Studimi i Fondit Marshall: Siria, Libia dhe Iraku, mund të mos kthehen më në kufijtë e tyre

Postuar në 04 Gusht, 2018 14:03

NATO duhet të përqendrojë vëmendjen e vet drejt Mesdheut ku duket se janë fermentuar sfidat kryesore të sigurisë për Europën dhe më gjerë. Ky është pak a shumë konkluzioni i një studimi të kryer nga Fondi Marshall, me titull: “E ardhmja e Dialogut Mesdhetar të NATO-s”, publikuar edhe në faqen zyrtare të Aleancës.

Autorët vënë në dukje faktin se mjedisi i sigurisë në Mesdhe ka ndryshuar mes shpejtësi dhe në këto kushte NATO duhet të ripërkufizojë objektivat e vet dhe prioritetet, meqenëse edhe vetë organizata ka evoluuar nga një “organizatë e mbrojtjes kolektive” në një “organizatë të mbrojtjes dhe të sigurisë”.

Rreziqet mesdhetare nuk janë vetëm transnacionale. Ato janë rreziqe ndër-rajonale dhe transatlantike

shkruajnë autorët.

Migracioni dhe terrorizmi mbeten dy problemet kryesore që identifikohen nga autorët e studimit që vënë theksin te disa zhvillime që e vendosin Perëndimin në një kontekst paradoksal: Një ndër arsyet e përkeqësimit të klimës është rënia e garancive që ofroheshin nga shtete si Libia, Siria dhe Iraku që ose u shkatërruan nga mësymjet e huaja – SHBA-Angli – ose u dëmtuan rëndë nga Pranvera Arabe, e brohoritur në Perëndim si era e re e demokracisë.

Në këtë kuadër, parashikimet e bëra në studim janë shumë të zymta. Sipas analizës në fjalë shtete dikur të fuqishme dhe që ishin garantë të qetësisë në Mesdheun e Jugut, si Libia, Siria dhe Iraku mund të mos kthehen më në kufijtë e tyre. Po kështu një mundësi është edhe arritja e pavarësisë së kurdëve dhe krijimi i një shteti kurd që do të tjetërsonte të gjithë peizazhin e sigurisë në Lindjen e Mesme.

Por probleme serioze paraqiten edhe në Afrikën Magrebine dhe Subsahariane, që cilësohet këtu si periferi e Europës.

Fragmentarizimi në Libi dhe lëvizjet drejt autonominë kurde, apo edhe pavarësisë, mund të çojnë drejt një norme të re dhe kjo do të jetë e vështirë të pajtohet me interesat e shteteve të fuqishme në rajon. Përveç kësaj, Egjipti dhe shtetet e Afrikës së Veriut në përgjithësi do ta kenë të vështirë të mbikëqyrin hapësirën që kufizohet me Sahel(rajoni mes Saharasë dhe Savanës afrikane) dhe mund të humbasin kontrollin mbi pjesë të tëra të territorit të tyre

thuhet në studim. Një konstatim që i bën jehonë një analize realiste të asaj që prodhoi aventura demokratizuese e Pranverës Arabe.

Lidhur me rajonin tonë, studiuesit thonë që Ballkani mund t’i lihet nën menaxhim europianëve, ndërkohë që nga perspektiva strategjike e Perëndimit, Spanja, Italia dhe Greqia përbëjnë shtyllat e sigurisë. Lidhur me Francën, vihet re se ajo është shumë e dyzuar në marrjen e një roli drejtues në emër të NATO-s në Afrikën Perëndimore, apo edhe Veriore, ku edhe ka ndikim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.