Mbetet dorëheqja ditën e zgjedhjeve të zhdekretuara

Postuar në 08 Qershor, 2019 21:59

Kur Ilir Meta u zgjodh President i Republikës në prill të vitit 2017, pati shumë zëra që e tallën dhe madje menduan se Edi Rama kishte bërë një spostim perfekt. Ja si e lexonte këtë zhvillim opinionisti Blendi Fevziu, i afërt me të gjithë politikanët shqiptarë:

Ilir Meta pritet të zgjidhet nesër Presidenti i ri i Shqipërisë. Ai bëhet kështu, presidenti i shtatë i Shqipërisë Pluraliste dhe padyshim më i dobëti në listën e parardhësve të tij. Më i dobëti jo për hir të staturës politike, (pas Berishës që drejtoi presidencën në vitet 1992 – 1997, ai është padyshim personaliteti më imponues) por si pasojë e kompetencave që janë sot më të paktat dhe më të reduktuarat që nga viti 1991. Roli i Presidentit u reduktua në mënyrë drastike në Kushtetutën e vitit 1998, ai u reduktua akoma në ndryshimet kushtetuese të 2008 dhe së fundmi u zhvesh edhe nga pak kompetenca të mbetura në vitin 2016, në ndryshimet që ju bënë pas reformës në drejtësi

A qëndron sot ky konstatim? Mesa duket jo. Sepse Presidenti ka vërtet kompetenca të reduktuara, por përveç kompetencave një tjetër aftësi është edhe ushtrimi i tyre. Me aktet e këtij viti, z. Meta ka dëshmuar se ka ditur të rihyjë në lojë si faktor qendror duke ecur në kufijtë e paanshmërisë kushtetuese.

Ai ka refuzuar dekretimin e dy ministrave, ka kthyer disa ligje të rëndësisshme, ka ofruar argumente kushtetuese publike për këto akte dhe së fundmi ka dekretuar shfuqizimin e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve. Çfarë na mësoi kjo situatë? Na mësoi se kryeministri ka bërë një gabim të pafalshëm kur e nisi reformën në drejtësi nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë. Sot ai ka deklaruar se dekreti i presidentit është nul, por zotëria është nxituar. E para sepse këtë e shqyrton një Gjykatë dhe e dyta nga e di z. Rama se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do ta konsiderojë këtë dekret të shfuqizimit si të vlefshëm?

Është një gjendje juridike shumë e paqartë që ka relativizuar çdo pretendim për legjitimitet. Në fund të fundit, kreu i shtetit është Autoriteti kushtetues që nxjerr dekrete dhe në fund fare ato i shfuqizon ose Gjykata, ose vetë Autoriteti.

E gjithë kjo që ka ndodhur rikonfirmon domosdoshmërinë e një ligji për Presidencën në mënyrë që të shmangen në të ardhmen zhvillime të kësaj natyre.

Por në planin politik mund të thuhet se z. Meta jo vetëm që nuk është një president më I dobët, por ai është fuqizuar në kuptim të prezencës politike nga gabimet e z. Rama.

Le të shqyrtojmë çështjen e zgjedhjeve dhe dekretit të sotshëm. Sikur të pranojmë çdo argument të palës socialiste, një gjë mund ta pohojmë me qartësi: dekreti anulloi krizën e bojkotit të zgjedhjeve për shkak se qysh nga ky moment askush nuk mund ta akuzojë më opozitën se po bojkoton zgjedhjet për shkak se ajo tashmë do të mbrohet me dekretin e kreut të shtetit.

Nga ana tjetër, me këtë akt z. Meta ka prevaluar në veprime ndaj kryetarit të PD-së, Lulzim Basha që thjesht ka arritur të protestojë pa arritur një marrëveshje, por edhe pa imponuar diçka konkrete në qëndrimet e faktorit ndërkombëtar. Për këtë arsye Meta është aktualisht faktori vendimtar i axhendës opozitare dhe që këtej duhet pritur një marrëdhënie e thelluar mes LSI-së dhe PD-së me terma disproporcionalë nga pikëpamja e peshës elektorale.

Por nuk mbaron këtu. Nëse qeveria e z. Rama dhe shumica e komanduar prej tij do të vazhdojë të mos lexojë siç duhet situatën Metës i ka mbetur edhe një veprim tjetër dramatik: dorëheqja ditën e zgjedhjeve të cilat ai nuk ka sesi t’i njohë dhe me rezultatin e të cilave nuk mund të bashkëjetojë pas dekretit të sotshëm.

Do të ishte një krizë e shtetit shqiptar në kuptimin e plotë, krizë e cila nuk mbushet as nga parimi i socialistëve: Edi Rama është Shteti.

Re.Pu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.