Materiali nga establishmenti i mbrojtjes është i vulosur për 50 vjet – dy breza. Edhe në fund të kësaj periudhe, shumica e tij nuk do të deklasifikohet, edhe përkundrejt kërkesëve specifike. Vetëm së fundmi, burokracia luftoi që të mos lejonte hapjen e dokumenteve të “Saison”(i ashtuquajturi Sezon Gjuetie i 75 viteve më parë, pra përpara establishmentit shtetëror, që ka të bëjë me përpjekjet e milicisë zyrtare Haganah për të shtypur aktivitetet anti-britanike në Irgun); nga Lufta e Pavarësisë dhe nga masakra e Kafr Qasem e 63 viteve më parë(kur trupat izraelite qëlluan mbi rezidentë të fshatit Kafr Qasem që nuk e dinin se me fillimin e Luftës së Sinait kishte hyrë në fuqi një gjendje shtetrrethimi). 

Disa materiale mbahen me të drejtë të klasifikuara. Dokumente që kanë të bëjnë me mbledhjen e informacionit, apo me metodat e mbikëqyrjes së terroristëve kryesorë, zbulimi i të cilave do të ndihmonte palën tjetër që të ndërmerrte veprime për të shpëtuar. Gjithësesi, ky klasifikim i kufizuar dhe specifik prej kohësh është kthyer në një precedent për klasifikimin e përgjithshëm – në çdo drejtim, të thellë dhe të përhershëm. Mundësia që Izraeli të paraqesë në Gjykatën e Hagës dokumente të sigurisë të viteve të fundit, kur ai refuzon t’i tregojë qytetarëve të vet dokumente të kohëve më të hershme, duket e largët. 

Ata që mbajnë sekretet janë në përgjithësi burokratë që i janë nënshtruar një socializimi profesional relativisht uniform. Të gjithë i janë nënshtruar kontrollit të rreptë të sigurisë dhe kanë ngjitur shkallët përmes një kulture organizative të ruajtjes së sekretit. Ata janë të bindur se ajo që u bëhet e ditur atyre nuk duhet të duhet të merret vesh nga publiku, pasi nëse kjo gjë ndodh, siguria shtetërore do të vihet në rrezik. 

Shumica e tyre nuk janë luftëtarë në terren që rrezikojnë jetën në luftë, por mjedisi i tyre i ka bindur se duke fshehur atë që di, kontribuon në mbrojtjen e shtetit. Pak prej tyre ndjekin dialogun ndërkombëtar mbi këto çështje, që në çdo rast nuk përcillet në hebraisht. 

Pa e kuptuar, ata kanë krijuar një flluskë profesionale dhe sociologjike të ruajtësve të sekretit  që veprojnë përballë një publiku amorf të cilin e shohin si të pabesueshëm. 
Që nga dështimet në luftën e Yom Kipur, dihet se ka oficerë të shërbimeve sekrete, detyra e të cilëve është të kundërshtojnë dhe sfidojnë të gjithë kolegët e tjerë përqark në mënyrë që të shmanget arroganca e një konceptimi konsensual. Por në rrethet që ruajnë materialin arkivor – profesionistë të sigurisë, ekspertë ligjorë, arkivistë – askush nuk e ka rolin e ngritjes së dyshimit. 

Edhe shumica e diplomatëve, që janë për nga natyra e punës së tyre të ekspozuar ndaj botës së jashtme, afrojnë më shumë me burokratin sesa me të jenë qytetarë të botës.

Brenda një kohe të shkurtër, qeveria ndoshta do të duhet të vendosë për sjelljen e Izraelit përpara Gjykatës së Hagës. Ajo do të rrethohet nga njerëz të burokracisë, mendimi i të cilëve mbi dokumentet sekrete është thuajse i njëjtë.  Ministrat po ashtu janë vetëm njerëz dhe nëse burokratët rreth tyre do të jenë dakord mes tyre, vetëm ministrat e pavarur, me vetëbesim do të duan të marrin përgjegjësinë e vendimeve të pavarura. Të tjerët do të ndjekin rekomandimet e skalionit profesional pa pyetur nëse këto rekomandime janë të duhurat. 

Burimi: Haaretz

*Përkthimi dhe titulli: ResPublica 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Shteti izraelit ka nje-dy dekada qe e ka fituar tashme ne bote opinionin si shtet terrorist dhe diktator! Ketij shteti, edhe nese do te nise tani ta revizionoje kete qendrim te tij, do i duhen te pakten disa dekada derisa ta largoje opinionin si shtet terrorist dhe diktator! Por ai do te vazhdoje me qendrimin e tij, sepse mendon te zgjerohet akoma ne shek. XXI. Atehere do te shohim qyfyre me te medha!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.