Europë! Kur do flasim?

Postuar në 02 Tetor, 2019 19:13

Kryeministri i vendit Edi Rama është shfaqur dy ditë më parë në një intervistë për Report Tv. Përmes disa komenteve të veta, z. Rama ka shpjeguar se hapja e negociatave nuk varet më nga Shqipëria, sepse vetë Europa është e paqartë: 

Presidenti francez e ka qëndrimin publik dhe nuk ka asgjë për të hamendësuar në këtë aspekt. Ai mendon se është koha për të reformuar BE-në dhe debati im është që ndërkohë që BE reformohet i duhet thënë mundësia edhe Shqipërisë dhe Maqedonisë që të thellojnë reformat përmes procesit të integrimit. 
Por e rëndësishme është që nuk varet më nga ne dhe çfarë kemi bërë ne, por nga një qasje e përbashkët e KiE-së ku duhet të krijohet konsensus, përndryshe një qasje e ndryshme e një vendi për interesa të ndryshme mund të pengojë vazhdimin e procesit.  

Me Gjermaninë e kishim pengesën e natyrës tjetër, por me durim, punë dhe fakte e tejkaluam. Me Holandën nuk ka asnjë mundësi që të ketë një lobim efektiv për sa kohë janë qëndrime që nuk lidhen fare me Shqipërinë pavarësisht se kamuflohen me lloj - lloj alibish dhe ku padrejtësisht cenohet Shqipëria në këtë rast. Janë qëndrime që lidhen me dinamika të brendshme. Unë them se asgjë nuk është e përfunduar, ne do të shikojmë deri në fund, pasi nuk shoh një qëndrim të prerë kundër mundësisë për një konsensus pozitiv që të na japë mundësi që procesin ta vijojmë formalisht edhe pse vijon, pasi që vjen jemi duke bërë me BE-në çka bëjnë vendet kur hapen negociatat

tha ndër të tjera z. Rama. 

Ky është një pohim që nuk i qëndron të vërtetës. Një vend negocion dhe lobon kur nuk ka arritur objektivat e vet dhe i kërkohen garanci se do të përshpejtojë punën. Gjermania vendosi kushte që po t’i shohësh qoftë edhe në raport me kuadrin kushtetues shqiptar janë asgjë më shumë sesa kërkesa minimaliste, që ajo që shkruhet në ligje të zbatohet në praktikë. Dhe janë vendosur afate duke bërë të qartë se Shqipërisë po i jepet një shans. 

Franca mund të ketë qasje tjetër, por qasja e Francës nuk ka qenë refraktare sepse ajo nuk ka vënë veton. As Shqipëria dhe as Maqedonia e Veriut nuk përmbushin kushtet dhe në parim BE-ja ka bërë të qartë edhe me strategjinë e Junkcer se kriteret nuk janë formale. 

Por z. Rama nuk është bindës edhe në interpretimin e vet për Holandën që nuk tha Jo, por kërkoi plotësimin e kushteve. 

Është e lehtë që këto t’i skualifikosh si alibi. Dhe mund të jenë të tilla, por kur një nxënës i katrës kërkon pesën, ai duhet të thotë falemnderit dhe të qepë gojën, e jo të kërkojë llogari. Sepse te katra e ka çuar vetja, jo mësuesi. Nëse Shqipëria do të ishte Slloveni, askush prej këtyre vendeve nuk do të nxirrte pretendime, por të gjithë kanë të drejtë të tallen dhe instrumentalizojnë kur nuk je në gjendje të mbash shtetin në norma minimale funksionimi. 

Këtë sjellje z. Rama e ka edhe në politikën e brendshme. Ai është përherë i gatshëm për dialog, por është opozita që nuk arsyeton. Ai qeveris shumë mirë, për popullin dhe nga populli, thjesht Shqipëria e vjetër i zë pusi progresit. Dhe z. Rama vazhdon të presë me durim. Vazhdon të pyesë këdo që shikon: Kur do flasim? Kështu po pyet tani edhe Gjermaninë, Francën dhe Holandën. Po nuk e dëgjon që nuk e dëgjon kush, sepse  bota nuk e kupton më forcën e shembullit. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.