I njëjti gabim si ai i PS-së në vitin 2009

Postuar në 18 Dhjetor, 2017 14:12

Situata e sotme e krijuar pas zgjedhjes së Arta Markut si Prokuror i Përgjithshëm i përkohshëm, gjen analogji me zhvillimet politike të vitit 2009, të paktën në qasjen politike.

Opozita e përfaqësuar nga PD-LSI, sot e konsideroi procedurën antikushtetuese dhe ajo me të drejtë i referohet Kushtetutës. Por në krijimin e kësaj situate të dyja partitë në fjalë kanë kontribuuar edhe vetë, ndërkohë që kërkesa e tyre sot në fakt gjen përgjigje vetëm në Gjykatën Kushtetuese. Të dyja partitë kanë përvojë në këtë drejtim, njësoj si kundërshtarja e tyre e momentit, PS.

Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, që PS-ja i humbi me 83 mijë vota diferencë, prej saj u kërkua rinumërim votash në mbarë vendin. Kolegji Zgjedhor ia hodhi poshtë PS-së këtë kërkesë dhe mandej, socialistët zgjodhën rrugën e bojkotit parlamentar dhe të protestave me moton: Hap kutitë ose largohu.

Të njëjtën situatë shohim sot për një çështje tjetër: Opozita po kërkon pezullim të procedurës, e quan antikushtetuese zgjedhjen e prokurorit të përkohshëm duke konsideruar se përtej kësaj kërkese interpretimin juridik të së cilës e legjitimon vetë, mbetet kaosi.

Në vitin 2009, socialistët u tërhoqën nga bojkoti ditën e fundit të 6-mujorit, pasi përndryshe do digjnin mandatet. Ish-kryeministri Sali Berisha u mbrojt deri në fund me argumentin se opozita mund të shkonte në gjykatë për shterimin e pretendimeve të veta, çka në dritën e kërkesës për rinumërim në mbarë vendin, me siguri që do rrëzohej.

I njëjti rreth vicioz është krijuar edhe sot. Opozitës po I bëhet thirrje që të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që procedura për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm ka nisur me kalimin e 3 kandidatëve të shoqërisë civile drejt ONM-së. Ankimi në Kushteuese kërkon kohë dhe opozita nuk e ka këtë luks, por ajo nuk ka me vete as arsyen për të bërë protestë për këtë “kauzë” pa konsumuar rrugët kushtetuese.

Siç e dimë, dhe këtë më mirë nga të gjithë e dinë ata që janë në atë sallë, kur pret shkurt për çështje të tilla, në një sistem juridik që e ka procedurën shumë të rëndësishme, të del gjatë. Madje pa gjë. Kështu doli PS-ja e cila nisi t’i binte murit me kokë nga viti 2009 e deri në vitin 2013, kur njollosi përfundimisht veten me një kontratë startegjike me një parti kundër të cilës kishte nxjerrë njerëzit në protestë.

Dhe edhe sot si atëherë PS-ja, është axhenda politike ajo që prevalon mbi gjoja kërkesën për drejtësi dhe zbatim kushtetute. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.