Praktika e munguar e informimit mbi politikën e jashtme

Postuar në 05 Janar, 2020 15:33

Mediat greke shkruajnë sot se kryeministri i vendit Kyriakos Mitsotakis ka planifikuar një takim raportues me liderët partiakë pas kthimit të tij nga Uashingtoni. Sipas këtyre mediave takimi ka për synim diskutimin me drejtuesit e spektrit politik të zhvillimeve të fundit në politikën e jashtme që e kanë vënë Greqinë në kurs të pashmangshëm përplasjeje me Turqinë e Erdoganit.

Akti në fjalë synon të zgjerojë bazën e konsensusit për vendimet e qeverisë, por edhe informojë politikën mbi disa zhvillime të rëndësishme për të cilat nuk preferohet që të ketë qëndrime të ndryshme.

Ky është një precedent pozitiv që do të ishte mirë të praktikohej edhe në vendin tonë. Të paktën për këto gjëra. Shqipëria është një vend që përjeton zhvillime të rëndësishme në politikën e jashtme, për të cilat një pjesë e madhe e opinionit nuk di gjë. Opozita kryesore në parim akuzon për çdo gjë me metrin e Luftës së Ftohtë, agjenturë andej dhe tradhëti këtej. Mirëpo si forca që kanë qenë në qeverisjen e vendit për jo pak kohë, si PD-ja ashtu edhe LSI-ja e kanë të qartë se gjërat janë shumë më komplekse sesa kaq.

Për këtë arsye një rol në këtë kuadër mund të luante Presidenti i Republikës që drejton Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ne nuk dimë asgjë për nismën e Minishengenit. Dimë aq sa do të na thotë kryeministri Edi Rama. Ne nuk dimë asgjë se përse marrëdhëniet me Kosovën janë ftohur. Dëgjojmë vetëm kryeministrin që e cilëson homologun e tij kosovar, gënjeshtar.

Ne nuk kemi asnjë ide mbi natyrën e marrëdhënieve të Tiranës zyrtare me Ankaranë zyrtare, për miqësinë personale të z. Rama me presidentin Erdogan, për arsyet e deportimit të shtetasit turk, Çelik.

E vetmja gjë që dimë me siguri është se politika shqiptare ka rënë në sevda me muxhahedinët, strehimin e të cilëve e përkrah pa rezerva edhe pse nëse nesër Shqipëria do të goditet për këtë shkak, për këtë nuk do të ketë faj asnjë shqiptar I thjeshtë, as ata që merren me aktivitete kriminale. Sepse të gjitë nuk e kanë cenuar aspak Shqipërinë përveçse në ndonjë fushatë keqdashëse informative në media të caktuara në Perëndim.

Fajin do ta kenë këta që qeverisin me urdhëra që vijnë nga gjetkë dhe që në çdo rast e kanë më kollaj se kushdo që të marrin fëmijë e sorollop e të ikin ku kanë vilat e tyre.

Ne kemi parë sesa herë që ka një debat për politikën e jashtme, kryeministri shfaqet me promovimin e ndonjë shërbimi të ri, dixhital ose jo, me promovimin e ndonjë godine a fasade, si për t’I thënë qytetarëve: Politikën e madhe ma lini mua. Unë po punoj për ju, ja prova.

Mirëpo ky vend nuk është as i njërit dhe as i tjetrit, sepse përvoja jonë, e këtij vendi, e afërt madje, na mëson se ata që duken sot se nuk i lëviz as topi, koha dhe njerëzia edhe i zhvarros.

Re.Pu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.