Një votë që duhet të jetë llogari dhe përgjegjësi për familjen. Asgjë më shumë

Postuar në 22 Qershor, 2017 16:10

Pse duhet të votoj kur nuk mu dha asgjë? Kjo është pyetja të cilës sot kryeministri Edi Rama ka tentuar t’i përgjigjet pas një shkëmbimi mesazhesh me një qytetar nga Vlora. Dhe siç mund të pritet, përgjigja është teorike, se vota nuk është mall shkëmbimi, por detyrë patriotike. Kjo demagogji që merr formën e lutjes vetëm në kohë fushate, është e gënjeshtërt dhe thuajse e pacipë. Është e vërtetë që vota është detyrë patriotike, por nëse dikush në 2013-ën votoi për ndryshime, sot nuk i sheh ato. Jo ndryshime që i sjell koha, por politika.

Nëse dikush deri më dje u ndje zemërthyer për marrëveshjen e Edi Ramës me Ilir Metën, pa pyetur kënd, sot kupton që ka të drejtën e vet të thotë se jo, vota për Edi Ramën, për PS-në nuk është detyrë patriotike. Sepse pas një vargmali akuzash dhe sharjesh, jemi në kushtet kur vota për PS-në është votë për marrëveshjen e panjohur të 18 majit. Atë që u hartua natën, kokë më kokë dhe që është më e rëndësishme sesa vota. E cila për shkak të këtij sorollopi politikanësh u katandis në mall këmbimi.

Dhe vota e sotme për të gjithë këta që sot u dhemb Shqipëria është votë për atë tjetrin, për LSI-në e radhës, pasi Genti, që i ka shkruar mesazh kryeministrit duhet ta dijë se kryeministri i vet nuk përjashton asnjë koalicion. Nuk përjashton përsëritjen e tepsisë. Edi Rama flet për zhgënjime, për hatërmbetje, që nuk hyjnë këtu në konsideratë. Ato i drejtohen me rolin e babaxhanit dëshpërimit të përgjithshëm, por këtu fjala është për Dështime në politika, në mosmbajtje premtimesh dhe sidomos për një arrogancë që lidhet vetëm e vetëm me paranë që mbarështon ekipi socialist në pushtet. Katër vite ikën dhe as Sali Berisha dhe as Ilir Meta nuk u ka hyrë gjemb në këmbë. Gërdeci u shpall aksident teknologjik, ndërkohë që Lulëzim Basha, njeriu i akuzuar për 200 milionë në rrugën Durrës – Kukës, sot shpallet “çun i mirë”.

Po ai teatër, po ai mashtrim dhe po ajo fyerje që e merr njerëzinë për budalla. E njëjta gjuhë e përdorur me të cilën kryeministri, favorit gjithësesi në këto zgjedhje, kërkon të ndryshojë mendjen e njerëzve duke garantuar që vetë do të vazhdojë të jetë ai që ishte këto katër vjet. Mik dhe vëlla me Ilirin, armik me Saliun, pastaj në të anasjelltë, siç e do zanati. Dhe kur dikush flet për taksat, për atë Burgun që na e zinte në gojë ditë për ditë, për konçesionet, apo për abuzimet, atakohet si baltosës dhe i kazanit. Ky rotacion rolesh është amnistia e korrupsionit, që nuk mbulohet dot nga epika false e reformës në drejtësi, as nga batutat e kryeministrit në fushatë, për t’u kujtuar tani, nën peshën e ankthit të 25 qershorit që të flasë me dorë në zemër.

Vota ka qenë përherë iracionale në Shqipëri ndaj edhe partitë kanë ligjëruar kështu. Këtë po kërkon sot edhe zotëria, ndërkohë që detyrën patriotike është mirë ta bëjë ai që ngre flamurin me kaq dëshirë. Ne të tjerëve, popullit, le të na falë në mizerjen e llogarive të vogla, pasi edhe jeta e përditshme na kushton shtrenjtë. Shumica janë njerëz që mbajnë lekë në portofol, i numërojnë madje, jo si dikush që mburret në televizion se unë kam vite që nuk mbaj para me vete

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.