Gruevski-ambasadorit të SHBA: Puna jote, vetëm të raportosh

Postuar në 17 Dhjetor, 2016 21:48

Nikolla Gruevski, i cili doli fitues i zgjedhjeve në Maqedoni ka shprehur hapur pakënaqësi ndaj ambasadorit amerikan, Xhes Bejli dhe atij të bE-së Samuel Zhbogar. Zyra për shtyp e kreut të VMRO-DPMNE ka zbardhur bisedat me tone të larta mes Nikolla Gruevskit dhe ambasadorëve, në të cilat ish kryeministri maqedonas kërkon që faktori ndërkombëtar të qëndrojë anash dhe të mos përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë, sidomos në marrëdhëniet ndërpartiake. Më poshtë biseda e zbardhur: 

Bejli: Cilat janë planet e VMRO- DPMNE-së për koalicion?

Nikolla Gruevski: Planet varen nga partitë e tjera, të cilat po ndikohen edhe nga faktorë të jashtëm!  

Bejli: Cilët janë këta faktorë të jashtëm?

Nikolla Gruevski: Nuk jemi të autorizuar të tregojmë!

Bejli: Mund t’ju ndihmojmë në këtë drejtim!

Nikolla Gruevski: Puna juaj është vetëm të ndiqni situatën dhe t’i raportoni shtetit tuaj!

Bejli: Ne ju kemi ndihmuar deri tani!

Nikolla Gruevski: Për ndihmën e deritanishme, faleminderit!

Bejli: SHBA është mike e Maqedonisë, por disa anëtarë të partisë suaj nuk ndajnë të njëjtin qëndrim!

Nikolla Gruevski: Nuk ka dilema rreth anëtarësimit në NATO e BE dhe miqësisë me SHBA-në, por kjo nuk do të thotë se disa individë, partia apo shteti nuk mund të shprehin mos pajtueshmëri me disa hapa që individë të caktuar që përfaqësojnë SHBA-në kanë ndërmarrë këto kohë. 

Përveç dialogut i cili në nëntekstin e tij shfaq mospajtimet mes Gruevskit dhe ambasadorit Bejli i cili është zbuluar, në VMRO- DPMNE ka zhvilluar takime edhe ambasadori i BE-së Samuel Zhbogar. Gruevski duket se është shprehur me një ton më të butë ndaj evropianëve.

Zhbogar: Jam i shqetësuar për fjalorin e përdorur në protestat e fundit!

Nikolla Gruevski: U bënë 2 vjet protesta të opozitës, u thyen zyrat e Presidentit, prona shtetërore dhe Brukseli e komuniteti ndërkombëtar nuk thanë një fjalë për to!

Zhbogar: Si do të shkojë situata me protestat?

Nikolla Gruevski: Nuk mund të parashikojmë pasi numri i qytetarëve të irituar është i madh dhe revolta nuk do të kontrollohet plotësisht nëse institucionet nuk punojnë në bazë të ligjit. 

Në takim ka qenë edhe ambasadori i Norvegjisë Arn Sanes Bjornshtad i cili ka marrë të njëjtën përgjigje të ashpër nga Nikolla Gruevski, se në dy vitet e fundit në Maqedoni, përfaqësues të caktuar të bashkësisë ndërkombëtare janë përzier në mënyrë të vrazhdë në punët e brendshme të shtetit, deri edhe ato ndërpartiake.

Sipas Nikolla Gruevskit kjo praktikë ka qenë e nxitur më shumë, edhe në periudhën parazgjedhore dhe atë zgjedhore, praktikë kjo e cila do të marrë fund, raporton "Tv Klan".

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.