Sallata Jeshile(elektorale) e Lal Betonit

Postuar në 28 Mars, 2019 16:43

Boja e kryebashkiakut të hapësirave të gjelbra, ka dalë prej kohësh tashmë. Z. Veliaj qeverisi Tiranën duke rendur pas një propaganda të paprecedentë dhe zhurme shurdhuese të dikutj që vetëm punon për të mirën e qytetit. Por situate e krijuar me Teatrin Kombëtar dhe lejet që po jepen në ish-hapësirën e Gardës së Republikës pranë Parkut të Liqenit, kanë mjaftuar që ta rrëzojnë këtë imazh.

Zoti Veliaj ka shtënë në punë shumë arsye se pse po shtohet sipërfaqja e ndërtimeve. Sipas tij Tirana po shtohet dhe për këtë arsye duhet lejuar zhvillimi i saj. Mirëpo të dhënat e shitjeve të pronave të paluajtshme në Tiranë nuk përputhet me këtë ofertë të shtuar. Në çdo rast, zoti Veliaj ka të gjithë të drejtën dhe detyrimin që të bëjë më të mirën për qytetin, por për çështje si kjo e ndërtimit, zotëria do të duhet të dëgjonte pak më shumë. Në vend të kësaj ai ka zgjedhur të etiketojë kundërshtarët si pakicë e zhurmshme.

Çështja që shtrohet nuk është nëse duhet ndërtuar apo jo, sepse kjo as që diskutohet. Por si duhet optimizuar kjo kërkesë me hapësirën publike dhe të gjelbër që i duhet qytetit. As kësaj z. Veliaj nuk i jep përgjigje. Atij i mjaftojnë statuset në rrjetet sociale, përurimet dhe inuagurimet dhe ndonjë intervistë televizive.

Kryebashkiaku ka një problem me vetëfrenimin. Në foton më poshtë shihet njoftimi i punimeve në lulishten “Çajupi”, përballë ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”. Vlera arrin në 618 milionë lekë të vjetra dhe patjetër që është një investim me karakter elektoral. I shtrenjtë si çdo gjë që bën z. Veliaj. Rreth 500 mijë euro për një lulishte, si e si për të kompensuar sadopak perceptimin për Lal Betonin.

Në të vërtetë kjo nuk funksionon sepse nëse sheh raportin e investimeve apo vlerës së investimit mes të dyjave e kupton se nga cili kah po ecën “zhvillimi”.

Sot kryebashkiaku do të jetë në studion e emisionit “Opinion”, aty ku rreth një vit më parë zuri të ulëriste kundër medieve. Tashmë ai ka siguruar rikandidimin nga PS-ja, por kjo nuk ja heq njollën që po zgjerohet në cv-në e tij. Është njolla e dikujt që nuk është me qytetarët, por me ata që deri më dje i quante oligarkë. Mund t’u spërdridhet pyetjeve, mund edhe të kapërcejë, provat e “punës” së tij do të mbeten kurse perceptimi se AI PUNON do të zhbëhet sapo Tirana të kuptojë se zhvillimi i saj ka qenë tekë dhe interes e shumë pak njerëzve.

PS: I kërkojmë ndjesë z. Veliaj për epitetin në titull, por ai ka karakter ilustrues sipas përdorimit në rrjete sociale. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.