Kompesimi i pronave, ligji ri nuk prek dosjet e shqyrtuara

Postuar në 18 Janar, 2017 11:34

Zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese që rrëzon dy nene të ligjit për pronat. Thelbi i ndryshimeve është vlerësimi me zërin kadastral aktual për dosjet që janë në shqyrtim dhe kthimi fizik i pronës atje ku është e lirë, duke u dhënë përparësi ish-pronarëve. Qeveria ka dy muaj kohë të reflektojë në ligj ndryshimet e diktuara në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata, lidhur me dispozitat që parashikojnë që vendimet gjyqësore ose administrative të formës së prerë, të cilat parashikojnë dhënien e një mase të caktuar kompensimi, por që ende nuk janë ekzekutuar, vlerëson se ato ngrenë çështjen e “pritshmërisë legjitime”, por sipas ligjit nuk do t’i nënshtrohen rivlerësimit. Prandaj për këto raste nuk mund të thuhet se ka “ndërhyrje” në kuptim të nenit 1 të Protokollit nr. 1 të GJEDNJ- së, për sa kohë këto vendime do të ekzekutohen
Për sa u përket vendimeve që përcaktojnë kthimin ose kompensimin vetëm me sipërfaqe dhe jo me vlerë financiare, skema e re e kompensimit, e parashikuar nga ligji nr.133/2015, ndryshoi metodën e vlerësimit, e cila mund të rezultojë në një masë kompensimi më të ulët. Ndonëse masa më e ulët e kompensimit nuk mund të cilësohet si shpronësim formal, ajo mund të cilësohet mjaft mirë si “ndërhyrje të tjera” sipas nenit 1 të Protokollit nr.1 të GJEDNJ-së. Megjithatë, Gjykata vlerëson, se ekziston një bazë ligjore mjaftueshëm e qartë dhe e detajuar për ndërhyrjen në këtë çështje. Po ashtu, siç u theksua më lart, ndërhyrja duket se ndjek një qëllim legjitim, pasi qëllimi i ligjit nr.133/2015 është përfundimi efektivisht i procesit të trajtimit të pronës nëpërmjet njohjes dhe kompensimit të saj brenda një afati të arsyeshëm (10-vjeçar).

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.