Shtatorët e (mos)arrestimeve të bujshme, si garanci e mundshme për Adriatik Llallën

Postuar në 17 Shkurt, 2018 19:11

Dje Prokuroria e Përgjithshme doli me një deklarim zyrtar rreth pyetjeve që i janë adresuar për çështjen e ndalimit të hyrjës së Adriatik Llallës në ShBA. 

Thuhet në njoftim: 

Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë i jep përparësi integritetit moral dhe profesional të zyrtarëve.

Populli shqiptar pret dhe meriton që zyrtarët të punojnë me ndershmëri dhe integritet në të mirë të interesit publik.

Ne u japim mbështetjen e plotë të gjithë prokurorëve që punojnë me përkushtim, dinjitet dhe integritet.

Gjithashtu mbështesim qëndrimin për ndëshkimin e cilitdo që cenon parimet e shtetit të së drejtës

Ky mesazh duket se i thotë atyre që lexojnë: Jemi me Ju. Edhe ne duam që korrupsionit të luftohet dhe bujrum, kush ndëshkohet ka mbështetjen tonë. 

Në fakt, qëndrimi i Prokurorisë është një shenjë e keqe. Sepse personi të cilit iu ndalu hyrja në ShBA ka qenë deri para pak kohësh titullar i Prokurorisë së Përgjithshme. Ai është një person i zgjedhur nga Parlamenti dhe Presidenti në atë detyrë dhe akuzohet se për të ka informacione të besueshme se është përfshirë në korrupsion. Ky është informacion i Departamentit Amerikan të Shtetot, i cili i ka vënë vizën Adriatik Llallës dhe ka rënduar mirë dorën mbi të ashtuquajturin organ të ndjekjes penale në Shqipëri. 

Nëse shohim këtë akt të DASH, qëndrimin e Prokuorisë së Përgjithshme dhe ligjin organik të saj, vëmë re një zhbalancim të madh. Kemi një vendim me akuza konkrete, kemi një prokurori që shprehet si zyra e BE-së në Tiranë, pra vetëm inkurajon miletin të luftojë korrupsionin dhe ligjin për Prokurorinë, i cili që në nenin 2 thotë qartë se “Prokuroria ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në emër të shtetit”. Po kështu, prokuroria nis hetimet kryesisht dhe këtu jemi në kushtet e qarta kur ndaj Adriatik Lllallës duhet të nisë hetimi penal. 

Përrallat mediatike të pushimeve luksoze, janë në mos hakmarrje personale, një mënyrë për të zhvendosur vëmendjen nga çështja kryesore: nisja e hetimit. Dhe këtu po bllokohet çdo lëvizje për të stisur një debat fals mbi “dënimin pa gjyq” për Llallën. Nëse dikush mund të shtrojë pyetjen se përse nuk po nis hetimi, mbetet vetëm një përgjigje: sepse askush nuk e do nga politika këtë gjë. E mbani mend deklaratën e famshme të Lllallës se “në shtator do të ketë arrestime”. Ai shtator nuk erdhi kurrë dhe kjo është edhe avokatia e tij më e mirë. Askush edhe sot që flasim nuk merr mundimin se për çfarë informacionesh bëhet fjalë dhe këtë nuk po na e tjotë as politika dhe as prokuroria që luan me deklarata imazhi. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.