Tradhëtia e përgënjeshtruar e ish-gjeneralëve shqiptarë*

Postuar në 28 Shtator, 2018 15:16
Lekë Tasi

Me të drejtë gazetari Afrim Imaj e vlerësoi në hyrje të intervistës ish-numrin një të Prokurorisë komuniste, z. Rrapi Mino, si një person jo të egër, por as edhe naiv. Kjo ndihmon këdo që do të kuptojë realitetin e atëhershëm, përtej paragjykimeve të prera pro dhe kundër personave që ishin përfshirë në të. Intervista e vërtetoi me vetë faktet e treguara se kushdo, madje ata me pozitë të lartë, paçin qenë fillimisht me vullnet të mirë apo të keq, kanë qenë thjesht të kapur nga mekanizmi i hekurt i paligjësisë, pra numra. Por pohimi i Minos se e detyronte ligji të vepronte ashtu siç veproi në karrierën e tij s’mund të pranohet, kur aty pranë thotë që nuk i lejohej as të hidhte sytë në disa hetime e gjyqe, për të cilat ai ishte përgjegjës për nga funksioni. A mund të jetë fjala ligj ndonjë farë strehe për ndërgjegjen e cilitdo juristi në funksion, që pranon t’i vijnë vendimet nga lart? Tani mbas kaq ndryshimesh, së paku në fushën e normave ligjore, jo të zbatimit akoma, do të ishte e mençur nga ana e tij ta plotësonte pohimin e tij me fjalinë: ishim të detyruar të vepronim ashtu, pra kundër frymës së ligjit.

Dhe ta shpjegonte që jo vetëm atij ligji që ishte i lidhur nga ndërgjegjja, por as atij që ishte botuar në Fletoren Zyrtare s’mund t’i përmbahej kur e urdhëronin ta shkelte. Se dihet, në ligjet e botuara para dhe mbrapa 1976-s, nuk thuhej që i pandehuri të trajtohej me ato presione torturuese që në tregimin e tij dalin qartë. Ishin të gjithë të detyruar të bindeshin, kurse Shqipëria si shtet anëtar i organizmave ndërkombëtarë, mbante dy standarde, një të botuar dhe një të zbatuar, që natyrisht ishte e kundërta e ligjit. Kështu, e tërë historia e treguar del një lëmsh normash kinse ligjore, që shkeleshin pa filluar mirë procedura e gjykimit. Në atë sklerotizim të jetës, edhe rrugëdalja e dorëheqjes bëhej e pamendueshme. Atëherë ai tregoi veten vetëm në një rast, kur nuk firmosi arrestimin e një kolegu. Dhe kjo me pasoja…

Megjithatë, çka e bën tërë intervistën me shumë vlerë është pohimi i ish- Prokurorit të Përgjithshëm se “gjeneralët u dënuan jo për tradhti”. Askush nuk mund ta dijë të vërtetën më mirë se ai. Përmbyset kështu për të parën herë dhe me autoritetin e kuadrit më të lartë të strukturës gjyqësore, madje asaj mbrojtëse të rendit demokratik, përralla e puçit që e paskësh rrezikuar pushtetin popullor dhe sigurinë e vendit. Po na del sheshit si një mizori kriminale tërësisht arbitrare ekzekutimi dhe burgosja e rangjeve të larta të ushtrisë. Po konfirmohet publikisht në shtyp ajo që dihej qysh herët ndër ata që u përfshinë në atë pastrim dhe s’guxuan ta shprehnin deri sot.. Një fjali e vetme kjo e z. Mino, por ia vlen, aq më tepër kur 10 faqet e tjera e ilustrojnë mjaft besueshëm. Pra, “tradhtia” që mori dhenë në mesin e viteve ‘70 qe një profkë e madhe, e sajuar për të ruajtur kreun, diktatorin, që ai me komoditetin maksimal të bazuar në 30 vjet sigurim personal, (dhe jo “Sigurim të Shtetit” siç quhej gjoja dhe vazhdon të quhet duke i dhënë ngjyrë ligjore asaj bande në mbrojtje vetëm të Njëshit). Qëllimi i vetëm i tij dhe veglave të tij : të rregullonte llogaritë e tij perspektive me anë plenumesh, grindjesh brenda komandave dhe kolegësh, vlerësimesh dramatike për taktika e strategji kinse të rrezikshme dhe në fund ekzekutimesh e burgimesh, të zhdukeshin të gjithë pretendentët për vendin e lartë dhe pushtetin ta trashëgonte personi i duhur, siç ndodhi në fakt… E bashkuar kjo me historinë e celulës komuniste të Beratit, të publikuar tash vonë në gazetë, (që u godit me ekzekutime përmes dorës së huaj Kristaq Capo dhe Kristaq e Margarita Tutulani, viktima të dekonspirimit të R. Alisë te Questura), e opsioni merr shtat.

