Historia e pambarimtë e radhëve. Në 6 të mëngjesit për të paguar gjobat e policisë

Postuar në 23 Shkurt, 2019 17:07

Komisioni i vlerësimit të gjobave nga Policia Rrugore vijon të jetë një barrë për drejtuesit e automjeteve. Përveç gjobave, qytetarët duhet të lënë të gjitha angazhimet e tjera ditore dhe të presin në radhë të gjata që në orët e para të mëngjesit. Ndonëse janë vlerësuar nga vetë zyrtarët si potencial korrupsioni, komisionet vijojnë të jenë funksionale.

Ndërsa punonjësit e policisë nuk kanë marrë ende turnin, drejtuesit e automjeteve të kapur në shkelje nga blutë presin para derës së komisariatit rrugor në kryeqytet. Ata kanë lënë çdo punë për të ardhur që në 6 të mëngjesit dhe mbajnë radhën për të dalë në komision, ku u caktohet gjoba. Ata që vinë të parët shënojnë emrat në këtë fletë të bardhë dhe presin orën 7 e gjysmë që të vijë punonjësi i policisë për t'i regjistruar

Pasi regjistrohen, ata largohen sërish për t'u rikthyer sipas radhës në orën 9. Përveç gjobës, ata humbasin edhe ditën e punës. Por për shkak të mungesës së një sistemi për të përcaktuar oraret, shpesh herë ka raste që të mos mjaftojë vetëm një ditë

Faktikisht erdha dhe dje, por dje nuk mbarova dot punë se kishte shumë radhë. Sot kam ardhur që në 6 të mëmgjesit për të shkruajtur emrin se s'ke çfarë të bësh. Shpresojmë që të mbarojmë punë se në radhë jam i pesti kishte të tjerë para meje”, deklaroi një qytetar.

Sot kam ardhur, është radhë e madhe. Besoj se punë mund të mbaroj pasdite”, theksoi një qytetar tjetër.

Unë kam 36 veta para në radhë”, tha një qytetar tjetër.

Përveç radhëve të gjata, drejtuesit e automjeteve ankohen edhe për gjobat e larta.  

Ç’është e vërteta këto gjobat janë goxha të kripura për rrogat që marim ne. Unë shofer jam, nuk është se marr 2 mijë euro dhe të paguaj gjobën. Të marrësh 400 mijë lekë rrogë dhe të paguash 400 mijë lekë gjobë është shumë”, tha qytetari. 

Historia e komisioneve vlerësuese nga Policia Rrugore është e gjatë. Disa ministra kanë premtuar se do ta heqin atë pasi është burim korrupsioni, por askush nuk ia ka arritur deri tani. Si fillim, kjo u premtua nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Por nuk u arrit. Më pas më 08/11/2017 në Komisionin e Sigurisë teksa prezantonte buxhetin e Ministrisë së Brendshme për vitin 2018, pasuesi i Tahirit, Fatmir Xhafaj, bëri këtë deklaratë

Propozoj që të hiqet komisioni nga Kodi Rrugor. Është mundësi për abuzim. Nuk ka pse të ketë një komision subjektiv për sa kohë ne kemi mjetet teknike që vërtetojnë shkeljet. Vlerësimi bëhet aty ku ndodh shkelja, apo ku verifikohet shkelja. Ndaj mbetet për t’u parë nga ekspertët dhe për ta vlerësuar ligjvënësi”.

Tashmë që edhe z. Xhafaj u largua nga Ministria e Brendshme, drafti vijon të mbetet në tryezat e tyre pa u bërë realitet, ndërsa drejtuesit e automjeteve mbeten peng para dyerve të komisariateve rrugore.

TemaTv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.