Studentë, takojeni Kryeministrin. Mos kini frikë nga logoreja dhe gjatësia e tij!

Postuar në 16 Dhjetor, 2018 15:53

Për protestën e studentëve ka folur sot në gazetën “Dita” historian dhe studiuesi Pëllumb Xhufi, që qysh në hapje e quan atë një lajm të mirë, apo si të vetmen protest demokratiek të viteve të fundit. Sipas Xhufit përgjegjësia për shkatërrimin e universitetit fillon me Partinë Demokratike që e plaçkiti atë duke caktuar aty militantët e vet të përjetshëm. Por PS-ja nga ana e vet ka përgjegjësinë e vet sidomos me ligjin “Për Arsimin”, miratuar në vitn 2015.

Përgjegjësitë fillojnë me PD, që e pushtoi universitetin në mënyrë të programuar, me militantë gjysmë analfabetë e të korruptuar, drejtues të emëruar e të përjetshëm, që u përpoqën ta kthejnë universitetin, me studentë e pedagogë, në një detashment blu për të ushqyer mitingjet histerike të saj.

Patjetër ka përgjegjësitë e saj edhe PS që u soll sikur të ishte një parti lordësh të epokës elizabetiane. Me Ligjin e ri të Arsimit të Lartë (2015) u shkeli syrin universiteteve private dhe drejtuesve të tyre milionerë, dhe u tregua indiferente e shpërfillëse ndaj universiteteve publike, madje i plaçkiti ato: u mori auditorët e zyrat për të futur aty “agjencitë” e veta të panumërta, të paemra e të papuna, ku sot e gjithë ditën qëllon të shkëlqejnë me kotësinë e tyre shumë nga djemtë e çupat e “rilindjes”.

Të njëjtën linjë sjelljeje ndaj institucioneve publike, ka mbajtur në këto vite qeverisja e PS edhe ndaj RTVSH, ndërkohë që begenisjet e përkujdesjet e saj e të Kryetarit të saj janë të gjitha për televizionet private. Me këtë raport të përmbysur mes publikes e privates, socialistët dhe vetë z. Rama nuk kanë pse çuditen për incidente si ai i protestës “ovale” (me vezë) të ndonjë viti të shkuar, kur Kryeministri e pa me vend të shkelë për herë të parë në një auditor të Universitetit të Tiranës, por jo për t’u takuar me studentët, por me përfaqësuesit e biznesit! Natyrisht, në këtë kontekst, kuptohen fare mirë edhe arsyet e pakënaqësive që studentët po shprehin sot

shprehet ndër të tjera Xhufi.

Sipas tij studentët duhet të ulen në bisedime me kryeministrin dhe nuk duhet të kenë frikë nga “gjatësia e as nga logoreja e Kryeministrit”.

Gjatësia e logoreja e z. Rama, më shumë se forca janë fatkeqësia e tij: zullumet apo gënjeshtrat e burrave trupmëdhenj e fjalëshumë shfaqen në përmasa kolosale, edhe kur janë të vogla. Pra, të shkojnë e ta takojnë Kryeministrin, i cili pretendon se është akoma “një prej tyre”. Jam i sigurt, se do jetë ai që do druhet prej studentëve

shton ai.

Sipas Xhufit kryeministri Edi Rama po luan në mënyrë shumë të keqe nga pikëpamje komunikative duke bërë ftesa për dialog në rrjetet sociale, që edhe kështu në të vërtetë synojnë marrjen e flamurit për zgjidhjen e çështjes. Lidhur me kërkesat studiuesi në fjalë sugjeron edhe një të vetën, që shkon përtej atyre të studentëve e që ka të bëjë me Ministrinë e Arsimit që ka dështuar, apo edhe të konvertimit politik të lëvizjes.

Nëse studentët do duan të shohin përtej 8 kërkesave e do duan t’i bëjnë një shërbim të paçmueshëm shoqërisë shqiptare, le të shtrojnë tek takimi me Kryeministrin edhe problemin e reformës zgjedhore e të asaj kushtetuese, për të cilin qeveria dhe akoma më shumë opozita heshtin. Kjo do të sillte hapjen e sistemit dhe mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme të paraqiteshin parti të reja.

Sot (dje), ditë e shtunë, duke kaluar para Ministrisë së Arsimit vura re se muret e jashtme të saj ishin pastruar nga parullat e “memet” e lëna nga studentët gjatë ditëve që manifestuan përpara atij institucioni. Mu duk një tentativë qesharake për të “shpëlarë kujtesën”, për të fshirë historinë e bukur të këtyre ditëve. Dhe u binda përfundimisht që zonja Nikolla duhet të iki, megjithëse studentët nuk e kanë kërkuar një gjë të tillë…Ministrja e ka baltosur edhe me gjëra të tjera, ku kryesorja, sipas meje, është vrasja e meritokracisë dhe betonizmi i mediokritetit në universitete, të cilin sot studentët sot kërkojnë ta shfuqizojnë me kërkesën e zgjuar për rivlerësimin e titujve shkencorë… Ndaj, më mirë të largohet, do shpëtojë arsimi e shkenca, do shpëtojë edhe ajo vetë nga një barrë që është tepër e rëndë për shpatullat e saj.

Dhe me që është rasti, do doja shumë që ndër kërkesat “shtesë” që Kryeministri thotë se ua ka lejuar studentëve në një bashkëbisedim të pritshëm me ta, të jetë edhe kërkesa për krijimin e një ministrie të re të Arsimit të Lartë e të Shkencës që të merret seriozisht me të ardhmen e këtyre dy sektorëve jetikë për formimin e rinisë dhe zhvillimin perspektiv të vendit

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.