Një "shaka" amerikane për impotencën e opozitës

Postuar në 02 Nëntor, 2019 11:21

Nuk meriton më shumë se dy fjalë ajo që sot quhet opozita e Shqipërisë, e udhëhequr nga një manekin që e ka shtyrë si e ka shtyrë duke ulëritur se përfaqëson të vetmen alternativë kundër oligariksë dhe pushtetit të krimit.

Përballë një qeverisje me brekë nëpër këmbë, Lulzim Basha hodhi në publik tamburot e një opozite radikale që ishte gati të flijohej për demokracinë e vendit. Të gjithë e mbajmë mend impostimin e kryetarit të PD-së me këndimin e himnit kombëtar pas shëtitjeve nga bulevardi te selia e PD-së në të ashtuquajturat protesta popullore.

Karamele të tilla ndoshta ëmbëlsuan tifozët e PD-së, por në asnjë rast buzëqeshja e Lulit nuk mund të merrej seriozisht si metafora e një revolucioni demokratik që po sillte një pranverë të dytë në Shqipëri. Me kryetarin e opozitës së shqiptare kanë qeshur më së pari ata që diktojnë stinët politike në këtë vend që prej nisjes së tranzicionit.

 Luli e di mirë se e vetmja llogari politike që mund të bëjë është të tregojë se ka njerëz nga mbrapa dhe të presë që amerikanët t’i thonë se i ka ardhur koha. Janë ata që vendosin se kur do ketë zgjedhje në Shqipëri, jo ulërimat e kryetarit të PD-së dhe dekretet e Ilir Metës.

Methju Palmer e tha qartë nga Prishtina se PD e Lulzim Bashës nuk imponoi dot zgjedhje të parakohshme në Shqipëri sepse kjo thjeshtë nuk përputhej me axhendën e SHBA-ve, e cila në asnjë rast nuk kishte ndërmend të lejonte një precedent të tillë, pra që bojkoti i një opozite të çojë detyrimisht në zgjedhje.

Dy fjalë edhe për opozitën e Shqipërisë që është jashtë Kuvendit. Ju mund të luani rolin tuaj, shfrytëzojeni sepse bojkoti nuk ju solli fuqi më të madhe politike. Nuk detyroi dhe nuk mund të detyroje zgjedhje të parakohshme. Prandaj shfrytëzojeni mundësinë për ta evokuar dhe negociuar në mirëbesim për reformën zgjedhore që synoni.Bashkësia ndërkombëtare është e gatshme t’ju ndihmojë në këtë ndërmarrje serioze. Pastaj të ja prezantoni popullit tuaj të gjithë këto arritje të vërteta për të vendosur në mënyrë demokratike, përmes një procesi të drejtë zgjedhor se në çfarë drejtimi duan të shkojë Shqipëria-deklaroi Palmer në Prishtinë.

Kjo shpjegon edhe arsyet pse opozita e Lulzim Bashës ka ulur bishtin dhe po punon për reformën zgjedhore , ndonëse në publik kryetarit të PD-së i duhet të përmendë për kortezi zgjedhjet e parakohshme.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.