FBI merr mandatin për të rihapur hetimet. Demokratët, sulm frontal ndaj drejtorit Comey

Postuar në 31 Tetor, 2016 09:57

Mediat amerikane njoftojnë se Byroja Federale e Hetimit ka marrë lejen për të rihapur hetimin mbi emailet e Hillary Clinton. Ky është një hap tjetër që implikon shumë pozitën e kandidates demokrate në zgjedhje. Ndërkaq ndaj drejtorit të FBI-së ka nisur një sulm që shkon deri në kërkesën për dorëheqje. Kreu i demokratëve në Senatin amerikan, Harry Reid, ka firmosur një letër përmes së cilës i kujton drejtorit James Comey se ai mund të ketë shkelur ligjin(Aktin Hatch) teksa me qëndrimet me dy standarde ka lënë dyshimin se po ndihmon në zgjedhjeve një palë kundër tjetrës. Paralelisht me këtë lëvizje që e vë Comey para një presioni të jashtëzakonshëm, kongresmeni demokrat Steve Cohen ka kërkuar dorëheqjen e Comey, i cili më herët u sulmua nga kampi i Trump, se përse cilësoi se në hetime nuk u verifkua asnjë akuzë penale.

Një tjetër shigjetë i hidhet Comey edhe nga ish –prokurori i Përgjithshëm, Eric Holder, i cili përmes një letre publikuar në media, shkruan se Comey ka thyer traditën e institucionit, e cila është maturuar dhe testuar si efikase dhe “nuk mund të zëvendësohet nga gjykimi i drejtuesve”. Por Holder shkon më tej me qëndrimin e vet kur cilëson se edhe dalja e Comey në korrik në konferencë shtypi për të njoftuar rezultatin e hetimeve ishte e padenjë. Diçka që në atë kohë nuk u kritikua nga demokratët që panë sesi “kauza e emaileve” u tret si kripa në ujë. Holder jep edhe disa konsiderata personale:

“E njoh Comey. Ai është njeri me integritet. Por njerëzit e mirë bëjnë gabime. Ai mund të ketë bërë një gabim që mund të ketë pasoja të rënda”, shkruan Holder në një letër që është asistencë politike dhe mediatike për Hillary Clinton.

Në fakt do duhet të pritet rezultati i hetimeve i cili ndonëse thuhet se afekton zgjedhjet më tepër ka sjellë çorientim. Janë 650 mijë emaile për t’u verifikuar dhe është e qartë se nuk ka një rezultat të mundshëm para zgjedhjeve. E gjithë kjo furi sulmesh vërteton në fakt një gabim të Comey, por ai zbulon edhe vullnetin e demokratëve për t’i vënë kapak një çështjeje që minon besimin në zgjedhje.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.