Nga Europiani, te kërcënimi i origjinës së largët

Postuar në 16 Nëntor, 2016 13:04
Ervin Baku

Kam përjetuar të shtunën e kaluar në “Elbasan Arena” ndeshjen më të çuditshme në historinë time 25-vjeçare si gazetar. Në të gjitha pikëpamjet. Për fatin tim të keq, dhe tonin, qëlloi ndeshja e Kombëtares sonë. Jam i sigurt që nuk do të shikoj më ndeshje të tillë. Derisa të rikthehet përsëri Izraeli në Shqipëri. Ose Serbia. Shqipëria u mund. Keq. Tifozët e Kombëtares u mundën. Keq fare. Siguria dhe policia fituan. Bindshëm. Po e filloj nga fundi. Unë e kuptoj që, kur miku që të viziton ka sinjale të forta kërcënimi, ti si i zoti i shtëpisë ke për detyrë të marrësh masat e sigurisë së lartë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për Izraelin. 5000 policë dhe 500 agjentë shoqëruan dje në Greqi presidentin e SHBA-ve, Barak Obama. E pra Izraeli ishte një gjysmë Obame. Por të kalosh, nga masat e sigurisë së lartë në ekstrem të ekstremit, vetëm ne dimë ta bëjmë këtë. Me zellin më të madh. Jemi kampionë bote. Deri në poshtërim të tifozërisë tënde. Deri në dhunim të saj. Duke zbatuar pikë për pikë kulmin e inferioritetit. Kjo është e tmerrshme! Skandal! “Shvercerat” e Shkupit u ndaluan në kufi dhe nuk u lejuan të shkonin në Elbasan. Pse??? “Plisat” e Prishtinës (250 persona) u pritën si armiq në “Elbasan Arena”. Pse??? Ata u provokuan nga policia, u rrahën, dhe 3 prej tyre u arrestuan. Pse??? Si përfundim ata e bojkotuan ndeshjen. Bënë 700 km për ta ndjekur Kombëtaren në lokalet e Elbasanit. Sa turp kur policia jote të trajton si huligan dhe si armik. Në stadium, shihje tek-tuk ndonjë flamur shqiptar. Pse??? Nuk kishte asnjë banderolë, asnjë buri, asnjë daulle. Pse??? Ndeshja luhej në Shqipëri, dreqi e mori. Nuk luhej në Palestinë. Edhe ne gazetarët u kontrolluam si të ishim terroristë. Personalisht, m’u desh ndihma dhe ndërhyrja e dy drejtuesve të lartë të policisë për të hyrë në tribunën e shtypit me stilolapsin dhe karikuesin e celularit. Policia donte të m’i konfiskonte të dyja mjetet e punës. Nga Europiani, u kthyem në fshatin tonë. Në Europian, Franca e fitoi luftën me terrorizmin. Por në ndryshim nga ne, me qetësi, pa zhurmë, pa bujë, pa prishur festën dhe spektaklin. Pa prishur futbollin. Që na mblodhi. Ndaj Franca është Francë. Dhe ne jemi këta që jemi. Dhe çdo krahasim me ta është herezi…

Të them tani dy fjalë për ndeshjen, trajnerin Xhani de Biazi, vazhdimësinë e eliminatoreve.

Shqipëria u turpërua. Por ndërkohë që tifozët u turpëruan nga tanët, Kombëtarja u turpërua në fushë. Nga një çorganizim në perfeksion. Izraeli na dha një leksion të pastër futbolli. A ndikoi “shtetrrethimi” në performancën disfatiste të Kombëtares? Nuk di ta them. Në konferencat e shtypit të pragndeshjes, futbollistët nuk na u ankuan kurrë. Këtë di ta them me siguri. “U kthyem në origjinë”, brohoritën në kor shumica dërrmuese e tifozëve. Personalisht, mendoj që ishim në një ditë jo. Dhe që pas Europianit, jemi në një moment jo. Grupi duket (nga jashtë) i përçarë. Me gjithë respektin maksimal që kam për kapitenin tonë Ansi Agolli, këtij grupi i mungon lideri. Një lider i vërtetë. Që t’i shkundë nga themelet. Mungon Lorik Cana. Kapiten lind, nuk bëhesh. Si shpjegohet që shumë lojtarë shkëlqejnë me klubet e tyre dhe në Kombëtare kanë një ngërç të madh? Nuk kanë shpirtin e tyre të zakonshëm të garës. Si t’ia vëmë emrin gafës së pafalshme të Berishës??? Si mund ta lësh ekipin në baltë ndërkohë që je me një lojtar më pak??? Kjo ndeshje zbuloi lakuriq atë që diçka nuk shkon me Kombëtaren. Timonieri i saj nuk është më ai i pari. Xhani de Biazi është tani arrogant. Edhe me ne gazetarët. Duhet të ndryshojë sa më parë sjelljen e tij. Të jetë shumë më bashkëpunues. Me të gjithë.

Shqipëria shkoi në Europian. Trajneri i saj ishte Xhani de Biazi. Italiani duhet të qëndrojë. Deri në fund të eliminatoreve. Atëherë do të jetë koha e bilanceve. Një gjë është e sigurt: kemi një grup shumë të mirë. Vetë ky grup na i ka rritur pretendimet. Por grupi nuk është në terezi. Nuk është stabël. Shkojnë e vijnë futbollistë. Ka nga ata që e meritojnë dhe nuk thirren (Kaçe, Gashi, Cikalleshi). Ka të tjerë që, edhe kur thirren, nuk luajnë (Abrashi). Ne nuk kemi luksin ta bëjmë çorap grupin. I takon Xhani de Biazit të vendosë ekuilibrat dhe t’i kthejë grupit frymën që i njohim. Jo vetëm ne. Por edhe Europa. Ka fiks 4 muaj për ta bërë këtë. Derisa të vizitojë shtëpinë e tij. Por të lutem, Xhani, o xhan, pa arrogancë. Me këmbë në tokë. Dhe me thjeshtësi, shumë respekt. Vetëm kjo është receta. Objektivi i vendit të tretë është plotësisht i arritshëm. Do të ishte një konstante fantastike. Mosarritja e vendit të tretë është dështim. Kërcënimi i origjinës së largët është prezent.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.