Kryeministri si korsi e emergjencës në një shtet që nuk funksionon

Postuar në 25 Gusht, 2019 19:10

Agjencia Telegrafike Shqiptare publikon sot në formën e një lajmi me interes publik një mesazh që zoti Rama, pra kryeministri, e ka postuar në Facebook. Fjala është për një rast pensioni që siç ndodh zakonisht në Shqipëri keqllogaritet.

Përshëndetje zoti Kryeministër. Nuk mund të rrija pa ju shprehur një falenderim që ka të bëjë me ndryshimet rrënjësore që keni ndërmarrë. Nëna ime është rritur jetime, pa nënë, dhe kjo brengë e ndjek pas gjithmonë. Në kohën kur plotësoi moshën, aplikoi për pension por rezultoi se i kishin humbur gjysma e viteve të punës. Hapëm proces gjyqësor dhe përsëri nuk mori atë që i takonte. Falë Zotit prindërit e mi nuk janë nevojtarë ekonomikisht dhe nuk rrojnë me pensionin që marrin, por nëna ime e vuante këtë dhe gjithmonë shprehej se ishte e pafat prandaj dhe Zoti e kishte lënë jetime, thjesht dua atë që e meritoj, dhe kjo më vriste shumë. Në kohën kur prindërit e mi hapën gjyqin para 9 vitesh, babai im nuk pagoi sa duhej dhe çështja u mbyll. Para pak kohësh kunati im shkruajti në portalin e qeverisë dhe për një kohë rekord drejtësia u vendos, u gjend që në dokumente ishte gabim një shkronjë dhe nëna ime mori paratë e nëntë viteve. Nuk po e shkruaj këtë falenderim për paratë, se falë Zotit nuk kanë nevojë, banojnë në USA dhe Shqipëri por për lehtësimin shpirtëror që ndjeu, mori djersën e saj. Nëna ime quhet Fatmire Pllaha. Edhe një herë faleminderit dhe pushime të këndshme familjarisht”, thuhet në mesazhin e emigrantit shqiptar drejtuar Kryeministrit

Ky është mesazhi. Natyrisht këtu ndërthuret propaganda me qeverisjen dhe informimin. Mirëpo nëse shohim rastin në fjalë ai është fare banal në kuptimin se nuk cenon asnjë interes. Në një zyrë të sigurimeve shoqërore sillen keq. Ndërhyn Babloku dhe ja çështja merr zgjidhje. Paratë që i kalojnë zonjës janë të sajat. Ato nuk i përfiton kush. Këtu thjesht duhet që ligji të zbatohet. Në vend se të kërkohet korrigjimi i kësaj situate në administratë, kryeministri preferon të servirë menunë e Maliqit që bën ligjin.

Po institucionet si veprojnë? Pse nuk funksionojnë? Çfarë do bëjë populli kur zoti Rama, larg qoftë, të mos jetë më në karrigen prej nga ku fap, me një sms zgjidh halle? Këto pyetje na duhet t’i mërmërisim me vete, sepse siç e dimë të gjithë, për to nuk ka përgjigje. Zotëria nuk ka shkop magjik, por luan si magjistar.

Historia e këtyre halleve që zgjidhen nga Lart është pak a shumë e njëjta. Ato nuk prekin interesa, por dëshmojnë dështimin e administratës. Zoti Rama ndërhyn këtu si korsi paralele e urgjencës ku kalon vetëm ambulanca. Por ai e lë pacientin në Urgjencë pastaj Zoti i ndihmoftë.

Ta zëmë nuk kemi parë përveç ndonjë rasti që lidhet me blloqet e faturave tatimore, që ndonjë biznes të ankohet në Platformën e Bashkëqeverisjes. Vallë biznesi nuk ka ankesa? Apo mos vallë ne e kemi gabim dhe ta zëmë edhe Bankers Petroleum u ankua në këtë rrugë dhe përfitoi faljen e gjobës 104 milionë euro?

Arsyeja është e thjeshtë. Zoti Rama konsideron bashkëqeverisje këto hafifet e administratës, shkeljet banale të saj që nuk kanë faturë. Nuk e dimë si do të vepronte zoti Rama nëse dikush do t’i ankohej për ndonjë koncesion, tender, apo gjë tjetër me zarar. Shyqyr Zotit biznesit i ka mbetur ende truri në kokë saqë të kuptojë që më mirë se magjitë e këtij iluzionisti janë letrat e institucioneve. Pasi siç e thotë edhe fjala e urtë: Rruga e shkurtër të nxjerr gjatë. Këto lodra të z. Rama janë serumi për një të sëmurë terminal siç është marrëdhënia qytetar – administratë, shkaqet e të cilës nisin pikërisht te Doktori që performon me zgjidhje të shpejta. Për këtë nuk na gënjen dot kush.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.