Shqipja e Samir Manes dhe shqipja e Ilir Metës

Postuar në 03 Mars, 2018 12:24

Kush nuk e ka parë debatin televiziv në Top-Channel mes biznesmenit Samir Mane dhe dy gazetarëve, Ylli Rakipi dhe Andi Bushati, nuk është keq t’i hedhë një sy. 
Jo vetëm për kompozimin anormal të diskutimit – një moderator - një biznesmen – një analist që ndjek modën “ideologjike” të të varfërve, por edhe për faktin konvencional të guhës së përdorur aty. 

Normalisht me një njeri që drejton kaq shumë biznese, që menaxhon qindra milionë dhe ka të punësuar shumë njerëz, do të duhej një tjetër skemë pyetjesh, pritet një tjetër standard bisede. Nga njerëz të tillë vijnë zakonisht këshilla, zbulohen projekte dhe ambicie të reja, flitet për të ardhmen. 
Jo. Në atë debat u fol njësoj sikur të ishe duke këmbyer euro me lekë te ndonjë kambist informal në rrugë. Që të sqarohemi menjëherë: me fjalor të kambistit nuk është fjala për formimin dhe integritetin personal të kambistit, por për raportin shumë të kufizuar të shqipes komunikative në këtë rast që mund ta riprodhojmë pak a shumë: 

   Me sa e ke euron? 
-    Me 1.3
-    Më bëj 500
-    Numëroji
-    Ok janë. Natën!

Ky raport komunikativ nuk na dëshmon detyrimisht kapacitetin e kambistit dhe të klientit, por vetëm marrëdhënien e punës që këta të dy kanë në një proces shumë konkret. 
Pak a shumë kjo gjuhë, kjo shqipe u përdor në një debat prej nga ku pritet tjetër gjë. Mane në rolin e dikujt që pyetej, thumbohej apo akuzohej se i ka të gjithë në xhep, nxitonte që me një shqipe pazari të sqaronte dhe formulonte alibitë e veta. 

Neptuni konkuron në treg”, ishte fjalia më ekonomike e z. Mane. 
Rasti në fjalë është emblematik për të ashtuquajturin kapitalizëm shqiptar. Shqipja e varfër që ngjitet kaq lart na rrëfen më mirë se çfarëdo lloj gjëje tjetër, atë që në realitet është marrëdhënia e punës në këtë vend, suksesi, biznesi dhe i ashtuquajtur treg. 

Një kapitalizëm që nis me intuitën dhe përfundon në model matrapazi. Shkelje, syril dorovitje, Pazar dhe lobim gjithëarmësh ndaj pushtetit. 
Nuk dëgjon te z. Mane asnjë moment nga stresi dhe jeta e biznesmenit, asnjë parashtrim për tregun, as edhe ndonjë akuzë për pushtetin, për rregullat e lojës që prishen dhe ndryshojnë. E kundërta madje na vjen në veshët tanë. 

Një shqipe të tillë kaq të varfër e hasim tek Ilir Meta, lloji i politikanit që dikur bëri moto të vetën: “Koha për veprim”. Suksesi që arriti i dha të drejtë, por kjo është një e drejtë e zhdrejtë që afirmohet në kuadër të rrëgjimit të çdo rregulli. 

Z. Meta, i hoqi politikës rëndësinë e Fjalës, lëvrimit të saj dhe diferencimit të komunikimit në emër të një filozofie praktike që ka si objektiv angazhimin dhe madje dhënien e një roli protagonist të pjesës më të margjinalizuar të shoqërisë. Atij nuk i hyn në punë Fjala, por mbajtja e Llafit që është edhe ashtu një premtim për punë në administratë, e të tjera dhurata banale që bëjnë shumë punë në këtë vend. 

Përkimi është fatkeq sepse dy modele suksesi si këto na thonë shumë për atë që ndodh pas kuintave. Duhen pak fjalë, pak letra, duhet të jesh në tavolinën e duhur, të japësh atë që duhet dhe punët nisin e ecin. MInistrat duket se binden më lehtë sesa votuesit, ndonëse siç mund të pritet janë më të shtrenjtë. 

Kujt i duhet atëherë stërhollimi? Askujt. Në botën e biznesit, të paktën atë që shohim nga jashtë, Gjuha nuk është veçanësi, apo hobi, por domosdoshmëri në krye të një procesi të ndërlikuar që kërkon patjetër edhe aftësimin dhe familjarizimin me rregulla tregu dhe norma juridike. Kjo përbën bazën e një kulture të domosdoshme që reflektohet patjetër edhe te gjuha që siç mund ta vëmë re, është shumë e ngritur. 
Ndaj Shqipja e z. Mane na thotë diçka më shumë se të gjtha miliardat e tij të cilat urojmë t’i gëzojë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.