Luftë ekonomike PS-LSI

Postuar në 14 Dhjetor, 2017 14:12

Ka një luftë të hapur tashmë – ekonomike – mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërkohë që socialistët janë gozhduar nga çështja “Tahiri”, qoftë nga PD-ja, qoftë nga LSI-ja dhe flagranca e situatës së krijuar, kundërveprimi i tyre “çuditërisht” është përqendruar te partia e Ilir Metës. Na kujtohet të gjithëve sesi ish-deputeti socialist Koço Kokëdhima deklaronte dikur se “Balialjt janë njerëz të LSI-së”, duke konfirmuar spekullimin se grupi ekonomik në qytetin e Sarandës ka lidhje të afërta me partinë e Metës.

Dhe në fakt këto ditë, pas sekuestros së resotit “Santa Quaranta”, kemi goditjen e dytë në parlamnet, kësaj radhe me disa kontrata të Ministrisë së Bujqësisë me Balilajt. Po kështu, ditë më parë, pati një përplasje mes ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe numrit dy të LSI-së, Petrit Vasili për përpunimin e mbetjeve dhe inceneratorët, një tjetër sector ekonomik ku zhvillohet luftë e madhe.

Këto lëvizje që inkuadrojnë lidhjet ekonomike të njerëzve që kanë qenë të zgjedhur të LSI-së, dëshmojnë për një konfrontim frontal mes dy subjekteve në fjalë. Ato zhvillohen paralel me reformën në drejtësi dhe debatet për ngritjen e institucioneve të reja.

“Është partia e Klemend Balilit, Lëvizja Socialiste për Integrim. Ka një ish ministër që ka firmosur për t’i dhënë toka bujqësore familjarëve të tij, në një kohë që ishte shpallur në kërkim nga policia. Kallëzime penale për të gjithë ata zyrtarë që kanë firmosur për t’i dhënë toka bujqësore” u shpreh sot kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Një akuzë që pason kleçkat që po dalin në media për çështjen “Tahiri”.

Nuk ka ndonjë gjë sekret në një vend si ky i yni. Skenarët janë vënë në tavolinë dhe paradoksalisht ata materializojnë një luftë interesash ku PD-ja ngjan të ketë marrë rolin e soditësit. Diçka që nuk i përgjigjet peshës së saj dhe misionit që pretendon se ka. Nëse i besojmë ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për armiqësinë e tij me Ilir Metën, mund të hamendësojmë se kjo e PS-së është thjesht kundërpërgjigje taktike. Pasi pastrimi i politikës ngjan të jetë parashkruar në një reformë që administrohet nga të huajt që operojnë në Shqipëri.

Në planin afatshkurtër është e qartë se PS-ja po synon të kompleksojë edhe PD-në për aleancën e saj me LSI-në duke zbardhur afera të kësaj natyre. Edhe kjo një qasje afatshkurtër. Ngado ta kthesh, duket se ndotja i ka prekur të gjithë dhe turravrapi i akuzave më shumë krijon zhurmë sesa qartëson ndonjë gjë. Edhe më të pastërviturit me këtë lloj politike e kuptojnë tashmë se kjo lojë shantazhi që krijon ngërçe ciklike është me gjasë loja e vetme që ka mbetur përpara se reforma në drejtësi të hajë kokën e parë të madhe, nëse rrugës nuk ndodh ndonjë aksident i lumtur.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.