Gastriti i të vërtetave që piqen në Diell

Postuar në 27 Qershor, 2019 19:32

Tashmë që presidenti i Republikës u zbyth dhe dekretoi një datë tetori për zgjedhjet, është e udhës, por edhe engledisëse për të shtyrë vapën duke aluduar se çfarë e shtyu në këtë vendim. Në këtë ulje të parakohshme pantallonash.

Ideja e parë që të vjen në mend është ajo që ngjan edhe më e vërteta: ky brumë është. Njeri i pusisë, i bandës dhe që i jep vetes më shumë rëndësi se ç’ka. Pas Ilir Metës është një histori politiko-ekonomike që kushtëzon vendimmarrjen. Plus ky ndoshta ngatërron veten me revolucione dhe demokraci duke mbajtur ca llastiqe në xhep.  

Ideja e dytë është se presidenti ka edhe diçka shtesë për të luajtur. Po çfarë? Këtë e kërkon mendja si rezervë hipotetike. Xhanëm kaq tekayt nuk mund të jetë!

Ideja tjetër se ndoshta Presidenti ka alamet karakteri dhe e shikon revolucionin e qershorit si dramë që i duhet kursyer një populli solar si shqiptarët.

Ka edhe një tjetër. Një nga ato që mund t’i kuptojnë vetëm Disa dhe t’I artikulojnë ca Disara të tjerë. Kjo ide është: kriza u provokua nga ndërkombëtarët për të nxjerrë jashtë loje Metën, Bashën dhe Berishën. Ata lanë Ramën të vazhdonte në rrugën e vet, duke parashikuar reagimin e opozitës, radikalizimin e saj, pastaj Rama si më i zgjuari kuptoi skemën dhe i qëndroi asaj, ndërkohë që Meta e kuptoi më vonë, kurse Berisha e dinte dhe u shtir si i sëmurë sepse duke konsumuar këta dilte vetë si faktor.

Ky shpjegim ka bazë të thellë letrare. Filozofike madje. Ngjan si Meta-shpjegimi i krizës. E keni parasysh Kriptonin, planetin nga vinte Supermeni(por edhe Superqeni). Aty, sipas babait të Kal-El – Supermenit – shoqëria dështoi sepse u bazua te planfikimi. Pra asgjë nuk i lihej shansit. Paracaktohej se kush duhet të lindte luftëtar, punëtor etj. Diçka e tillë është paracaktuar për Shqipërinë që në vitin 2013. Disa njerëz të mençur, por shumë të mençur, janë  mbledhur dhe kanë caktuar se në vitin 2019 Shqipëria do të takohet me historinë përmes Edi Ramës, Ilir Metës, Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit.

E thjeshtuar kjo narrativë kozmike vjen në veshët tanë të thjeshtë me emrin “rruga e Elbasanit”. Tingëllon kaq tirons ky skenar, ndaj edhe kaq i vërtetë. Sepse kush është thelbi i vërtetë i një shpjegimi? Zbulimi i së vërtetës? Jo. Aspak. Paqëtimi. Me ron rehat me veten. Dhe mënyra më e mirë për këtë është t’ia mbështetësh vetes deri në rrëzë me idenë se “janë amerikonët”.

Sigurisht që dikush do pyesë: po mirë këta që e zbërthejnë këtë histori nga e dinë? Këtë e shpjegon fizika e sotme, intuitizuar lirisht kuptohet, që na thotë se realiteti duke qenë një simulim kompjuterik e ka ëndrrën si medium drejt iluminacioneve. Thjesht, që Meta do zhdekretonte dhe do dekretonte, është e caktuar. Janë vetëm disa që e kapin. Si Doktori p.sh që na thonë se nuk flet se çoç di. Në fakt po ta pyesësh Doktorin për 1997-ën për ambasadoren amerikane, patjetër që çoç do dijë. Por ndoshta fare ndryshe nga ajo që dimë ne. Ndaj edhe nuk impresionohet. Apo është sëmurë vërtet?

Si qëndron e vërteta pra? Varet nga e ardhmja. Deri atëherë, ka kohë. Edhe për kuzhinierët e fast foodeve gazetareske që punojnë me ujë depozite, këta të vetëpunësuar të të vërtetave që kërkojnë diell.

Le të jenë në fakt edhe të vërteta që digjen në Diell sepse fundi i fundit kimia është bujare me ne: kriptoni është edhe gaz. Po që nuk ka as erë, as ngjyrë, as shije. Kimikisht inert.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.