Islamofobia e elitave shqiptare*

Postuar në 16 Maj, 2019 11:55
Enis Sulstarova

 

Në dijeninë time, ende nuk ekziston një studimi mirëfilltë e i hollësishëm i islamofobisë te shqiptarët, që të trajtojë formimin e saj dhe tiparet që shfaq në periudha të ndryshme, si edhe te kategori të ndryshme të popullsisë. Kjo detyrë u takon studiuesve të shkencave sociale, të cilët duhet të angazhohen me këtë dukuri, që nuk është e re, por që në dhjetëvjeçarët e fundit ka marrë përmasa të mëdha në të gjithë botën, edhe si pasojë e përhapjes së rrymave radikale islamiste, që propagandojnë urrejtje ndaj feve të tjera; akteve terroriste me frymëzim islamist, efektet e të cilave amplifikohen nga media globale; luftërave që po ndodhin në Lindjen e Mesme, me përfshirjen e drejtpërdrejtë të shteteve më të fuqishme të botës për kontrollin e burimeve natyrore; miliona refugjatëve myslimanë, që kanë gjetur strehim në Perëndim dhe që janë kthyer në objekt urrejtjeje nga ana e partive dhe grupimeve ekstremiste, që kërkojnë ndaljen e imigracionit etj. Islamofobia në Ballkan nuk ka si të mos jetë e lidhur edhe me historinë e përgjakshme të spastrimeve etnike të popullatave myslimane dhe me shovinizmat e popujve të besimeve ortodokse e katolike, shovinizma që mbajnë gjallë urrejtjen për “islamin”dhe “turkun” dhe që bëjnë thirrje për përzënien e “gjysmëhënës” prej Evropës.

Islamofobia, në përgjithësi, dhe në veçanti islamofobia shqiptare, janë trajtuar nga këndvështrimi politik e publicistik prej Abdi Baletës qysh me fillimet e pluralizmit në Shqipëri. Kontributi i tij në këtë drejtim është i vëllimshëm, por mjafton të përmendim dy nga librat e tij që trajtojnë posaçërisht këtë temë, Shqiptarët përballë terrorizmit intelektual të Falaçit (2002) dhe Përballjet me islamofobinë (2006). Këto vepra janë shkruar në vitet kur temperatura e islamofobisë në botë arriti kulme të papara, si pasojë e akteve terroriste të 11 Shtatorit 2001, të sulmeve të tjera terroriste ndaj disa shteteve perëndimore, pushtimit të Afganistanit dhe Irakut nga koalicioni i drejtuar prej SHBA-së dhe e luftës globale kundër terrorizmit. Të dy librat janë jo vetëm ndërhyrje në kohën e duhur në debatin publik shqiptar mbi islamin e islamofobinë, por janë edhe referenca të domosdoshme për cilindo studiues që do të kërkojë të merret me hulumtimin e këtyre temave. Edhe nëse dikush që i lexon sot këta libra nuk është dakord me këndvështrimin nacionalist, me të cilin autori e trajton dhe dënon islamofobinë ose me gjuhën ndonjëherë të ashpër të polemikave të tij, prapëseprapë lexuesi duhet t’i japë meritën Baletës për guximin e ndershmërinë intelektuale që ka treguar për të mbrojtur, pa asnjë interes vetjak, islamin dhe myslimanët shqiptarë nga akuzat e padrejta të islamofobisë shqiptare dhe jashtëshqiptare.

