Teatri Kombëtar, çështje e shqiptarëve

Postuar në 30 Tetor, 2018 14:03

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit njofton në faqen e vet në Facebook për një takim të zhvilluar dje mes përfaqësuesve të saj dhe ambasadorit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca. Përmes deklaratës së saj, Aleanca bën me dije për faktin se ambasadori është sjellë ftohtë dhe nuk ka dalë nga kostumi I diplomatit, duke aplikuar parimin e mosndërhyrjes në çështje të brendshme të vendit.

Ambasadori Soreca ishte mbështetës i përpjekjeve qytetare në mbrojtje të kauzave të ndryshme, por ndante qëndrim të kundërt me ne në disa pika thelbësore. Më konkretisht:

1. Reforma në drejtësi konsiderohet prej tij si një ndërmarrje e institucioneve shqiptare, të cilat duhet ta kryejnë procesin deri në fund. Delegacioni i BE do përpiqet të ndihmojë dhe të kërkojë me ngulm që procesi të përshpejtohet por nuk mund të ndërmarrë hapa përtej këtij roli.

2. Delegacioni, si dhe Komisioni Evropian, nuk pranojnë të shprehen në lidhje me problemet e brendshme kushtetuese dhe ligjore, pasi do tejkalonin rolin e tyre. Ashtu si për reformën në drejtësi në tërësi, edhe në rastin konkret Ambasadori mendon se vetëm institucionet lokale mund të japin një qëndrim të saktë.

3. Edhe kryerjen e një deklarate për të shtyrë vendime me kushtetutshmëri të dyshimtë Ambasadori e konsideron si përfshirje në çështje të brendshme.

4. Ambasadori nuk kishte një qëndrim ndaj një skenari hipotetik ku qeveria shemb godinën por më pas “ligji special” konsiderohet anti-kushtetues

thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Duket se çështja ka mbetur në dorë të shqiptarëve, ose të paktën të atyre që janë për idenë që godina e Teatrit Kombëtar të mos e shembet. Aleanca njofton se për mbrojtjen e godinës historike ka mbetur vetëm opsioni përplasjes fizike, sa kohë që qeveria është e vendosur të çojë përpara vendime të dyshimta dhe në kushtet kur mungon Gjykata Kushtetuese.

Në fund të takimit, Aleanca e siguroi Ambasadorin se Teatrin do e mbrojmë deri në fund, qoftë edhe me përplasje fizike. Jemi të bindur, sot më shumë se kurrë, se problemet e Shqipërisë mund dhe duhet ti zgjidhin vetë shqiptarët. Sado dashamirës ose jo të jenë ambasadorët e huaj në vend, është e qartë se ideja që zhvillimi i vendit vjen prej tyre është një mit i rrezikshëm mbi të cilin nuk mund të mbështeten më shpresat e shqiptarëve

thuhet në deklaratë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.