A mund të vonohesh 20 minuta në Laç? Po, e bën policia e Sandër Lleshajt

Postuar në 29 Prill, 2019 11:56

“Shqiptarja.com”, gazeta e Carlo Bollinos, raporton sot mbi ngjarjen e djeshme në Laç ku gjetën vdekjen dy persona. Shkruan ndër të tjera gazeta:

…sipas dëshmitarëve, policia ka shkuar 20 minua me vonesë në vendin e ngjarjes, edhe pse komisariati me lokalin ndodheshin shumë pranë. Pas identifikimit nga kamerat dhe dëshmia e 23 personave që u shoqëruan, policia po punon për arrestimin e tre autorëve; Markel Bushit me të vëllanë Manuelit dhe kushëririt të tyre Vinçesk Palit

Kurse pak më poshtë:

Shqiptarja.com zbardhi edhe të kaluarën kriminale të Markel dhe Vincesk Bushit. Ndërkohë që Kelvin Jani kishte një lokal në qytetin e Laçit. Ai bashkë me kushëririn e tij, djalin e xhaxhait, njiheshin si njerëz të qetë, ndërsa lokali ku nisi debati frekuentohej nga persona me precedent

Pra dy të dhëna që plotësojnë – sipas dëshmive të sjella nga kjo gazetë kuptohet – ngjarjen: ka një vrasje, një ngjarje shumë të rëndë në një qytezë si Laçi që edhe sikur të ecësh këmba-doras e bën dy herë për 20 minuta, kemi policinë që vonohet për të ndërhyrë në një lokal që frekuentohej nga njerëz me precedentë penalë.

Nuk është e vështirë të imagjinosh se çfarë ngjet aty. Një vrimë e zezë e krimit ku policët kalojnë për të krijuar muhabet me të fortët e atij qyteti, për të pirë ndonjë gjë qyl dhe kaq. Vonesa e policisë është e kuptueshme. Sepse polici nuk ka. Ka vetëm njerëz me uniforma që bërtasin me të dobëtit e këtij vendi. Mund të mirëkuptohen policët – një pjesë e tyre – që janë në një punë për të mbajtur familjen. Por a mundtë mirëkuptohet ministri i Brendshëm që është edhe gjeneral?

Zotëria ka treguar se pas maskës së modestisë fsheh një vetëkënaqësi dhe arrogancë që tipizon gjithë ekipin qeverisës. Është e vështirë të shpjegosh se përse policia u vonua me 20 minuta. Zoti Lleshaj, apo zoti Sandër, mund të dalë e të thotë gjithçka. Fundja ai ia mori dorën shpejt hipokrizisë publike, por një pyetjeje duhet t’i përgjigjet: përveç se po punohet për kapjen e autorëve që kësaj radhe as janë fshehur e as janë maskuar, ndonjë masë për policët e Laçit do merret? Apo kush shkon e punon në vend të tyre në Laç? Kjo është policia e Shqipërisë. Ajo dhunon shitësit ambulantë, të ngec ndonjë gjobë pa mendje, dekonspiron operacionet, tradhëton denoncuesit dhe ikën me vrap kur e di që përballë ka hundëleshë që kanë blerë shefa komisariatesh dhe deputetë.

Ministri? Ai ka pamjen e duhur për të qetësuar dhe për të bërë sikur nuk kupton.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.