Pse Edi Rama nuk u shndërrua dot në starin e protestës së PD

Postuar në 19 Shkurt, 2017 13:32

Shqipëria përjetoi një tjetër ngjarje politike me protagoniste opozitën e udhëhequr nga Partia Demokratike, e cila po konsumon një aksion që pavarësisht numrave apo frymës që ka, ngre shqetësime për gjendjen aktuale në vend, siç janë inkriminimi i parlamentit, situata e drogës, represioni shtetëror mbi debitorët, papunësia apo dhe mungesa e garancive për zgjedhje me standarde.
E sforcuar ose jo, opozita arriti të mobilizojë mbështetësit e saj për t’ë sjellë një numër të konsiderueshëm qytetarësh nga disa rrethe të vendit të protestojnë përpara kryeministrisë së vendit.
Një model pak a shumë i ngjashëm me atë që praktikoi opozita e djeshme socialiste me përjashtim të 21 janarit, ku populli e tejkaloi opozitën, ashtu siç dhe ishte parashikuar në fakt.  Protesta e Partisë Demokratike ishte  pa eksese të dhunshme dhe me një pjesëmarrje civile, çka duhet të përshëndetur, për vetë frymën e protestës që përcolli, çka shoqërisë shqiptare i mungon, kur bëhet fjalë për të mbrojtur të drejtat e saj civile dhe politike.
Megjithatë nga disa media pati përpjekje për ta deligjitimuar apo ta vënë në lojë protestën e opozitës, që çuditërisht edhe nga kryeministri në detyrë u mor më seriozisht nga çpritej.
Ndryshe nga artikulimi i njohur i Ramës për opozitën, kryeministri mbajti një linjë solemniteti dhe u përpoq të merrte merita, duke  drejtuar edhe njëherë gishtin nga vetja se në dallim nga Sali Berisha ai nuk vret protestues.
Krahasimi që kryeministri kërkon të bëjë çalon për shumë arsye dhe nuk është thelbi i ngjarjes politike që prodhoi protesta e opozitës, pavarësisht se disa media përpiqen të bëjnë fshirëset e xhamave të imazhit me zellin jargavitës ndaj pushtetit.
Fatmirësisht stari televiziv i protestës nuk mund të ishte Edi Rama, dhe as mesazhi se udhëheqësi i  Shqipërisë që kemi nuk derdh gjak protestuesish në bulevard, siç do dëshironte vetë ai apo shumë media pranë tij.
Protesta thjesht na kujton se rruga që kemi përpara për të ndërtuar shtet demokratik është ende e gjatë dhe ajo nuk mund të varet nga humori i pushtetit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.