A duhet të jemi naivë si Sajmiri?

Postuar në 31 Tetor, 2017 01:03

Një intervistë e ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri në emisionin Top Story nuk zbuloi asgjë më shumë nga çështja e shumëpërfolur e deputetit socialist dhe lidhjeve të dyshuara me grupin e Habilajve. 

Kurioziteti nuk lidhej me të vërtetat e Sajmirit, i cili natyrisht është më i lehtësuar pas vetos së parlamenit për të mos e arrestuar, por me titullin e lajmëruar të emisionit "Në shtëpinë e Saimirit". 

Pra ajo që prinsim të shihnim ishte a përputhej sadopak mirëqënia e tij me akuzën se ka përfituar miliona euro nga organizata kriminale e kushërinjve të cilëve u kishte shitur makinën. Preventivi është i vështirë të bëhet nga ekrani, mirëpo nga ajo që pamë, shtëpia e tij ishte ndoshta më modeste se e disa deputetëve, zyrtarëve apo ministrave të tjerë, të cilët përfshi edhe Sajmir Tahirin nuk janë verifikuar asnjëherë realisht nga antikrimi financiar për burimin e pasurisë dhe të ardhurave të tyre. 

Për këtë nuk ishte i interesuar as gazetari që u fut në shtëpinë e ish-ministrit ku pak ditë më parë zbarkuan oficerë të Policisë Gjyqësore. Sajmiri dukej i relaksuar dhe intervistuesi po ashtu. Nuk dëgjuam që ish-ministri të pyetej sesa i kishte kushtuar investimi në atë banesë apo se çfarë prokurorët kërkuan të hetojnë nga pasuria e tij, meqë intervista po bëhej pikërisht në shtëpinë e ish-ministrit. Gjithsesi përtej kortezisë që shoqëroi këtë intervistë, rrëfimi i ish- ministrit ngeci sërish tek Audi i famshëm, kësaj radhe me një deduksion të ri. Sajmir Tahiri tha se ishte treguar naiv dhe diskret me çështjen e makinës.

“Mund të isha treguar më i kujdesshëm në shitjen e makinës, megjithatë ky është një gabim njerëzor që mua po më kushton. Nëse do ta kisha menduar gjatë në atë kohë nuk do ta bëja. Kam patur detyrimin t’i shpjegoj Kryeministrit në atë kohë vendimet që kam marrë dhe pse kanë ndodhur”-deklaroi ai.

Pohimi se ishte treguar mëndjelehtë nuk i mbulon pikëpyetjet e  mëdha që lidhen me përdorimin e makinës nga ish-ministri edhe 1 vit pasi ua kishte shitur Habilajve. Ai dha një shpjegim të tillë.

"Zgjodha të merrja një makinë që e dha rasti për shkak se blerësi nuk ndërronte dot targat për shkak të bllokimit nga përmbarimi. Por me një logjikë të thjeshtë, nëse unë do të kisha gjë për të fshehur, do të merrja makinën time? Unë nuk doja të merrja makinën e punës dhe të shfrytëzoja makinën e punës për pushimet e mia”-deklaroi Tahiri.

Pra ekspozimin e tij me makinën që ua kishte shitur Habilajve ministri na kërkoi ta shohim si provë sinqeriteti dhe ndërgjegjie të pastër se ai nuk kishte asgjë për të fshehur. Por një interpretim po aq i besueshëm mund të jetë edhe versioni se kalimi i vetë ministrit në doganë me makinën e Habilajve, ende në emër të tij, ishte mesazh i qartë ndaj policisë rrugore apo kufitare se kjo makinë që përdorej nga Habilajt ishte e vetë shefit të tyre.

Pra pse të mos themi se ky ishte shërbimi më i mirë që Sajmir Tahiri u bënte kushërinjve të ngatërruar me ca pune droge? A duhet të jemi po aq naivë sa Sajmiri, të cilin e kishim Ministër të Brendshëm dhe të besojmë se kjo histori është vetëm një gabim i moshës apo indiferentizmit të tij?

Nëse po, atëherë Sajmiri nuk duhet të kishte qenë asnjë ditë ministër, por të merrej me vullnetarizëm, ashtu siç e filloi karrierën në dyert e Partisë Socialiste. Gabimi në këtë rast është i Edi Ramës që zgjodhi njeriun e gabuar për t'i besuar rendin dhe sigurinë të Shqipërisë që me demek Duam, ose më keq akoma që zgjodhi njeriun e duhur për Shqipërinë që ata Duan. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.