Libri Shqiptarët përballë terrorizmit intelektual të Falaçit është një replikë në distancë me librin Mllefi dhe krenaria të Oriana Falaçit [Oriana Fallaci]. E tronditur nga ngjarjet e 11 Shtatorit, publicistja dhe shkrimtarja e njohur italiane shkroi një artikull të gjatë akuzues për myslimanët dhe për ata që ajo i quan kolaboracionistë perëndimorë, mes të cilëve e radhit edhe Kishën Katolike. Artikulli u botua në gazetën Corriere della Sera më 29 shtator 2001, u ribotua në shumë gazeta të botës e më pas shumë doli si libër. Baleta, në librin e tij, i kundërshton shumë nga tezat e padrejta të Falaçit dhe të përkrahësve të saj shqiptarë. Në këtë libër Baleta jep edhe porosinë se “ruajtja e islamit në trojet shqiptare ka rëndësi jetike për ruajtjen e identitetit dhe individualitetit kombëtar shqiptar… Prandaj nacionalist është ai që e mbron dhe jo ai që e lufton besimin islam në Shqipëri. Kush kërkon shkatërrimin e islamit në trojet shqiptare kthehet në mercenar të nacional-shovinizmave fqinj” (f. 144). Libri i vëllimshëm Përballjet me islamofobinë është një përmbledhje e debateve të shumta që janë bërë në sferën publike shqiptare mbi islamin, praninë e tij shekullore te shqiptarët, terrorizmi islamik dhe gjeopolitikën bashkëkohore. Baleta thekson se islamofobia nuk ka të bëjë me vetëm me islamin apo terrorizmin islamist, por ka të bëjë kryesisht me përplasjet e sotme gjeopolitike në botë. Nga prizmi i zhvillimeve gjeopolitike dhe duke iu referuar literaturës shkencore mbi këto çështje, Baleta sërish merr përsipër mbrojtjen e islamit te shqiptarët dhe kur e sjell rasti, shpreh kundërshtimin parimor ndaj rrymave islamike internacionaliste që kërkojnë një lloj “globalizimi islamik” për t’ia kundërvënë identiteteve kombëtare të myslimanëve.

Orientalizmi dhe islamofobia

Në librin tim Arratisje nga Lindja: Orientalizmi shqiptar nga Naimi te Kadareja (2006; rib. 2007, 2013), kam shkruar se orientalizmi bashkëkohor shqiptar shoqërohet me një islamofobi të theksuar. Orientalizmi shqiptar –shkurt, varianti shqiptar i ligjërimit paragjykues dhe denigrues perëndimor për “Lindjen” – u formua në kuadër të nacionalizmit në periudhën e rënies së Perandorisë Osmane. Rilindës myslimanë, si Naim dhe Sami Frashëri sigurisht që nuk ishin islamofobë kur shkruanin se kombi shqiptar duhet të shkëputet nga “barbaria” turke dhe duhet të huazojë më të mirën e modeleve perëndimore të zhvillimit. Ata nuk e konsideronin si problem islamin te shqiptarët, sepse kombin e përkufizonin me terma të gjuhës dhe të prejardhjes etnike të përbashkët. Edhe rilindës të krishterë, si Pashko Vasa e Jani Vreto, nuk kanë shprehur ndonjë islamofobi në veprat e tyre dhe as përbuzje për shqiptarët myslimanë. Ishte e pamendueshme për rilindësit që, ndërsa kërkonin një orientimin evropiano-perëndimor për shqiptarët, të shpreheshin kundër pranisë së islamit te kombi i tyre. Madje as Faik Konica, te i cili gjejnë frymëzim disa islamofobë bashkëkohorë shqiptarë, të cilët përmendin marrjen prej tij të emrit Dominik si tregues të konvertimit në katolik, nuk bënte thirrje për ndonjë braktisje në masë të islamit nga ana e shqiptarëve, por vetëm për një sjellje të kujdesshme të myslimanëve shqiptarë ndaj atyre të krishterë, në mënyrë që Evropa (lexo: kancelaritë dhe opinioni publik i fuqive evropiane) të mos besonte përrallat e shovinistëve sllavë e grekë, që thoshin se shqiptarët ishin një turmë fanatike myslimane që duheshin përzënë nga kontinenti.

