Sa kate nuk tregon akoma Bodrumi?

Postuar në 18 Dhjetor, 2018 23:06

Nga dje deri sot ndodhi një incident nga më tipikët, më qesharakët e mundshëm të këtij vendi. Lulëzim Basha, formalisht kryetar i Partisë Demokratike, ishte i ftuar në një emision në “Report Tv”. Aty ai këputi mufkën e radhës: Report Tv sipas tij është i kapur dhe është një lloj ERTV. Më tej ai tha se ka edhe disa ERTV të tjerë.

Kjo deklaratë e z. Basha në fakt është një shprehje tipike e sjelljes së një bukëshkali, që ha bukën dhe përmbys kupën. Sepse nëse ky televizion është i kapur dhe ti vetë je shpirt i lirë, që sapo të ka dalë gjumi e nuk përmbahesh më, atëherë bojktoje. Bojkoti është edhe shenja apo mesazhi më kuptimplotë. Nga ana tjetër ka edhe një paqartësi të madhe e që lë miletin pa gjumë: drejtuesi i emisionit në fjalë është kritik i qeverisë dhe Kryeministrit. Një kolege e tij shkruajti se kritikat e tij për kryeministrin janë për shkak të bojkotit të këtij të fundit. Pra ka si të thuash disa kundërthënie që nuk sqarohen.

Një ditë më pas bashkëshortja e pronarit të këtij televizioni, Alba Malltezi, shkruante në Facebook për pasurinë e Lulzim Bashës:

Lulzim Basha vjen ne ReportTv dhe na i numeron te gjitha: Jeni Ertv2, te korruptuar, perfitoni miliona nga Rama. Keto jane shpifjet e Bashes.

Faktet jane keto: ne me 27 vite ne gazetari jemi ne nje redaksi me qera ne bodrumet e te njejtit pallat ku banon Basha. Basha, me 8 vite pushtet, ka blere dy katet e fundit te pallatit. Po po. Jo dy apartamente, dy kate te tera: nje per vjehrren e nje per vete.

Ai eshte beu i pallatit, ndersa ne te korruptuarit qe jetojme ne bodrumet e tij. Kjo eshte opozita. Te thuash genjeshtra ne pushtet, ndodh ne gjithe boten, por te shpifesh ne opozite kjo eshte… Le ta gjykojne shqiptaret.

Harrova: Ka rrembyer më force dhe nje ashensor qe e perdor ekskluzivisht ai. Duke detyruar te gjithe banoret ta pranojne e ta urrejne ne heshtje

Pra zonja Malltezi zbulon këtë blerje “anormale” të kreut të opozitës ditën që ky i fundit akuzon në studion e televizionit të saj. Pse vallë nuk ndodhi më parë një gjë e tillë? Pse të dyja palët bëjën moralizime kur fare mirë mund të mbajën distancë nga njëri-tjetri për të shmangur këto incidente argëtuese?

Nga ana tjetër, zonja Malltezi bën mirë që merr seriozisht pasurinë e z. Basha dhe jo vetë z. Basha, por në këtë kuadër ajo, si person i informuar mund të na ndihmojë të gjithëve: sa kate ka Edi Rama? Po Erjon Veliaj?

Ndoshta zonja i ka këto informacione, mirë është t’i ndajë me publikun për të mos pritur edicionin e radhës të ofendimeve të kryeministrit që e quan studion e Report Tv si një vrimë ku mund të të sulmojë vampiri.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.