Një largim i detyruar dhe jo një model politik

Postuar në 04 Maj, 2018 16:24

Sajmir Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit. Është një akt dinjitoz tha me këtë rast kryeministri Edi Rama. 
Sajmir është djalë i mirë, tregoi shembull, është model, ia mbajtën këngën të tjerët në media. 

Është paradoksale të shohësh sesi një mazhorancë që entuziazmohet nga ky akt, kur është po kjo mazhorancë që përjetonte dramën e përfshirjes së ministrit të vet të Brendshëm në trafiqe pak muaj më parë. 

Pas ditës së sotme mund të përfliten gjithfarë skenarësh e të hamendësohen lloj lloj llogarish. Por e vërteta publike mbetet se ish-ministri i Brendshëm u largua sepse nuk mbrohej dot më dhe sepse u kthye në kosto të pamenaxhueshme. Ky është lajmi i vetëm i mirë që i jep një farë energjie interesit publik. 

Për sa i përket vallëzimeve analitike dhe deklarimeve të kryeministrit apo si ato të tij, ato duhen marrë ashtu siç janë. Shprehje e një situate gati prej viktime politike. Është ky kryeministër dhe analistët që i shkojnë pas që gjashtë muaj më parë, kur shumica refuzonte të jepte mandatin e Tahirit që argumentonin se nuk deputetët nuk kanë imunitet. Se imuniteti ishte një keqkuptim gazetarësh që nuk lexojnë. Ka madje edhe sekuenca video të z. Rama për këtë çështje. 

Pse atëherë dorëheqja quhet akt dinjitoz dhe përgëzohet sot? Ka vetëm një arsye: sepse ajo korrigjon disi atë mbrojtjen e fortë politike që iu dha Tahirit me argumentin se prokuroria nuk kishte paraqitur prova. E se madje nën zë, kjo kishte shumë rëndësi në kushtet kur prokurorët ishin të gjithë nga Tropoja. 

Kjo inkoherencë tradhëton problemin e vërtetë me çështjen “Tahiri” sidomos pas dushit në Gjermani. Është e qartë se përdorimi dhe ripërdorimi reciprok është një tregues i klimës së tensionit ku në dritën më të keqe nuk del politika, por media dhe avokatia e saj e paprinciptë. Është njëra gjë të mbash anë dhe krejt tjetër të mbyllësh sytë para çdo gjëje dhe të deformosh perceptimin mbi interesin publik. Kjo çështje provoi më së miri llojin e medias që vepron në Shqipëri.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.