Ndryshe nga periudha e Rilindjes Kombëtare, sot orientalizmi i një pjese të intelektualëve është i pandashëm nga shprehja e islamofobisë. Përkufizimi i islamofobisë që kam përdorur në librin tim është ai nga Erik Bleich: “qëndrime apo emocione negative të drejtuara pa dallim ndaj islamit dhe myslimanëve”. Pra, islamofobia nuk bën dallime midis myslimanëve, por i konsideron të gjithë si një rrezik aktual ose potencial. Islami trajtohet, nga shumë intelektualë shqiptarë, si thelbi kulturor/qytetërues i Orientit dhe si kundërshtar i perëndimorizimit të shqiptarëve. Me kalimin e kohës, kuptimi i “Lindjes” si komunizëm po zbehet dhe gjithmonë e më shumë po forcohet ideja e “Lindjes islamike”, duke shënjestruar myslimanët e Lindjes së Mesme (turqit, arabët, iranianët) si “të tjerët” e identitetit kombëtar e evropian të shqiptarëve. Madje, disa intelektualë bashkëkohorë pretendojnë se islami ka qenë nënshtrati ideor ose matrica ideore e totalitarizmit komunist në Shqipëri. Sigurisht që, përveç orientalizmit, islamofobia në shoqëritë shqiptare ndikohet edhe nga ngjarjet bashkëkohore në botë – terrorizmi islamist, lufta kundër terrorit, teoritë dhe parullat mbi përplasjet e qytetërimeve etj. – të cilat në mjedisin shqiptar pleksen me ligjërimet e “arratisjes nga Lindja” dhe të “rikthimit në Evropë”.

 Islamofobia shqiptare në vështrimin krahasues

Në një studim të sapobotuar, islamofobia te shqiptarët është krahasuar me islamofobinë në vende të tjera që kanë shumicë myslimane, si Turqia, Egjipti, Pakistani dhe Malajzia. Është fjala për antologjinë Islamophobia in Muslim Majority Societies (Islamofobia në shoqëri me shumicë myslimane), të përgatitur nga Enes Bayrakli dhe Farid Hafez dhe të botuar më 2019 nga shtëpia botuese e njohur akademike “Routledge”. Përgatitësit, në hyrjen e librit të tyre, e përkufizojnë islamofobinë si “racizëm kundërmysliman” (f. 1). Për mendimin tim, nuk është një gjetje e goditur, sepse mund të japë shkas për ngatërresa konceptuale, meqenëse racizmi mund të ekzistojë edhe pa islamofobinë ose islamofobia mund të jetë pjesë përbërëse e racizmit, që mund të shprehet ndaj p.sh. arabëve, por që në thelb ka diferencimin midis “të bardhëve” dhe “të kafenjtëve”. Në kapitullin teorik të librit, Enes Bayrakli, Farid Hafez dhe Leonard Faytre i shpjegojnë disa dinamika shoqërore e politike që kanë ndikuar në formimin e rrymave islamofobe në vende ku popullata me shumicë identifikohet si myslimane, pavarësisht nëse shteti është laik, si në Shqipëri dhe Turqi, ose e ka islamin fe zyrtare, si në rastin e Pakistanit. Sipas tyre, islamofobia përdoret nga elitat që e kanë pushtetin politik për të disiplinuar nënshtetasit myslimanë, të cilët i konsiderojnë si rrezik për pozitën e tyre. Rrënjët e kësaj sjelljeje ata i gjurmojnë te kolonizimi apo vetë-orientalizimi i elitave vendase që në shek. XIX janë përpjekur ta imitojnë Perëndimin dhe, për pasojë, kanë krijuar një distancë midis tyre dhe masave konservatore myslimane.