Të dyja çështjet, gjyqi i montuar për gjeneralët dhe diktati i kuesturës mbi elementët e rekrutuar në majën e Partisë, vënë në dyshim grupin e ngushtë komandues të LNCl. Është theksuar e trumbetuar deri tash se ajo luftë qe shprehje e unitetit parti-popull dhe vetëm më vonë paskëshin qenë ca devijime prej kultit të individit që e dëmtuan. Kjo tezë e mbajtur si e vlefshme prej një krahu të opinionit dhe që tani po rifuqizohet nëpër gazeta nga po ai krah, asnjëherë s’i ka ndarë përgjegjësitë historike, edhe pse mes përkrahësve të saj ka studiues që mund ta bëjnë këtë, ish-kuadro të goditur, por ende të gjallë – militantë të moshuar që i dinë gjërat dhe s’u vjen për shtat t’i thonë. Madje, s’kemi asnjë punim historik mbi të Majtën në Shqipëri, çfarë ishin ata që e ngjallën lëvizjen komuniste për prirje idealeLulo, Mala, Malëshova, Fundo, Tashko, Xhepi, Fallo, Zisi etj., a kishin ndonjë vlerë, arsye për t’u zhgënjyer e pozicionuar ndryshe ose kundërshtuar brenda partisë siç e donte praktika leniniste etj., të thuhet qartë e me hollësi si pjesë e historisë tani që janë ulur gjakrat, apo ishin vërtet agjentë që e meritonin plumbin ose burgun nga studenti i Monpelliesë- sekretar në Bruksel- profesor në Korçë dhe dyqanxhi n’Tiranë? Kritikat kanë ardhur nga krahu kundërshtar dhe janë hedhur poshtë nga të mbijetuarit fatlumë që s’i ka zënë kalemi.. Po ta kenë me bindje këtë version, atëherë duhet patjetër një përgënjeshtrim i tyre, me autoritet, d.m.th me dokumente nëse munden, që të bien poshtë si të pabaza qoftë deklarata e Minos, ashtu dhe ajo që na referon familjari i K. Capos me mjaft dëshmitarë të atyre ditëve, sikurse dhe ata për Qemal Stafën. Madje, Italia mike do të humbiste shumë nga simpatia që gëzon në Shqipëri po të mos bëjë transparencë sot mbas 80 vjet për këtë prapaskenë mes organeve fashiste dhe kryesisë PKSH, e cila mori më qafë shumë luftëtarë atëherë dhe konsolidoi në pushtet një grup që do të thellonte terrorin për gjysmë shekulli si mbi armiqtë, ashtu dhe mbi vetë ushtrinë e partinë e vet, madje mbi më të vlefshmit e tyre nga ana profesionale.

Është detyrë humane dhe shoqërore që atë që e di populli i Beratit prej kohësh dhe familjet e oficerëve gjithashtu, të zyrtarizohet duke u sqaruar se si ka qenë realisht. Por, më tepër është çështje dinjiteti të mos jetojmë pa afat me një version historik të pandershëm. Gjaku që u derdh me dëshirë për liri me ndjenjë patriotike dhe shumë herë me heroizëm nuk humbet kurrë, i cilësdo anë t’i ketë përkitur. Përkundrazi, bëhet tërësisht vlerë dhe faktor uniteti vetëm nëse del në shesh falsiteti që iu ngjit historisë së luftës, duke derdhur në kohë paqeje gjak tjetër dhe duke ia humbur gjurmët djallëzisht atij me ndërrime vendvarrosjesh. Si nuk e mendojnë këtë “derr në thes” që mban opinioni ynë dhe Shqipëria, ata që kërkojnë të ruajnë si gjëra të shenjta, si gjakun e bijve të saj edhe helmin e vrasësve të tyre?

Panorama

*Titulli i ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.