Tensioni turko-amerikan si shtesë e rreziqeve rajonale

Postuar në 17 Gusht, 2018 03:03
Ian Lesser - German Marshall Fund

Menaxhimi i marrëdhënieve turko-amerikane nuk ka qenë kurrë i lehtë. Por bllokimi i tanishëm mes Uashingtonit dhe Ankarasë është befasues, edhe me standardet e një marrëdhënieje historikisht të vështirë. Në zemër të problemit qëndron tensioni mes gjeopolitikës dhe sjelljes, mes interesave strategjike dhe politikës praktike. Në erën e Trump dhe të Erdogan është po ashtu një çështje e stilit diplomatik – ose ndoshta jo edhe aq diplomatik.

Në të dyja anët dominon një klimë nacionalizmi të nxehtë dhe mosbesimi. Turqia dhe NATO mbeten aleatë të NATO-s, me një rol të fuqishëm në bashkëpunimin rajonal. Angazhimi dypalshësh ndër-ushtarak vazhdon. Ftohja e tanishme nuk është domosdoshmërisht e përhershme. E megjithë precedentët historikë, kriza e tanishme në marrëdhënie ka disa elementë veçanërisht shqetësues  që mund të zgjasin në kohë. Sidoqoftë, tensioni mes Uashingtonit dhe Ankarasë nuk është një lajm i mirë për rajonin.

Çështjet në diskutim janë të mirënjohura. Turqia kundërshton mbështetjen e SHBA për forcat kurde në Siri me lidhjet e tyre të ngushta me PKK-në dhe është e irrituar nga mungesa e dëshirës së SHBA për të ekstraduar Fetullah Gulenin, klerikun turk që qëndron në ekzil në Pensilvani, të cilin Ankaraja e konsideron si trurin e përpjekjes për grusht shteti në korrikun e vitit 2016.

Me më shumë rëndësi, ka një mosbesim të madh dhe të thellë ndaj SHBA-së në publikun turk si dhe mes politikanëve të të gjithë spektrit politik. Uashingtoni perceptohet gjerësisht si i pabesueshëm në variantin më të mirë dhe në rastin më të keq, një kundërshtar aktiv i ambicieve turke.

Nga perspektiva e Uashingtonit, milicia kurde në Siri ka qenë mes aleatëve më efektivë në luftën kundër ISIS dhe ushtria amerikane ka ngurruar që t’i braktisë ata. Administratat amerikane nuk janë ndjerë rehat me prezencën e Gulen në SHBA, por ato po ashtu nuk janë bindur nga evidencat e ofruara nga Ankaraja në mbështetje të kërkesës për ekstradim, apo nga nocioni se ai do të ketë një gjykim të ndershëm në Turqi. Në një kohë përkeqësimi të marrëdhënieve të Perëndimit me Moskën, vendimi i Turqisë për të blerë sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400 është parë si një akt që bie ndesh me interesat e NATO-s, politikisht por edhe në planin operacional.

Administrata e Trump, ka zgjedhur - me mbështetje të fortë në Kongres – që të vendosë sanksione në disa fronte ndaj Turqisë. Ligji i ri për autorizimin e mbrojtjes ndalon transferimin e avionëve F-35 drejt Turqisë për aq kohë sa marrëveshja për S-400 mbetet në fuqi. Zyrtarët amerikanë janë instruktuar që të bllokojnë mbështetjen ndaj Turqisë në institucionet financiare ndërkombëtare. Dhe së fundmi, sanksione të posaçme, ndonëse më shumë simbolike, janë imponuar ndaj ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisëë për rolin e tyre në mbajtjen për një kohë të gjatë në burg të pastorit amerikan, Endrju Brunson si dhe burgosjen për të cilën dihet më pak nga publiku, të disa punonjësve të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Këto nuk janë sanksione që nuk kanë precedent. Turqia ishte nën sanksione për vite të tëra pas ndërhyrjes së vitit 1974 në Qipro dhe sërish gjatë konfliktit me PKK-në në mesin e viteve ’90.

Çfarë ndryshon sot?

Së pari, potenciali për ndryshime të thella interesi dhe politikash ndaj Rusisë dhe Iranit.

Së dyti, retorika nacionaliste ndezëse dhe opinion publik tani luajnë role qendrore, sidomos në anën turke. Nga ana e SHBA-së, “klasa strategjike”, mbështetës tradicionalë të marrëdhënieve me Ankaranë, është shumë e zhgënjyer me Turqinë dhe lidershipin e saj.

Së treti, ky zhgënjim ka përftuar një përmasë personale – me pengjet.  Ajo mbahet po ashtu gjallë nga fyerjet e liderëve. Lidershipi i Ankarasë e sheh sjelljen e SHBA-së si një kërcënim të drejtpërdrejtë. Dhe administrate Trump, jo vetëm zv.presidenti Mike Pence dhe shumë në kongres, e shohin çështjen “Brunson” si një fyerje ndaj lirisë së besimit fetar. Ky miksim toksik i fërkimeve strategjike dhe individuale do të jetë i vështirë për t’u zhbëhet.

Në të njëjtën kohë, kjo është një marrëdhënie që është kritike për menaxhimin e krizave në Gjirin Persik dhe Mesdheun Lindor, Detin e Zi dhe Ballkanin dhe e cila është dobësuar. Uashingtoni po kërkon tashmë për rrugë që synojnë mbrojtjen nga pasiguritë e marrëdhënieve me Ankaranë, përfshirë lidhje më të afërta sigurie me Athinën dhe partner të tjerë rajonalë. Kjo nuk është gjë e keqe. Greqia është gjithashtu një kontribuese në stabilitetin e fqinjëve të vet. Agresiviteti  turko – amerikan dhe nacionalizmi që po rritet do të bëjnë shumë pak në përmirësimin e shpresave dhe perspektivave për sigurinë apo menaxhimin e krizave në një zonë qysh tani të pastabilizuar.

Burimi: Kathimerini

Përkthimi nga ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.