Në mënyrë paradoksale, ndërsa elitat imitonin shtetet perëndimore, nuk lejonin demokracinë nga frika e konkurrimit prej partive e lëvizjeve islamiste. Kështu, qeveria e tanishme e Egjiptit ka anuluar rezultatet e votimit të parë demokratik në historinë moderne të vendit dhe po përpiqet me një ligjërim islamofob ta përhapë në popull një panik kolektiv ndaj Vëllazërisë Myslimane, e cila erdhi në pushtet me votim të lirë. Autorët e përfundojnë kapitullit teorik duke theksuar se islamofobia në Perëndim dhe në vendet myslimane funksionon si një praktikë diskriminuese ndaj atyre që mendohet që i përkasin një “qytetërimi të prapambetur” dhe që lejon e justifikon edhe përdorimin e dhunës nga ana e shtetit (f. 16). Me gjithë meritën e argumentit që ata ngrenë, nuk duhet harruar se disiplinimi i myslimanëve, si i ritualeve fetare, ashtu edhe i praktikave të tjera të jetës së përditshme, nuk ka ndodhur vetëm nga elitat laike e filo-perëndimore, por edhe nga regjime islamiste kundërperëndimore, që propagandojnë një variant “të drejtë” të islamit në të gjitha sferat e jetës publike e private dhe nuk lejojnë forma alternative, ndërkohë që tradicionalisht islami ka bashkëjetuar me një mozaik kulturash dhe ka marrë trajta të shumëllojta lokale. Këtë disiplinim islamist të myslimanëve e kemi parë dhe e shohim te regjimet e tanishme në Iran e Arabi Saudite, te regjimi taleban në Afganistan etj.

Një kapitull i librit, me autor Rezart Bekën, i kushtohet islamofobisë së ligjërimit publik në Shqipëri. Autori e sheh islamofobinë si rrjedhojë e mendësisë orientaliste të elitës intelektuale shqiptare, e cila integrimin evropian e sheh si një plotësim eskatologjik të aspiratave historike të kombit. Duke e parë krishterimin si fe evropiane dhe islamin si fe aziatike/lindore, ky i fundit merr trajtën e “tjetrit arketipik” për identitetin kombëtar e evropian të shqiptarëve. Myslimanët shqiptarë gjenden para alternativës ose të themelimit të një “islami evropian”, ose të konvertimit në krishterim (f. 47). Beka e sheh islamofobinë te frika e shprehur ndaj shfaqjeve publike të islamit, të cilat, sipas islamofobëve shqiptarë, “ndotin” imazhin pozitiv të Shqipërisë evropiane, te i cili jep ndihmesën e vet edhe ikonografia e Nënë Terezës, të cilën e kanë shndërruar pothuaj në një kult të shenjtores së kombit (f. 49). Me syze orientaliste dhe islamofobe shihet edhe historia: Skënderbeu interpretohet si armik i islamit e mbrojtës i krishterimit, ndërkohë që komunizmi kthehet në “islamo-komunizëm” (f. 49-51).

Në mbyllje të këtij shkrimi mendoj se duhen përmendur edhe dy çështje që lidhen me islamofobinë. E para ka të bëjë me përqendrimin e shumicës së hulumtimeve te ligjërimet e elitave politike e intelektuale, si edhe në komunikimin mediatik. Islamofobia ekziston edhe në shtresa të ndryshme të popullatës dhe për të pasur njohuri mbi shpërndarjen e saj nevojiten hulumtime me metodologji të ndryshme sasiore e cilësore. Çështja e dytë është se islamofobia, e përkufizuar si ndjenjë ose qëndrim negativ i drejtuar pa dallim ndaj islamit e myslimanëve, nuk duhet të na pengojë që të mbajmë qëndrim mbrojtës ndaj rrezikut real të radikalizmit fetar dhe dhunës me bazë fetare. Sigurisht që islami nuk ka përse të vihet gjithnjë dhe i vetëm në shënjestër sa herë që flasim për ekstremizëm dhe dhunë fetare, mirëpo nuk duhet të sillemi sikur në mesin e shqiptarëve nuk ka pasur shenja të radikalizmit të besimtarëve myslimanë dhe thirrje për t’iu bashkangjitur “internacionalizmit islamik”. Sado që islamofobët mund ta ekzagjerojnë rrezikun që u vjen shqiptarëve nga ekstremizmi i disa formave të islamizmit (islamit politik), marrja e masave për ta parandaluar atë është legjitime.

Burimi: Shenja.tv

*Titulli origjinal: Islamofobia dhe orientalizmi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.