Korrigjojeni atë hartë!

Postuar në 26 Gusht, 2018 14:04

Tashmë është e qartë, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ka një qëndrim të ndryshëm për ndarjen e Kosovës nga ai i shefit të vet politik, kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit nuk është shprehur as pro as kundër, por nëse konsiderojmë metrat komunikativë që Rama përdor prej vitesh, atëherë opinion i para disa ditëve i shërbyesit të tij, Baton Haxhiu, me titull: “Ç’ka nëse ia dalin” duhet marrë si shprehje e miratuar edhe kryeministri shqiptar. Edi Rama është në favor të pazarit e Serbinë, për lëshim territoresh, për pazarin e radhës ku ai dëshiron protagonizëm dhe lajle lulet e paqifikuesit. Mirëpo z, Bushati po shprehet ndryshe:

Duhet pasur parasysh se çka është vendosur tashmë në kuadër të Paketës së Ahtisaarit, e mishëruar në Kushtetutën e Kosovës, nuk do të mund të tjetërsohet përmes një marrëveshjeje të re. SHBA, BE dhe NATO kanë investuar shumë në promovimin e multietnicitetit të Ballkanit për të siguruar që shoqëritë mbeten të hapura. Kjo mbetet një sfidë e vështirë, por jo e pamundur. Rajoni ynë ka pësuar ndryshime të mëdha në dekadat e fundit, në sajë të fuqisë transformuese të BE-së. Dalja nga ky kurs do t’i kushtonte shqiptarëve dhe të gjithë rajonit

u shpreh ai dy ditë më parë në një intervistë për gazetën “Panorama”.

Këtu rëndësi nuk ka më qëndrimi i Hashim Thaçit, një njeri që njësoj si Ali Ahmeti në Maqedoni është gati të thotë çdo gjë vetëm e vetëm që të rrijë në karrige. Këtu rëndësi për historinë e kuriozitetit dhe asgjë më shumë, ka qëndrimi i z. Rama. Ky është politikani që u fry dhe fryu për nja dy vjet nacionalizmin mediatik të shqiptarëve. U vetëpërkëdhel kur serbët e akuzonin se qëndronte pas dronit ën Beograd, madje u kënaq edhe më shumë kur pamja e banderolës së dronit – Autochthonous – u shfaq në murin e kryeministrisë. Sulmet e Beogradit ndaj tij apo edhe të Greqisë vetëm sa shërbyen në këtë drejtim.

Sot z. Rama ka marrë lapsin me ngjyra që mban në zyrë dhe ka nisur të vizatojë mbi banderolë. E bën këtë në heshtje, pasi heshtja mesa duket justifikon aludimet për ndonjë frymëzim sublim, apo të lartë. Edhe kjo është e mundur, por ne të tjerëve na  duhet të kërkojmë arsye më praktike. Më konkrete, banale pse jo si p.sh etja për të qenë i përfolur, apo edhe lobimi për ndonjë takim aq shumë të dashur. Parimisht, pra pa u lidhur detyrimisht me kryeministrin aktual, arsyet për të kuptuar Tiranën dhe Prishtinën na i japin vetë serbët, të cilët duhet t’i  falenderojmë:

Ne duhet të vëmë në punë të gjitha mënyrat që të bindim Tiranën të pranojë disa nga të zhvendosurit aty. Besoj se do të kemi vështirësi me Tiranën…sepse do të përpiqet ta pengojë procesin. Nëse kjo ndodh, paratë luajnë një rol të rëndësishëm në Tiranë. Në negociatat mbi këtë çështje qeveria shqiptare duhet të informohet se nuk do të ndalemi para asgjëje për të arritur qëllimin tonë…Eventualisht paria në Tiranë do të shojë përfitimin material nga kjo dhe do të bindet përmes kanaleve sekrete që të mos ngrejë asnjë kundërshtim ndaj të gjithë kësaj çështjeje

Ky fragment i shkëputur nga Çubrilloviçi, shpjegon më mirë se kushdo tjetër vendimet e Tiranës zyrtare dhe heshtjen e saj. Përrallat për marrëveshje historike që trumbetohen lart e poshtë dhe sponorizohen nga zyrtarë të thartuar europianë nuk ngjisin edhe pse në fund fare kufijtë në Ballkan janë ndarë nga të huajt, por pa prodhuar ndonjëherë qetësi. Pse duhet të kenë sukses tani?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.