Marrëveshja e 18 majit, Edi Rama e referoi në kryesinë e PS-së si shlyerje të gabimit të Mukjes

Postuar në 13 Qershor, 2017 22:13

Ditët kalojnë dhe disa gjëra të reja po mësohen rreth marrëveshjes së 18 majit. Një analizë që I ka shpëtuar opinionit është fakti sesi është e mundur që Edi Rama jo vetëm bindi PS-në për lëshimin e pushtetit, por mori madje mbështetjen prej saj dhe po del në fushatë hapur me idenë e bashkëqeverisjes.

LSI-ja është një faktor dhe kjo në dritën e dështimeve spektakolare të katër viteve përmbush mirë pritmëritë e një alibie. Alibitë funksionojnë kur kalojnë nga gjysmë të vërtetat. LSI-ja ishte një pushtim I vërtetë për administratën dhe Rama këtë po thotë.

Por ka diçka tjetër që qëndron në këtë marrëveshje e cila siç bëhet e ditur është negociuar kokë me kokë mes Ramës dhe Lulzim Bashës, por të kthyer me kurriz nga njëri – tjetri, kjo për shkak të frikës së Bashës se mos Rama e vizatonte fshehurazi.

Nga të dhënat që disponon redaksia e “Të Kripurave” bëhet e ditur se ka qenë Rama ai që e ka prangosur Bashën – edhe kështu në hall – me një pyetje të befasishme:

  • Mendon se ne të dy mund të bëjmë atë që nuk u bë në Mukje?
  • Ç’a do me thënë me këtë?
  • E thjeshtë. Kemi mbështetjen e amerikanëve, premtimin e BE-së, kushtet e tyre, kemi një krizë dhe një tranzicion. Hajde t’i japim fund. Mirë për ty dhe PD-në, mirë edhe për ne.
  • Po çfarë kërkon?
  • Asgjë. Hyrje në zgjedhje dhe miratim për çdo vendim në komitetet me BE-në. Njohje të zgjedhjeve.
  • Më duhen edhe disa leva në qeveri sepse nuk kam sesi ta përligj këtë dalje.
  • Punë e bërë.

Me marrëveshjen në parim atë natë, të nesërmen u likujduan edhe hollësitë e radhës. Me këtë hap kryeministri u paraqit në mbledhjen e kryesisë së PS-së duke argumentuar se marrëveshja është një shans për korrigjim historik të atij gabimi që ndodhi në Mukje nga paraardhësit politikë të PS-së. Akuza 70 vjeçare për tradhëti dhe vendim që preku bashkimin e shqiptarëve, zhbëhet sot. Sa për lëshimin e pushtetit që iu bë PD-së, ai është një argument më shumë për të shlyer atë që ndodhi në gusht të vitit 1943.

Argumenti është mirëpritur nga socialistët të cilët në finale nuk rrezikonin zgjedhjet. Është kjo arsyeja pse Edi Rama flet për votën kuq e zi në një fushatë që zhvillohet në një vend që është i fundit në çdo tregues. Një truk me një nacionalizëm që i jep fund një loje bardh e zi që nuk ka ekzistuar ndonjëherë. Dikush kërkoi të kujtonte edhe 9 marsin 1997, por këto nuk janë kohë për kujtime.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.