Shpresë e kotë për gjendje Pati

Postuar në 18 Maj, 2019 15:30

Dikush duhet t’i gjejë mënyrën kryeministrit të Shqipërisë e ta këshillojë. Të afërmit, analistët që i vijnë vërdallë, deputetët, ish-kryeministrat, apo edhe ambasadorët që jetojnë në Tiranë. Ta kujtojnë zotërinë se është kryeministër dhe se kur je i tillë ca gjëra duhet t’i bësh në vetë të parë. Duhet t’i marrësh përsipër. Një kryeministër, sidomos si ky z. Rama që e ka marrë votën me pashë nga shqiptarët që të bëjë shtet, duhet të mos i tutet askujt që kërcënon stabilitetin dhe ligjin. Mirëpo edhe ata që e kanë votuar, edhe ata që nuk e kanë votuar dëgjojnë me veshë dhe mendje një njeri që e ka zënë frika nga “demokratët e Mamurrasit”, që janë metafora e çdo aksioni profesional kaosi dhe anarkie që ka për autor Sali Berishën (jo pa të drejtë).

Kush i afrohet një qendër votimi me mendje të keqe djeg veten, jo zgjedhjet! Të informohen këta të fundit se çfarë parashikon kodi penal, për individin që prek një hallkë të vetme të zinxhirit të procesit zgjedhor. Kodi penal është shumë i ashpër në këtë aspekt.

Jo që nuk ia vlen të digjesh për politikën më kriminale të mundshme që të nxit të shkosh me këmbët e tua në duart e drejtësisë, por që mund të të fusë dhe në listën e zezë të të dënuarve për krime zgjedhore të cilëve do t’u hiqet përgjithmonë e drejta e hyrjes në SHBA dhe Bashkimin Europian

ka thënë z. Rama. 

D.m.th kryeministri i Shqipërisë paralajmëron me zbatim të ligjit dhe kërcënon me bllokim të të drejtës finale të një shqiptari, ikjen nga Shqipëria. Dhe e bën këtë duke e vendosur veten në cilësinë e dikujt që e ka të sigurtë se SHBA dhe BE do të veprojnë. Pra do të merren me “demokratët e Mamurrasit”.

Është e vështirë të gjesh kufirin ku ky njeri vetëposhtërohet për shkak të frikës (nga Berisha). Sepse sapo e lokalizon atë, ai e shtyn atë më tej, duke i befasuar të gjithë me aftësinë për ta zhveshur veten nga çdo lidhje me realitetin. 

Kryeministri i Shqipërisë ka frikë. Ka shumë frikë sepse nuk e parashikon dot se çfarë do të ndodhë dhe nuk parashikon dot sesi do të reagojë vetë nesër kur të përballet me problemet e rrugës. Shahisti i Tiranës ka mbetur pa lëvizje, ai është ushtari, mbreti dhe mbretëresha në një fushë ku po luan për një gjendje Pati por që e ka të kotë sepse koha e kërkon që thjesht dhe fare thjesht: loja të prishet dhe kutia të thyhet.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.