Serbët “dalin kushërinj” me Haradinajn, hyjnë në qeverinë e tij

Postuar në 11 Shtator, 2017 13:23

Ramush Haradinaj është zgjedhur kryeministër i Kosovës me 61 vota nga 120 vende që ka parlamenti i këtij vendi. Ai përfaqëson koalicionin e drejtuar nga PDK dhe partia e tij, Ardhmëria për Kosovën, krahas Nismës dhe partisë së Behgjet Pacollit që do të jetë zv.kryministër.

Vetëvendosja dhe LDK-ja nuk morën pjesë në votim duke u vetëpërcaktuar si opozita e re e qeverisë që do të drejtohet nga i gjithë establishmenti i luftës së vitit 1999.  

“E papritura” e këtij kompozimi pragmatist është Lista Serbe e cila ka vendosur t’i bashkohet “kriminelëve të luftës” siç i cilëson Beogradi zyrtar drejtuesit e dikurshëm të UÇK-së. Vendimi i Listës Serbe u mor pas një takimi të përfaqësuesve të saj me drejtorin e Zyrës për Kosovën dhe Metohinë në qeverinë e Serbisë, Marko Gjurriç, që ka shtuar se pjesëmarrja në qeveri e serbëve nuk do të ndryshojë qëndrimin e Serbisë ndaj Haradinajt. Një politikë e jashtmë karagjozësh ballkanikë, ku mpleksen oportunizmi, pesha e fakteve dhe realitetit, nevoja për pushtet dhe hipokrizia e parimeve.

Kjo e serbëve në Kosovë kujton atë ironinë e shpeshtë pas sherreve mes shqiptarësh që siç thuhet, në fillim rrihen me njëri-tjetrin, pastaj sqarohen dhe marrin vesh që janë kushërinj. Në çdo rast, mediat serbe kanë vënë në dukje se hyrja e serbëve në qeveri përkon me heqjen nga programi i Haradinajt i disa çështjeve siç është formimi i ushtrisë dhe e drejta mbi Trepçen, ndonëse për këto të dyja Haradinaj mund të gjejë konsensusin e LDK-së dhe VV-së.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.