Fast and furious nga Balili e Sollaku

Postuar në 07 Maj, 2019 21:36

Kelmend Balili u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 10 vite burg duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar. Një proces, fast and furious do thuhej në gjuhën kinematografike, ku gjithçka është e përllogaritur që garën finale ta fitojë i akuzuari, përmes asistencës që ofrojnë sekserët e lidhur me interesat e pushtetit.

Siç dihet mbrojtjen e tij ligjore e mbulon avokati Theodhori Sollaku i angazhuar politikisht në Partinë Socialiste, në të kaluarën e afërt anëtar i asamblesë së saj.

Dikush mund të thotë që kjo nuk e implikon zotin Sollaku në një mekanizëm medoemos politik për “shpëtimin” e Balilit. Por nuk është e vështirë të kuptohet se në çështjen në ngarkim të tyre Balilajt kanë kontraktuar një profesionist jo vetëm nga pikëpamja juridike, por edhe ajo politike.

Themi kështu pasi skema që u përdor për dorëzimin e Balilit ka gjasa të ketë mbrapa një pazar parapolitik ose thënë më ndryshe garanci të forta  për lirimin e tij brenda 4-5 vitesh. Kush i negocoi këto garanci? U tha që bisedimet i udhëhoqi Ardi Veliu, drejtori i Policisë së Shtetit, e cila nuk bëri kurrë publike dokumentin që firmosi me Balilin dhe kushtet me të cilat firmosi këtë “sukses”

Çfarë fitoi policia në këtë negociatë përveçse kreditet personale në CV-në e Ardi Veliut, i cili në rastin konkret bëri shërbëtorin e politikës dhe jo të shtetit ligjor? Besimin e publikut jo e jo, këtë e tregoi grabitja e Rinasit ku policia e Veliut dhe Lleshit u ekspozuan kokë e këmbë. Arrestimi i Balilit u shit si vepër e shtetit të Edi Ramës, por me shumë gjasë edhe lirimi me kushte është vepër e të njëjtit shtet.

E ngjashme por më pak skematike është arrestimi dhe lirimi i ish-deputetit socialist të Lezhës, Arben Ndoka. Pamjet e arrestimit të tij u servirën nga policia si provë e një shteti që nuk kursen as bijtë e vet, por pa kaluar pak muaj Arben Ndoka është në kushte lirie të kufizuar, madje po akuzon Prokurorinë se është përfshirë në një skenar për burgosjen e tij.

Pretendim që duhet vërtetuar në gjykatë në çdo rast, ndonëse gara e lirisë së ish-deputetit duket të jetë drejt finishit. Dhe si për ironi thënia proverbiale e Skenderbeut se “lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta mes jush” ka gjetur kuptimin e vet më adapt për kohët që jetojmë, ku mbi kalë është Skënderbeu i radhës.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.